SHBA lehtësoi sanksionet ndaj naftës ruse, Merz e quan veprim të gabuar, Zelensky “goditje për Ukrainë”
Departamenti i Thesarit i SHBA-së ka njoftuar se do të heq sanksionet ndaj naftës ruse pas rritjes së çmimit ndërsa Irani bllokon Ngushticën e Hormuzit, përmes së cilës transportohet një e pesta e naftës botërore, dhe sulmon anijet, transmeton Euronews.
Ky veprim do të lejojë shitjen e naftës bruto dhe produkteve të naftës ruse të ngarkuara tashmë në anije deri më 11 prill.
Duke folur në një konferencë për shtyp të martën, presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky paralajmëroi se ky veprim do të ishte një “goditje serioze” për vendin e tij dhe një “goditje reputacioni” për botën.
“Si mund të hiqen sanksionet ndaj Rusisë teksa ajo është një agresore? Do të vendoste një precedent që të tjerët mund ta ndiqnin, dhe jo në një mënyrë pozitive”, është shprehur ai.
Kancelari i Gjermanisë nga ana tjetër, Friedrich Merz, thotë se lehtësimi i sanksioneve mbi përdorimin e naftës ruse është “i gabuar”.
Duke folur gjatë një vizite në Norvegji, Merz tha se “ne besojmë se është gabim të lehtësohen sanksionet tani”.
“Aktualisht ka një problem me çmimet, por jo me furnizimin”, thotë ai. “Dhe në këtë drejtim, do të doja të dija se cilët faktorë të tjerë e shtynë qeverinë amerikane të merrte këtë vendim.”
Ai thotë se Gjermania nuk do të “dekurajohet ose shpërqendrohet” nga mbështetja e saj për Ukrainën për shkak të konfliktit me Iranin.