Sfida ruse, kërcënime hibride dhe vizioni NATO 2035 ishin në fokus të diskutimeve të AP-së së NATO-s

Delegacioni i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut mori pjesë në “Takimet tradicionale të Shkurtit” të Asamblesë Parlamentare të NATO-s në Bruksel, ku u diskutuan sfidat aktuale të sigurisë dhe forcimi i mbrojtjes kolektive. Në takimet me Këshillin e Atlantikut të Veriut u theksua se NATO mbetet garantuese e sigurisë dhe vlerave demokratike. U riafirmua mbështetja për Ukrainën dhe nevoja për një paqe me garanci të forta sigurie. Diskutimet u përqendruan gjithashtu në kërcënimet hibride, sfidat ruse dhe kineze, si dhe në prioritetet strategjike drejt NATO 2035, transmeton Portalb.mk.

“Takimet janë të dedikuara për pjesëmarrje vetëm nga delegacionet e përhershme nga parlamentet kombëtare të vendeve anëtare të NATO-s, me qëllimin kryesor thellimin e dialogut në institucionet e NATO-s, shkëmbimin e përvojave dhe analizimin e sfidave aktuale të sigurisë dhe forcimin e solidaritetit të mbrojtjes së aleatëve. Delegacioni i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Asamblenë Parlamentare të NATO-s po merr pjesë, i përbërë nga deputetët e mëposhtëm: Dragan Kovaçki, shef i Delegacionit, anëtare Sllavjanka Petrovska dhe zëvendësanëtari Ilir Hasani. Në takimin me Këshillin e Atlantikut të Veriut, të bashkëkryesuar nga kryetari i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, Markos Perestrelo, dhe zëvendëssekretarja e përgjithshme e NATO-s, Radmilla Shekerinska, morën pjesë shefat e delegacioneve parlamentare kombëtare”, thuhet në njoftimin e Kuvendit të RMV-së.

Në fjalimet dhe diskutimet, u theksua se NATO, përballë sfidave të sigurisë, mbetet gurthemeli dhe garantuesi i mbrojtjes kolektive dhe vlerave të përbashkëta demokratike, dhe angazhimi i vendeve anëtare i përfshirë në Traktatin e Uashingtonit do të vazhdojë të mbajë qytetarët të sigurt. Angazhimet nga Samiti i NATO-s në Hagë janë historike në kontekstin e forcimit të Aleancës, dhe tani, në prag të Samitit të NATO-s në Ankara, ato duhet të finalizohen me shkallën më të lartë të zbatimit. U theksua se pavarësisht dallimeve gjatë dekadave, Evropa dhe Amerika e Veriut arrijnë të gjejnë një gjuhë të përbashkët për çështjet e hapura. Parlamentarët ranë dakord të vazhdojnë të mbështesin Ukrainën dhe të punojnë së bashku për një marrëveshje paqeje me garanci të forta dhe parandalimin e veprimeve të ardhshme shkatërruese.

“Gjatë takimeve në komitetet, u diskutuan çështjet që lidhen me: mbrojtjen dhe sigurinë e çdo metri të zonës euroatlantike; sfidat ruse dhe kineze ndaj sigurisë euroatlantike; kërcënimet hibride dhe NATO në kontekstin e planifikimit strategjik; partneritetet me NATO-n si një pjesë jetësore dhe e rëndësishme e politikës së Aleancës; mbi vizionet drejt NATO-s 2035, si dhe mbi përpjekjet e BE-së dhe NATO-s në zhvillimin e industrisë së mbrojtjes dhe kapaciteteve të sigurisë dhe rolin e parlamentit në proceset e vendimmarrjes. U diskutua gjithashtu gjendja e rreziqeve të sigurisë në Evropë, prioritetet strategjike të Aleancës dhe rëndësia e mbrojtjes kolektive në kontekstin e sfidave të reja globale”, thuhet në njoftim.

Parlamentarët patën mundësinë të angazhoheshin në një debat të drejtpërdrejtë me disa folës të shquar dhe të njohur, dhe u drejtuan gjithashtu nga ministri belg i Mbrojtjes dhe Tregtisë së Jashtme, Teo Franken, zëvendëssekretari i përgjithshëm i NATO-s, Xhejms Apaturai, dhe zëvendësshefi i Delegacionit të NATO-s në Ukrainë, Peter Hauge Berg.

Pjesëmarrja e Delegacionit në këtë eveniment është aktivitet i rëndësishëm në forcimin e diplomacisë parlamentare dhe mbështetjen e hapave reformues në proceset dinamike globale, të cilat janë me rëndësi thelbësore për vendin tonë si anëtar i NATO-s.

Takimet e përbashkëta të NATO-s dhe AP-së së NATO-s mbahen rregullisht sipas kritereve të klasifikuara të sigurisë dhe Chatham house rules, me anë të së cilës nuk lejohet elaborimi më i madh i përmbajtjes në sferën e medias publike.

Kujtojmë se Maqedonia e Veriut ka mbushur mbi 5 vjet që është pjesë e NATO-s. Më 27 Mars 2020,vendi zyrtarisht u bë anëtar i NATO-s, ndërsa më 30 mars, flamuri i Maqedonisë, si flamuri i vendit aleat të 30, u ngrit në selinë e NATO-s në Bruksel, përpara Komandës supreme të forcave aleate (SHAPE) – Komanda aleate për operacione në Mons, Belgjikë dhe Komanda aleate për transformime në Norfolk, Virxhinia, SHBA.

Në kohën kur vendi përpiqet të arrijë 2 përqindëshin, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte deklaroi se anëtarët e aleancës së shpejti do të diskutojnë rritjen e objektivave të shpenzimeve të mbrojtjes përtej 2% të PBB-së aktuale, pasi ky nivel është i pamjaftueshëm për të garantuar sigurinë afatgjatë, tha Rutte në një konferencë shtypi pas një takimi ministror të NATO-s në Bruksel. Rutte theksoi se nevoja për shpenzime më të larta të mbrojtjes tejkalon kritikat e mëparshme të presidentit të dikurshëm dhe të ardhshëm amerikan Donald Trump për kontributet e mbrojtjes të Evropës.