Servisi publik mediatik është fabrikë propaganduese e Orbanit, mijëra hungarezë demonstruan për lirinë e medias

Mijëra protestues u mblodhën dje para selisë së servisit publik mediatik të Hungarisë për të demonstruar kundër, siç thonë, rrjetit propagandistik të rrënjosur të drejtuar nga qeveria nacionaliste në kurriz të taksapaguesve. Protesta u organizua nga figura më e shquar e opozitës hungareze, Peter Magyar, dhe partia e tij e re TISZA, e cila është shfaqur muajt e fundit si sfida më serioze politike për kryeministrin Viktor Orban që kur ai mori pushtetin gati 15 vjet më pare, transmeton Portalb.mk.

Magyar, partia e të cilit fitoi gati 30 për qind të votave në zgjedhjet e kësaj vere për Bashkimin Evropian dhe kryeson para partisë në pushtet Fidesz, është shprehur hapur për dëmin që “fabrika e propagandës” e Orbanit i shkaktuar demokracisë në Hungari.

“Kjo që po ndodh këtu në Hungari në vitin 2024, dhe e quan veten një “servis publik” mediatik, është një skandal global”, i tha Magyar turmës në Budapest. “Mjaft me budallallëqe, mjaft gënjeshtra, mjaft propagandë. Na ka mbaruar durimi. Ka ardhur koha për përballje”.

Edhe vëzhguesit hungarezë edhe ato ndërkombëtarë kanë paralajmëruar prej kohësh se liria e medias në vend është nën kërcënim dhe se partia e Orbanit, me ndihmën e manjatëve të biznesit të lidhur me qeverinë, i ka blerë mediat për të ndërtuar një perandori mediatike pro-qeveritare. Organizata për Mbikëqyrjen e Mediave, “Reporterët pa Kufij”, vlerëson se blerje të tilla i kanë dhënë partisë së Orbanit kontrollin e rreth 80 për qind të burimeve të tregut mediatik të Hungarisë. Në vitin 2021, grupi e vendosi Orbanin në listën e tij të “grabitqarëve” mediatik, lideri i parë i BE-së që mori këtë kualifikim.