Gruevskit sot i skadoi dënimi me burg për Mercedesin luksoz, RMV-ja nga 2019 nuk ka kërkuar ekstradimin nga Hungaria

Ish-kryeministri i Maqedonisë së Veriut Nikolla Gruevski sot shpëtoi plotësisht nga vuajtja e dënimit me burg dy vite për blerjen e Mercedesit luksoz prej 600 mijë eurove, i njohur ndryshe si rasti “Tanku”, raporton Portalb.mk.

Më 4 tetor 2018 Gruevski u dënua ndërsa deri sot (4 tetor) kanë kaluar gjashtë vite, ku sipas Kodit Penal të RMV-së skadon vuajtja e dënimit.

Ndërkaq për të njëjtin rast, Gordana Jankulloska është dënuar me 4 vjet burgim, ndërsa Gjoko Popovski me 4.6 vjet. Ata e vuajtën dënimin.

Shqiptimi i burgut për rastin e Mercedesit ishte arsyeja e Gruevski të u arratis nga vendi më 8 nëntor 2018. Shumë shpejt atij iu dha azil nga autoritetet hungareze, miq ende aktualë të partisë së tij VMRO-DPMNE, ai ndodhet ende në Hungari.

Herën e fundit Ministria e Drejtësisë ka kërkuar ekstradimin e Gruevskit në vitin 2019, për të gjitha rastet për të cilat është lëshuar fletarrest ndërkombëtar ndaj tij.

Nga Ministria e Drejtësisë për SDK theksuan se Hungaria e ka refuzuar kërkesën për ekstradim më 05.08.2019 me arsyetimin se Nikolla Gruevskit i është dhënë azil dhe sipas ligjit të tyre personi nuk mund të dorëzohet në shtetin nga i cili ka ikur.

“Nuk kemi paraqitur kërkesë tjetër për ekstradim sepse do të ishte e pakuptimtë. Për sa kohë që një person gëzon azil, autoritetet hungareze refuzojnë ekstradimin. Situata po monitorohet me kujdes dhe kur të krijohen kushtet, sigurisht që do të paraqesim kërkesë të re, e cila është e njëjtë si për çdo rast ekstradimi”, thanë nga Ministria e Drejtësisë.

Pas ndryshimeve në Kodin Penal, u vjetërsuan lëndët TNT, për prishjen e kompleksit “Kosmos” dhe “Trajektorja”, për komisionet për ndërtimin e autostradave. Ndryshimet e shpëtuan edhe Gruevskin nga akuza për rastin “Shkupi 2014”, “Feniks”.

Gruevski mbetet i akuzuar për çështjet “Talir 1” dhe “Talir 2”, mbi të cilat varet edhe paqartësia se si do të përfundojnë, si dhe në rastin “Titanik”, ku akuzohet për shpërdorim fondesh për financimin e fushatës zgjedhore dhe cenimin e të drejtës së votës.

Të gjitha lajmet lidhur me ish-kryeministrin Nikolla Gurevski i gjeni KËTU.