Me kujdes drejt një operatori të tretë celular në RMV

Edhe pas një muaji nga nënshkrimi i Memorandumit për mirëkuptim dhe interesimit të ndërsjellë të Maqedonisë së Veriut dhe kompanisë hungareze “4IG” për liberalizimin e rrjetit të telekomunikacionit, Agjencia e Komunikimeve Elektronike nuk ka pranuar asnjë kërkesë zyrtare për shfaqjen e interesimit – as nga Qeveria e as nga kompania hungareze “4IG”, shkruan Radio Evropa e Lirë, transmeton Portalb.mk.

Agjencia e Komunikimeve Elektronike (AKE) është institucioni që duhet ta zbatojë procedurën për zgjedhjen e operatorit të tretë të mundshëm celular në Maqedoninë e Veriut.

Drejtori i këtij institucioni, Jeton Akiku  tha se sipas procedurës në bazë të interesimit të shfaqur AKE-u duhet të bëjë analizë, të publikojë një thirrje publike dhe të zbatojë një procedurë tenderimi.

“Edhe vetë operatori mund të shprehë zyrtarisht interesim, pastaj sipas ligjit duhet të ketë edhe debat publik dhe procedura e tenderimit duhet të dorëzohet në të gjitha institucionet ndërkombëtare të telekomunikacionit që më vonë të gjithë të interesuarit të mund të marrin pjesë në tender”, tha Akiku.

Njoftime të ndryshme për hulumtimin e tregut

Letra e qëllimeve për hyrje në tregun e telekomunikacionit në Maqedoni e dërguar nga kompania hungareze “4IG” më 6 gusht u shndërrua në Memorandum për mirëkuptim, në të cilin më 2 shtator u nënshkruan bashkërisht kryetari i grupacionit, Gellert Jaszai, dhe ministri i transportit dhe lidhjeve, Aleksandar Nikollovski.

Takimi në të cilin u arrit “marrëveshje preliminare për bashkëpunim afatgjatë për mbështetjen e transformimit digjital të Maqedonisë së Veriut” u mbajt pa publik dhe pa prezencën e mediave.

Në një komunikatë për media nga kompania hungareze është njoftuar formimi i një grupi pune.

“Partnerët do të formojnë një grup të përbashkët pune për promovimin e bashkëpunimit, me qëllim hulumtimin e mundësive të tregut dhe përshpejtimin e bashkëpunimit”, thuhet në njoftimin e “4IG”.

Radio Evropa e Lirë iu drejtua edhe kompanisë hungareze edhe Qeverisë – pse do të formohej një grup i përbashkët punues për hulumtimin e tregut, nëse “4IG” nuk është partner i dakorduar për hyrje në treg.

Nga Qeveria për Radion Evropa e Lirë thanë se një grup i tillë nuk është formuar.

“Një grup pune mund të formohet pasi të arrihet një marrëveshje, nëse arrihet ndonjë marrëveshje. Deri më tani është nënshkruar vetëm një Memorandum për mirëkuptim. Nga kjo është e qartë se të gjithë hapat e mëtejshëm i ndërmerr “4IG”, e jo Qeveria”, deklaruan nga Qeveria për Radion Evropa e Lirë.

Nga grupacioni hungarez nuk dhanë një përgjigje konkrete, por thonë se janë duke u përgatitur për tenderin që do të shpallet së shpejti.

“Ky Memorandum për mirëkuptim është hapi i parë i një bashkëpunimi të mundshëm afatgjatë. Në fakt, ai është shenjë e një përkushtimi të ndërsjellë që “4iG” të hyjë në tregun në Maqedoni. Grupacioni “4iG” është i pranishëm në Shqipëri dhe Mal të Zi me brendin ONE dhe është pjesë e strategjisë afatgjatë afariste për zgjerimin e rrjetit në rajon. Pra, Maqedonia është një nga kthesat në këtë zgjerim. Procesi tani është në fazën e punëve përgatitore të nevojshme për respektimin e procedurës së tenderimit”, u përgjigjën nga“4IG” për Radion Evropa e Lirë.

Alarm për kujdes nga rreziku

Në tetor të vitit 2020 qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe ajo e Maqedonisë së Veriut nënshkruan një Memorandum për mirëkuptim edhe për sigurinë e teknologjisë 5G. Me këtë memorandum Maqedonia e Veriut mori përsipër të mos përdorë teknologji 5G nga prodhues “të paverifikuar dhe jo kredibil”, në mesin e të cilëve bën pjesë edhe kompania kineze “Huawei” dhe “ZTE”.

Nga Ambasada Amerikane në vend thonë se Qeveria do të vazhdojë ta respektojë marrëveshjen.

“SHBA dhe Maqedonia e Veriut e kanë të përbashkët qëllimin për mbrojtjen e rrjeteve të komunikimit nga ndërprerjet dhe manipulimet dhe si pjesë e këtij angazhimi së bashku nënshkruan një Memorandum për mirëkuptim për sigurinë e 5G në vitin 2020. Shpresojmë që Qeveria të vazhdojë ta mbrojë integritetin e rrjetit, të evitojë furnizues jokredibil të harduerit dhe softuerit dhe të sigurojë një ekosistem të sigurt dhe etik 5G në Maqedoninë e Veriut”, thanë nga Ambasada për Radion Evropa e Lirë.

Bashkëpunimi hungarezo-kinez ndërmjet kompanive të tyre kombëtare të telekomunikacionit paraqet rrezik për infrastrukturën kritike të Maqedonisë së Veriut, ka thënë paraprakisht ish-ministri i ekonomisë Kreshnik Bekteshi, pa dhënë më shumë detaje.

“Kjo është në kundërshtim me interesat e partnerëve tanë strategjikë”, tha Bekteshi.

Për koordinatorin e grupit parlamentar opozitar të LSDM-së në Kuvend, Oliver Spasovski, pas kredisë hungareze në të ardhmen mund të presim marrëveshje të tjera ndërmjet Hungarisë dhe Maqedonisë së Veriut. Por, ai bën thirrje për kujdes në këtë proces.

“Duhet të mendohemi mirë për këtë operator të tretë celular, për arsye se Maqedonia e Veriut është vend anëtar i Aleancës së NATO-s dhe në këtë pjesë duhet të kemi parasysh që kemi marrë disa obligime që në asnjë mënyrë nuk duhet ta rrezikojnë infrastrukturën kritike të shtetit”, thotë Spasovski për REL.

Për Ana Krstinovskën nga organizata joqeveritare “Estima”, e cila është eksperte dhe vëzhguese shumëvjeçare e ndikimit kinez në Maqedoninë e Veriut dhe në rajon, hyrja eventuale e “4IG” hungarez në tregun në Maqedoni nënkupton edhe një pikë e mundshme hyrëse për Kinën përmes “Huawei”-it.

“Megjithatë, nëse, në çfarë mase dhe në çfarë mënyre varet konkretisht nga mënyra se si kompania hungareze do t’i vendosë operacionet në vend dhe nëse do të harmonizohet me kriteret tona për furnizues të sigurt. Këtu, në radhë të parë i referohem harmonizimit me Iniciativën për Rrjete të Pastra që Qeveria e nënshkroi në vitin 2020 për t’i kufizuar rreziqet lidhur me privatësinë dhe sigurinë e të dhënave, e që rrjedhin nga shtetet autoritare, por edhe standardet në përgjithësi që duhet t’i respektojmë me anëtarësimin tonë në NATO. Kjo është diçka që duhet të merret parasysh dhe të kërkohet nga kompania hungareze, për të garantuar sigurinë gjatë transferimit dhe ruajtjes të të dhënave të përdoruesve në Maqedoni”, thotë Krstinovska.

Nga kompania hungareze “4IG” për Radion Evropa e Lirë thanë se i kanë parasysh rregulloret lokale në Maqedoni.

“4iG Group” i respekton plotësisht dhe i zbaton rregulloret lokale pavarësisht se për cilin rajon bëhet fjalë. Për shembull, One Albania e përdor Ericsson-in, jo vetëm si një trashëgimi teknologjike, por edhe për harmonizim me rregullatorin, por One Montenegro funksionon me harduer ZTE, që gjithashtu është një situatë e trashëguar. Prioriteti kryesor është ndjekja dhe harmonizimi me rregulloret lokale”, u përgjigjën nga kompania hungareze për Radion Evropa e Lirë.

Kompania hungareze ka shkruar edhe se Memorandumi për mirëkuptim është plotësisht në përputhje me “Planin e Qëndrueshmërisë së Maqedonisë së Veriut 2030” dhe dedikimin e këtij vendi ballkanik në programin “Rrjeti i pastër”.

„4IG“ dhe lidhjet me Huawei-n kinez

Për momentin e vetmja kompani e cila po shfaq interes për një operator të tretë celular dhe që ka nënshkruar memorandum me Qeverinë e Maqedonisë është kompania “4IG”, të cilën mediat hungareze nëpërmjet teksteve hulumtues e konsiderojnë si të afërt me kryeministrin e atjeshëm Viktor Orbán dhe një rreth të ngushtë njerëzish që ai i mban pranë.

Pothuajse pesë muaj para nënshkrimit të Memorandumit me Maqedoninë e Veriut kompania hungareze “4IG” dhe gjiganti kinez Huawei nënshkruan një letër për qëllime për krijimin e një platforme të përbashkët për shërbimet cloud për kompanitë hungareze dhe kompanitë e mëdha kineze dhe aziatike të pranishme në vendet e Evropës qendrore dhe lindore (EQL). Letra e qëllimeve u nënshkrua gjatë vizitës së presidentit kinez Xi Jinping në Budapest nga data 8-10 maj të vitit 2024.

Huawei kinez dhe 4IG hungarez nënshkruan një letër për qëllime për krijimin e një platforme të përbashkët për shërbimet cloud për kompanitë hungareze dhe kompanitë e mëdha kineze dhe aziatike të pranishme në vendet e Evropës qendrore dhe lindore (EQL). Letra e qëllimeve u nënshkrua gjatë vizitës së presidentit kinez Xi Jinping në Budapest nga data 8-10 maj të vitit 2024.

Sipas letrës, Huawei dhe “4iG” do të mundësojnë shërbime të përbashkëta cloud përmes një qendre të veçantë të të dhënave, me infrastrukturë të dedikuar dhe të izoluar dhe thuhet se nuk do të ndikojë në shërbimin ekzistues cloud të “4iG”.

“4IG”: Nuk jemi pjesë e bashkëpunimit mes dy vendeve

Me ndryshimin dhe ardhjen në pushtet të VMRO-DPMNE-së në Maqedoninë e Veriut, Qeveria aktuale ka përforcuar marrëdhëniet me qeverinë hungareze. Në muajin korrik në margjinat e Samitit të NATO-s në Uashington kryeministri Mickoski u takua me homologun e tij hungarez Viktor Orban. Mickoski ka bërë të ditur se kanë rënë dakord për një “bashkëpunim të veçantë ekonomik”, që në këtë fazë nënkupton kredi nga Hungaria për vendin në vlerë prej 500 milionë eurosh.

Në pyetjen e Radios Evropa e Lirë lidhur me atë nëse hyrja eventuale e “4IG” në tregun në Maqedoni mund të interpretohet si pjesë e atij “bashkëpunimi të veçantë ekonomik”, nga kjo kompani u përgjigjën se “ata nuk janë të përfshirë në bashkëpunimin e drejtpërdrejtë midis dy vendeve” dhe se strategjia për rritje dhe zgjerim të “4iG” është plotësisht e pavarur nga çdo iniciativë politike.

“Kjo strategji është vendosur disa vite më parë, në vitin 2020-2021, dhe që atëkohë “4iG” ka bërë me sukses 19 akuizicione. Kompania e këti grupacioni ka filiale në Shqipëri dhe Mal të Zi. Të gjitha këto funksionojnë nën brendin One dhe deri më tani në më shumë se 2,2 milionë familje dhe 400.000 klientë afarist. Akuizicionet e fundit në Hungari e bënë kompaninë “4iG Group” kompaninë e dytë më të madhe të telekomunikacionit në vend, me gjithsej 3 milionë klientë celularë dhe gati 2 milionë klientë të linjës tokësore. Shteti hungarez është një investitor minoritar në kompanitë e telekomunikacionit të “4iG”, por kontrolli dhe menaxhimi profesional-financiar është në duart e menaxhmentit të “4iG””, u përgjigjigjën nga kompania.

Për ish-ambasadorin në Hungari, Igor Esmerov, ky është operatori i tretë apo i katërt celular i pranishëm në 30 vitet e fundit, por ai thotë se asnjëherë nuk është ngritur çështja për ndonjë interes të veçantë, përveç atij komercial dhe respektimin e konkurrencës në treg.

“Mendoj se edhe në këtë rast do të jetë njësoj. Nëse ju kujtohet ne edhe në të kaluarën kemi marrë kredi dhe nuk ka pasur dilema të mëdha. Mendoj se bëhet fjalë vetëm për vendime të biznesit, posaçërisht për shkak se shteti është pronar minoritar dhe nuk besoj se dikush do të kishte punuar pa një strategji financiare dhe fitim të mirëmenduar”, thotë Esmerov.

Më 17 shtator Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut e miratoi Ligjin për kredi nga Hungaria në vlerë prej 500 milionë eurosh.

Ndërkohë  kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se Memorandumi për mirëkuptim i nënshkruar mes kompanisë hungareze “4IG” dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut nuk është obligativ dhe paraqet vetëm një formë të shprehjes së interesit, të cilin mund ta shprehin  edhe kompani të tjera që dëshirojnë të konkurrojnë në procedurën e tenderimit. Ende nuk është marrë vendim se kur dhe nëse do të shpallet tender për një operator të tretë celular.