Kosovë, tre të rinj humbën jetën në aksident pasi ranë me veturë në Liqenin e Badovcit
Tre meshkuj të moshës së re kanë hubur jetën në një aksident pasi ranë me veturë në Liqenin e Badovcit në rrugën Gjilan-Prishtinë, transmeton Anadolu.
Nga Policia e Kosovës konfirmuan se aksidenti me tre viktima ndodhi të shtunën rreth orës 11 të natës.
“Mbrëmë rreth orës 23:00 kemi pranuar informatën se në rrugën Gjilan-Prishtinë ka ndodhur një aksident trafiku me pasoja fatale. Në këtë aksident, ka qenë i përfshirë, një automjet në lëvizje. Si pasojë e aksidentit kanë mbetur të vdekur tre persona. Vdekjen e viktimave e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendngjarje”, tha zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
Policia ka nisur hetim për zbardhjen e rrethanave që kanë çuar deri te ky aksident.
Për këtë rast ka reaguar edhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, i cili u dërgoi mesazh familjarëve të viktimave.
“Me pikëllim të thellë mora lajmin për humbjen tragjike të jetës së tre të rinjve në aksidentin në Liqenin e Badovcit. Këto janë momente të rënda për familjet dhe të afërmit e tyre dhe në këto çaste dhimbjeje, dua t’u shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta. Lutemi që të gjejnë forcën për të përballuar këtë humbje të madhe”, shkroi Rama.