Sërish tensione në Kuvend, deputetët u përplasën me punonjësit e Gardës së Shqipërisë (FOTO)

Tensionet në Kuvendin e Shqipërisë vazhdojnë, pasi edhe në seancën e sotme plenare nuk u zhvilluan diskutimet për projektligjet, raporton Anadolu.

Deputetët e opozitës nga Partia Demokratike (PD) dhe jashtë grupeve parlamentare kanë penguar diskutimet e deputetëve për projektligjet, duke qëndruar në këmbë, bllokuar foltoren, përdorur zhurmues dhe duke u përplasur me punonjësit e Gardës së Shqipërisë.

Zëvendëskryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Ermonela Valikaj Felaj, e cila drejtoi seancën e sotme, u kërkoi deputetëve të opozitës që mos të vazhdonin me bllokimin e diskutimeve të deputetëve.

“Besoj që sjellja juaj sot më shumë sesa në respekt të Kuvendit, do duhej të ndryshonte në respekt të dy ditëve të rëndësishme, siç është Festa e Mësuesit dhe Festa e Gruas”, u shpreh Felaj, duke iu drejtuar deputetëve të opozitës.

Me pankarta në duar me mbishkrimet “Nuk duam parlament monist”, “Vrasës i Demokracisë”, “Demokracia vendoset në zgjedhje” dhe të tjera, deputetët e opozitës kanë qëndruar pranë foltores, duke mos lejuar vazhdimin e diskutimeve në seancën plenare.

Në seancën e sotme ishte parashikuar që të diskutohej për disa projektligje, përfshirë edhe ndryshimet ligjore në Ligjin “Për Turizmin” dhe Ligjin “Për investimet strategjike në Republikën e Shqipërisë”, ndryshime që u miratuan mes tensioneve.

Sipas autoriteteve shqiptare, ndryshimet në Ligjin “Për Turizmin” kanë për qëllim të sigurojnë që ofruesit e shërbimeve turistike të përmbushin kërkesat e turistëve nëpërmjet rritjes në vazhdimësi të cilësisë së ofrimit të shërbimeve në sektorin e turizmit në një mjedis të shëndetshëm e të sigurt dhe duke respektuar nevojat e komuniteteve pritëse.

Ndërkohë, me anë të ndryshimeve në Ligjin “Për investimet strategjike në Republikën e Shqipërisë”, synohet të rritet vlera minimale e projekteve të investimit dhe të detajohet procedura e paraqitjes së dosjes së projektit dhe vlerësimit të saj.

Për shkak të tensioneve, seanca zgjati rreth 33 minuta, ndërkohë nuk u zhvilluan diskutimet për projektligjet në rendin e ditës.

Kujtojmë se deputetët e opozitës nga PD dhe jashtë grupeve parlamentare vazhdojnë bllokimin e diskutimeve në seancat parlamentare dhe komisionet parlamentare, sipas tyre për të kërkuar “respektimin e të drejtave të tyre”.

Qëndrimet e deputetëve të opozitës në seancat e fundit parlamentare janë në vazhdën e tensioneve në Kuvend që në fund të vitit 2023. Seancat e Kuvendit të Shqipërisë në muajit e fundit të vitit të kaluar dhe në fillim të këtij viti u përfshinë nga tensionet pasi sipas deputetëve të opozitës nuk respektohen të drejtat e tyre dhe nuk miratohen në Kuvend nismat dhe kërkesat e tyre.