Sela: Lëvizjet e Taravarit duhet parë me kujdes, ai ka simbolikën e njeriut që shkatërron
Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, i pyetur nëse Arben Taravari do të bëhet pjesë e Frontit Evropian, tha se për këtë fillimisht duhet të ketë qëndrim të qartë vetë Taravari, ndërsa theksoi se lëvizjet e tij duhen parë me kujdes nga Fronti, transmeton Portalb.mk.
Sela tha se nëse Taravari mendon se mund të bashkëpunojë me të gjithë, duhet të jetë i qartë se çfarë jep në shkëmbim.
“Taravari ka simbolikën e një njeriu që ka shkatërruar me sa kohë që ka vepruar në skenën politike. Nuk e ka simbolikën e një njeriu që ka ndërtuar prej momentin që kam krijuar një subjekt politik. Këto lëvizjet e tij natyrisht se duhet parë me kujdes nga ana e Frontit Evropian, sepse politika ka qëndrime. Qëndrimi duhet të bëhet publik, të shprehet. Për mua nuk është qëndrim nëse hyn në këtë që na pret, në garën e radhës të zgjedhjeve lokale, nuk mund të jetë qëndrim që unë do të bashkëpunojë me të gjithë, ose me fjalë të tjera, unë do të marrë nga të gjithë, dhe çka i jep në kthim? Asgjë hiç!”, theksoi Sela.
Sela mohoi t ketë pasur takim me Mickoskin, por deklaroi se ka pasur tentativa për t’u takuar.
“Unë nuk kam pasur takim me z. Mickoski, kur të kem do të jetë publike. Nuk them që s’ka pasur tentativa për t’u takuar. E kam transmetuar atë që unë kam si politikan. Në drejtim të kësaj, unë mendoj sene duhet të ndërtojmë standarde politike, dhe standard në politikë sipas meje, që realisht nuk është që kështu funksionon skena politike sot dhe sidomos në RMV por edhe në rajon, nuk është gënjeshtra, por është e vërteta”, u shpreh Sela.
Arben Taravari dhe Ziadin Sela hynë në konflikt të hapur për koalicionin parazgjedhor me opozitën shqiptare në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të vitit 2024, duke mundësuar funksionimin paralel të dy Aleancave.
Ndërkohë tani është përçarë edhe Aleanca e Taravarit. Arben Fetai i cili ishte pjesë e Taravarit, me një grup personash ka vazhduar të jetë pjesë e Qeverisë, derisa Aleanca është larguar.
Sela ka folur në lidhje me çështjen e shkollës në fshatin Nerovë të Krushevës, e cila është ndërtuar nga banorët e fshatit, por që nuk legalizohet nga autoritetet shtetërore.
“E mira e shkollës është që atje ka 150 nxënës që është e rrallë. Jam si deputet zone për të alarmuar këtë situatë, për t’i bërë apel publik MPB-së që të ndalojë me policinë e vetë për të bërë presion në Nerovë tek fshatarët, pasi kanë me çka merret nëse flasim për objektet ilegale. Për mua shkolla nuk është objekt pa leje, pasi ajo është në interes të qytetarëve, në të cilën ndërtohet jetë dhe e ardhmja. Objektet pa leje janë ato që uzurpojnë hapësirën publike dhe pengojnë qytetarët”, tha Sela.
Sela i bëri thirrje ministrit të Punëve të Brendshme që të mos dërgojë polici në fshat, për siç tha, frikësimin e banorëve.
“Ftoj Ministrinë e Arsimit dhe kryetarin e Komunës së Krushevës që të rregullojnë dokumentacionin e shkollës dhe të vazhdojnë investimin me buxhetin e shtetit, në mënyrë që kjo shkollë të përfundojë dhe nxënësit të kenë kushtet optimale për procesin edukativo-arsimor”, tha mes tjerash Sela.
Në shkollën fillore “Nikolla Karev” të fshatit Nerovë të Komunës së Krushevës është bojkotuar mësimi për shkak të kushteve të mjerueshme për mësim. Prindërit thanë se nuk do të lejojnë fëmijët në shkollë derisa institucionet përkatëse të lejojnë realizimin e punimeve ndërtimore dhe të legalizojnë objektin e ri shkollor që aktualisht po ndërtohet nga vet banorët e fshatit.