Së shpejti fjalë përfundimtare për “Llaskarcë”, avokatët mbaruan me parashtrimin e pyetjeve për ekspertët e superekspertizës së komunikacionit

Pas më shumë se 7 seancave me radhë, avokati i shoferit të autobusit të “Durmo Turs” mbaroi me parashtrimin e pyetjeve ndaj ekspertëve të cilët e kanë përgatitur superekspertizën e komunikacionit për aksidentin tragjik të “Llaskarcës”, i cili ka ndodhur më shkurt të vitit 2019-të dhe në të cilin humbën jetën 16 persona dhe 37 të tjerë u lënduan. Shumë shpejtë, përfunduan me parashtrimin e pyetjeve edhe avokatët e të akuzuarve të tjerë, gjegjësisht të “Durmo Turs” dhe të kontrolluesve teknik, ndërkaq në seancën e radhës pritet edhe prokuroria të deklarohet nëse ka pyetje shtesë, njofton Portalb.mk.

Atmosferë e tensionuar, qindra pyetje të parashtruara dhe po aq edhe ankesa për të mos pranuar parashtrimin e pyetjeve ndaj ekspertëve të superekspertizës. Avokati i shoferit dhe avokatët e “Durmo Turs”, tanimë disa seanca janë në një përballje të hapur për të dëshmuar nëse shoferi është fajtor për aksidentin, apo autobusi ka qenë teknikisht i parregullt.

Për 8 seanca me radhë, avokati i shoferit Lupço Micevski, me qindra pyetje, ka tentuar t’i rrëzojë tezat e ekspertëve të superekspertizës të komunikacionit, të cilët e kanë kryer me urdhër të Gjykatës. Ekspertët, Lupço Apostollov, Nevzat Zekir dhe Jakup Mamuti, disa herë i kanë përsëritur, gjetjet e tyre nga superekspertiza, të cilat kryesisht janë se frenat e autobusit nuk kanë qenë teknikisht në rregull, por ato nuk kanë ndikuar që të ndodh aksidenti, ndërkaq edhe gjendja klimatike dhe gjendja e rrugës nuk ka qenë shkaktar. Faktori kryesor pse ka ndodhur aksidenti, sipas tyre, është shoferi, i cili pavarësisht se ka pasur kohë dhe mundësi nuk ka frenuar fare dhe nuk e ka lëvizur timonin në të djathtë. Nëse do të kishte reaguar shoferi “aksidenti fare nuk do të ndodhte”, thonë ata.

Teorinë e mosreagimit të shoferit kryesisht e mbështesin, në trajektoren e lëvizjes së autobusit, gjegjësisht sipas tyre, dëshmi se shoferi nuk ka lëvizur fare është se autobusi ka lëvizur drejtë në momentin e aksidentit dhe nuk ka kurrfarë shenje frenimi. Në fakt ekziston një gjurmë me numër 6, por ajo sipas tyre, është si pasojë e rezistencave të ndryshme të automjetit, gjegjësisht pneumatikëve, motorit, e kështu me radhë.

Këtë teori, avokati i shoferit, Lupço Micevski disa seanca me radhë po mundohet ta rrëzojë, ashtu siç nuk pajtohej paraprakisht edhe përfaqësuesi i akuzës, Darko Jakimovski, por edhe familjarët e viktimave të aksidentit, duke pretenduar se me këtë dëshirohet të shfajësohet “Durmo” dhe faji t’i mbetet vetëm shoferit.

Micevski, insiston se megjithatë, shoferi nuk ka pasur autobus të rregullt teknikisht dhe arsyeja kryesore aksidentit  është kjo, duke hedhur poshtë pretendimet e superekspertëve.

Për avokatët e “Durmo Turs”, konkludimet e superekspertëve të komunikacionit, janë të pranueshme dhe në përputhje me strategjinë për mbrojtje.

Avokatët Delo Kadiev dhe Lavdrim Seferi, parashtruan disa pyetje, për atë nëse shoferët kanë lajmëruar te transportuesi çfarëdo problemi teknik të autobusit dhe për atë nëse mosreagimi i shoferit ka qenë kyç për aksidentin.

Përgjigjet e ekspertit ishin, ashtu sikur edhe shumë herë më parë se “shoferi ka pasur mundësi dhe kohë”, por nuk ka reaguar dhe kjo është arsyeja kryesore e aksidentit.

Avokati i autorizuar nga të dëmtuarit e aksidentit, parashtruar pyetje të kryqëzuar për atë nëse, autobusi i cili ka pasur parregullsi teknike, është dashur të lëshohet në qarkullim, ndërkaq eksperti Apostollov, ashtu sikur disa herë më parë deklaroi se “edhe një dritë e vetme nëse nuk punon, nuk duhet të lëshohet në qarkullim”.

U kërkua edhe nga Prokuroria që të deklarohet për çështjen e superekspertëve, megjithatë, ata thanë se javën e ardhshme do të deklarohen nëse kanë pyetje shtesë. Pas kësaj, vijojnë fjalët përfundimtare e palëve dhe më pas Gjykata duhet ta shpallë aktakuzën.

Prej 30 majit, tanimë 14 seanca me radhë po pyeten ekipi i ekspertëve që e ka përgatitur superekspertizën e komunikacionit të porositur nga Gjykata Penale e Shkupit. Lupço Micevski, avokat i shoferit të autobusit të aksidentuar, tanimë 8 seanca seanca vazhdon me pyetjet e tij ndaj ekspertit. Paraprakisht, 5 seanca ka parashtruar pyetje prokurori, Darko Jakimovski.

  • 30 maj – Prokuroria ka parashtruar pyetje
  • 6 qershor – u anulua seanca
  • 8 qershor – Prokuroria ka parashtruar pyetje
  • 15 qershor – Prokuroria ka parashtruar pyetje
  • 13 korrik – Prokuroria ka parashtruar pyetje
    Pushim veror
  • 12 shtator – Prokuroria ka parashtruar pyetje
  • 14 shtator – avokati i shoferit ka parashtruar pyetje
  • 19 shtator – avokati i shoferit ka parashtruar pyetje
  • 21 shtator – avokati i shoferit ka parashtruar pyetje
  • 23 shtator – avokati i shoferit ka parashtruar pyetje
  • 12 tetor – avokati i shoferit ka parashtruar pyetje
  • 19 tetor – avokati i shoferit ka parashtruar pyetje
  • 31 tetor – avokati i shoferit ka parashtruar pyetje
  • 7 nëntor – avokatët e të gjithë të akuzuarve kanë parashtruar pyetje

Sipas dinamikës, së deritanishme, palët, shpresojnë që deri në dhjetor të mbarojë procesi i shkallës së parë. Nga ana tjetër, në kalendarin e gjykimeve të Gjykatës Penale, seanca e radhës është caktuar për më 14 nëntor, ndërkaq termini i fundit për seancë gjyqësore është caktuar për më 14 dhjetor.

Aksidenti i autobusit ka ndodhur më 13 shkurt 2019, kur autobusi i “Durmo Tours” i cili lëvizte në linjën e rregullt Shkup-Gostivar doli nga autostrada afër fshatit Llaskarcë. 16 udhëtarë humbën jetën dhe 37 u plagosën. Në këtë proces gjyqësor akuzohen gjashtë persona: pronari i “Durmo Tours”, Durmish Beluli, personi përgjegjës për transport në kompani, Remzi Miftari dhe shoferi i autobusit Manoil Trifunovski, si dhe tre punonjës të stacionit të kontrollit teknik. Tre të parët akuzohen për krime të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në trafik, ndërsa të tjerët akuzohen për bashkëpunim në të njëjtën vepër.

“Durmo Tours” edhe sot vazhdon të punojë dhe të bartë udhëtarë.

GJITHÇKA NË LIDHJE ME RASTIN TRAGJIK LEXO: KËTU.