Sanksionet e amerikane kundër industrisë së naftës së Serbisë u shtynë për herë të gjashtë për 30 ditë të tjera

Zbatimi i sanksioneve të SHBA-së kundër Industrisë së Naftës së Serbisë (INS) është shtyrë për herë të gjashtë me 30 ditë të tjera. Sanksionet e Departamentit të Thesarit të SHBA-së, si pjesë e masave kundër kompanisë ruse Gazpromneft, fillimisht ishin planifikuar të hynin në fuqi më 27 shkurt, por janë shtyrë vazhdimisht që atëherë, transmeton Portalb.mk.

Gazpromneft, një degë e Gazprom, zotëronte rreth 56 përqind të aksioneve të INS, shteti serb kontrollon rreth 30 përqind të pronësisë dhe pjesa tjetër është në pronësi të aksionarëve të pakicës.

Në vend të Gazpromneft, aksionet shumicë në INS tani janë marrë nga Gazprom, i cili nuk mbulohet nga sanksionet globale të SHBA-së.

Gazpromneft bleu 51 përqind të aksioneve të INS në vitin 2008, pa tender, për 400 milionë euro, dhe ekspertët paralajmëruan se shitja ishte “e nënvlerësuar”. Vendimi për të vendosur sanksione ndaj kompanive ruse të energjisë – Surgutneft dhe Gazpromneft dhe degëve të tyre, me qëllim uljen e të ardhurave të Moskës nga shitja e burimeve energjetike që financojnë luftën në Ukrainë, u mor nga Departamenti i Thesarit i SHBA-së më 10 janar.

Që nga janari, negociatat kanë vazhduar në trekëndëshin Uashington, Beograd dhe Moskë – dhe vonesa të vazhdueshme – në lidhje me vendosjen e sanksioneve amerikane ndaj INS, kompanisë kryesore për furnizimin e qytetarëve serbë me derivate të naftës, por edhe një nga më të rëndësishmet për produktin e brendshëm bruto dhe buxhetin e shtetit.

Vendimi për zbatimin e sanksioneve ndaj INS është shtyrë deri më 26 shtator.

“Qëllimi përfundimtar është heqja e INS nga lista e sanksioneve të Zyrës së Kontrollit të Aseteve të Huaja (OFAC) të Departamentit të Thesarit të SHBA-së, i cili është një proces që nuk varet nga Serbia”, tha Dubravka Dedoviq Handanoviq, ministre e Minierave dhe Energjisë, pas shtyrjes së gjashtë të sanksioneve të SHBA-së.