Samiti i Tiranës shihet si mundësi edhe për “pajtimin” Kurti-Rama

Me gjithë mosmarrëveshjet aktuale mes Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, të cilat u konfirmuan gjatë vizitës së kryeministrit Edi Rama në Prishtinë, njohës të integrimeve presin që ato të tejkalohen deri në tetor, kur në Tiranë do të mbahet Samiti i radhës në kuadër të Procesit të Berlinit. Me gjithë entuziazmin e proklamuar me inicimin e kësaj nisma, disa marrëveshje të nënshkruara në samitet e kaluara, ende nuk kanë gjetur zbatim, raporton Koha.net.

Në kulmin e përplasjeve mes Kosovës e Serbisë po synohet t’i jepet shtytje Procesit të Berlinit, i cili në thelb të idesë ka tejkalimin e problemeve mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe përshpejtimin e rrugës së tyre drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

Mospajtimet u manifestuan edhe gjatë turit të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, i cili do të jetë nikoqir i samitit të radhës në Tiranë.

Gjatë vizitës në Kosovë, atë refuzoi ta presë kryeministri Albin Kurti pas anulimit njëanshëm që Rama ia bëri mbledhjes mes dy qeverive.

Por njohës të integrimeve evropiane presin që pavarësisht kësaj, samiti i ardhshëm të jetë i suksesshëm.

Jam i bindur se mosmarrëveshjet momentale mes Kosovës e Shqipërisë nuk do të ndikojnë në suksesin e samitit të ardhshëm, pasi që në nivelin teknik Kosova është duke kontribuar thelbësisht në kuadër të Procesit të Berlinit dhe jam po ashtu i bindur se gjatë ditëve dhe javëve në vijim zotëri Kurti dhe zotëri Rama do të gjejnë mënyra për të sqaruar mosmarrëveshjet mes tyre”, ka thënë Demush Shasha nga Instituti EPIK.

Ndërkaq Safet Berisha vlerëson se deri në mbajtjen e Samitit do të tejkalohen problemet aktuale mes Kurtit e Ramës.