“Safe City” në Çair: Kamerat gati për gjoba, por semaforët s’punojnë prej pesë vitesh
Ka pesë vite që semaforët në bulevardin “Hristijan Todorovski Karposh” në Çair janë të dëmtuar dhe jofunksional. Këta semaforë nuk janë thjesht pajisje sinjalizuese, por monumente jofunksionale që dëshmojnë neglizhencën institucionale. Ndërsa shteti po zbaton projektin e kamerave të “Qytetit të sigurt” (Safe City) për të ndëshkuar shkelësit, banorët e Çairit pyesin: Si mund të kërkohet siguri nga shoferët, kur institucionet dështojnë të sigurojnë dritën e kuqe? Sipas tyre, është e padrejtë që qytetari të ndëshkohet ku siguria mbetet në dorë të fatit dhe reflekseve, e jo të rregullave teknike, shkruan Portalb.mk.
Heshtja e institucioneve dhe “150 pikat e zeza”
Qytetarët e revoltuar theksojnë se zbatimi i ligjit për gjobitje përmes kamerave është i pakuptimtë pa u rregulluar më parë infrastruktura bazë.
Portalb.mk iu drejtua Komunës së Çairit dhe Qytetit të Shkupit për të kërkuar një plan konkret për riparimin e këtyre semaforëve, por përgjigja nuk kemi marrë.
Megjithatë, kujtojmë se ditë më parë kryetari i Shkupit, Orce Gjorgjievski pranoi publikisht se udhëkryqi në Çair është vetëm një nga 150 pikat e zeza nëpër qytet.
“Një nga pikat e zeza në të cilat po punojmë ta zgjidhim si problem është pika për të cilën ju po flisni. Ndërmarrja Publike ‘Rrugë dhe Rrugica’ ka marrë tashmë urdhër dhe duhet ta zgjidhë këtë problem”, deklaroi Gjorgjievski.
Por, edhe pas pesë ditëve pas kësaj deklarate, semafori nuk punon.
Deri sa urdhri i kryetarit të përkthehet në punë konkrete në terren, banorëve të Çairit u mbetet të vozisin në pasigurinë e një bulevardi me semaforë të prishur.

Ndryshe, edhe në qytetit e Kumanovës dhe Tetovës, semaforët janë të dëmtuar dhe jofunksional.
Deri më tani, janë regjistruar mesatarisht nga 5.000 shkelje në javë nga sistemi “Qyteti i Sigurt” në gjithë Maqedoninë. Nga numri i përgjithshëm i shkeljeve të regjistruara, mesatarisht 33 janë për kalimin në sinjal të mbyllur (semafor të kuq).
Kujtojmë se me ndryshimet në Ligjin për Kundërvajtje, ky sistem në RMV hyri në fuqi më 1 shkurt 2026. Në fazën e parë realizohet në Shkup, Tetovë, Kumanovë dhe Korridoret 8 dhe 10 kurse ka plane të vendoset edhe në Strugë dhe Ohër. Ligji u ankimua me katër lëndë në Gjykatën Kushtetuese nga opozita shqiptare duke cekur se ka shumë mangësi. Po ashtu, dhe qytetarët në një anketë online të Portalb.mk u shprehën të shqetësuar për mangësitë e sistemit.
- LEXO: 4.490 shkelje në trafik për një javë përmes “Qytetit të Sigurt”
- LEXO: Në dy qytete të tjera po përgatitet futja e sistemit “Qyteti i Sigurt”, kur do të fillojnë punët?
- LEXO: Ironia në Kumanovë: do të dënohesh nga kamerat e “Safe City” për gabimet e semaforëve që s’punojnë (VIDEO)
- LEXO: Udhëkryq problematik: ‘Qyteti i Sigurt’ në Tetovë dënon edhe nëse kalon semaforin në të gjelbër, gjobat mund të rishikohen në polici (Video)
- LEXO: Qyteti i Sigurt’ me shumë mangësi, qytetarët kërkojnë ndryshime: Ide e mirë, zbatimi problematik