Rustemi: Ndërtimi i rrugës Tetovë-Prizren është në fazën e zgjedhjes së projektuesit për tunelin 6,4 kilometra

Drejtori i Ndërmarrjes Publike Rrugët Shtetërore të Maqedonisë, Ejup Rustemi, sot ka deklaruar se procedura e ndërtimit të rrugës Tetovë-Prizren është në fazën e zgjedhjes së projektuesit për ndërtimin e tunelit 6,4 kilometra mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, njofton Portalb.mk.

“Sa i përket rrugës Tetovë-Prizren ne nënshkruam memorandum bashkëpunimi mes Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Qeverisë së Kosovës, me të cilin formuam komision ekspertësh dhe bëmë analizimin e fizibilitetit për ndërtimin e rrugës Tetovë-Prizren. Pasi u zgjodh traseja nëpër të cilën do të ndërtohet si rrugë mes Tetovës dhe Prizrenit, ajo trase ka një tunel të përbashkët i cili është 6,4 kilometra. Në vet faktin se është tunel i përbashkët mes dy shteteve ne jemi në fazën, tani bashkë me Ministrinë e Transportit, në përpilimin e marrëveshjes mes Ministrisë së Transportit dhe Ministrisë së Transportit [të Maqedonisë së Veriut] dhe Ministrisë së Transportit dhe Ekologjisë të Kosovës, për zgjedhjen e projektuesit të përbashkët, cilat do të jenë detajet, në çfarë mënyre do të zgjedhet, si do të bëhet pagesa e projektuesit vetëm për tunelin, pasi që është tunel i përbashkët”, tha Rustemi.

Ai shtoi se në momentin që do të nënshkruhet marrëveshjen, do të fillojnë edhe procedurat për zgjedhjen e projektuesit të rrugës Tetovë-Prizren.

“Ne shpresojmë që punë ditësh do të jetë harmonizimi i kësaj marrëveshjes dhe të fillojnë procedurat tjera për zgjedhjen e projektuesit”, u përgjigj Rustemi në pyetjen shtesë të gazetarit të Portalb.mk, në lidhje me afatin kohor.

Në mars të këtij viti, zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi në emisionin “Debat Plus”, në televizionin kosovar “Dukagjini”, deklaroi se rruga Tetovë-Prizren nuk ka mundësi të realizohet shpejtë, gjegjësisht në tre vitet e ardhshme.

Deklarata e Grubit e hedh poshtë premtimin e kryeministrit Kurti, i cili bashkë me kandidatin e Vetëvendosjes për kryetar të Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka (i cili nuk i fitoi zgjedhjet) më 13 nëntor të vitit 2021 gjatë fushatës parazgjedhore e publikuan një video në të cilën e kanë prezantuar projektin për rrugën Prizren – Tetovë, ndërkaq kanë premtuar që brenda 2-3 vitesh do të mbarojë tërësisht.

Grubi, në lidhje me projektuesin, tha se Maqedonia e Veriut e ka marrë përsipër ta bëjë projektimin dhe është çështje javësh se kur do të shpallet tenderi për zgjedhjen e projektuesit, ndërkaq më pas duhet të gjenden mjete për realizimin e saj.

Ndryshe, ashtu siç njoftoi Portalb.mk, Qeveria e Maqedonisë së Veriut, e ka miratuar trasenë nëpër të cilën do të duhet të kalojë rruga e premtuar Tetovë-Prizren. Gjatësia e rrugës, sipas studimit të fizibilitetit i cili është bërë në vitin 2013-të, duhet të jetë 40.6 kilometra dhe do të lidhet me tunel prej 6.4 kilometra. Varianti i zgjedhur është më i shtrenjtë sesa ai që rekomanduan ekspertët të cilët e kanë bërë analizën e arsyetimit ekonomik. Ata kanë rekomanduar që traseja më e favorshme është varianti me tunel prej 3.2 kilometra.

Të gjitha variantet për rrugën Tetovë - Prizren
Të gjitha variantet për rrugën Tetovë – Prizren

Në lidhje me këtë, nga Qeveria sqaruan se është zgjedhur ky variant për shkak përparësisë së lidhjes me Qendrën e Skijimit Kodra e Diellit dhe strukturës moderne rrugore (të asfaltuar) e cila ka nevojë vetëm për rikonstruim.

BDI rrugën Tetovë-Prizren e premtoi në katër palë zgjedhje parlamentare

Pavarësisht se rruga do të duhej të fillonte në vitin 2014-të dhe të mbaronte në vitin 2018-të, partia shqiptare në pushtet, BDI ndër vite ka premtuar realizimin e të njëjtës. Portalb.mk, ka bërë një përmbledhje të premtimeve, ndër vite edhe pse kjo parti i ka fshirë programet me premtime parazgjedhore nga ueb-faqet:

  • 2011

Programi “Bashkë drejt qëllimit”, 2011

“Rruga Tetovë-Prizren. Studim fizibilitet për të analizuar mundësinë e një rruge të re që mund të lidhë këto dy vendbanime dhe arsyeshmërinë ekonomike”.

  • 2014

Programi zgjedhor 2014

Rruga Tetovë-Prizren. Studimi i parë i fizibilietit për këtë rrugë ka përfunduar. Bazuar në rezultatet e studimit do të shqyrtohen alternativat më të arsyeshme ekonomike, në bashkëpunim me Kosovën

  • 2016

Zgjedhje 2016 – Në programin parazgjedhor të BDI-së për zgjedhjet parlamentare të vitit 2016, në pjesën “Transport” (faqe 3), është premtim i dhënë për ndërtimin e rrugës Tetovë-Prizren.

  • 2020

Programi i BDI-se zgjedhje parlamentare 2020:

Rruga Tetovë – Prizren. Ky projekt do të jetë në vlerë prej 40 milion-60 milion euro, mjete që do të sigurohen nga buxheti i shtetit dhe Banka Botërore. Realizimi i këtij projekti do të ketë një ndikim të madh në zhvillimin ekonomik të zonës, shkëmbimin tregtar në mes dy vendeve, qasjen më të shpejtë për dalje në det (porti i Lezhës dhe i Durrësit), zhvillimi i turizmit në Kodrën e Diellit, etj.

Aktualisht prej Tetovës në Prizren, rruga është 109 kilometra, ndërkaq me rrugën e re parashikohet të shkurtohet për 69 kilometra, gjegjësisht kjo rrugë do të jetë e gjatë 40.6 kilometra.