Gjermania dhe Franca ndërmjetësojnë në krizën e Kosovës
Zëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Hebelstreit bëri të ditur në Berlin se në kuadër të samitit të dytë të Komunitetit Politik Europian, që zhvillohet të enjten në kryeqytetin e Moldavisë, Kishinau, kancelari gjerman, Olaf Scholz do të zhvillojë bisedime së bashku me presidentin francez, Macron me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe presidentin Vuçiq për gjendjen aktuale në veriun e Kosovës, transmeton DW.
Scholz dhe Macron zhvillojnë bisedime edhe me presidentin Vuçiq, i cili para samitit në Kishinau ka thënë se hapi i parë për uljen e tensioneve do të ishte tërheqja e “gjoja kryetarëve” të komunave nga veriu. Ai i bëri thirrje autoriteteve të Kosovës të tërheqin kryetarët e bashkive. Ky hap do të ishte hapi më i fuqishëm, ka kërkuar Vuçiq.
Presidenti francez, Emmanuel Macron në kuadër të takimit në Kishinau e ka quajtur zhvillimin e zgjedhjeve lokale në veri një gabim. Macron ka thënë, se ka një përgjegjësi të qartë të autoriteteve kosovare për situatën aktuale.
Autoritetet e Kosovës kanë fajësuar “bandat kriminale serbe”, të dirigjuara nga Beogradi, për tensionet në veriun e vendit, të banuar me shumicë serbe.
“Presidenti Vuçiq duhet të ndalojë së mbështeturi bandat kriminale nëse ai vërtet dëshiron paqen”, tha ajo. “Ai ende nuk e ka treguar këtë.”
Vuçiq e ka hedhur fajin te kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Ai, të enjten u bëri thirrje autoriteteve të Kosovës që t’i tërheqin, siç i quajti ai, “kryetarët e supozuar” nga komunat me shumicë serbe në veri, për t’i ulur tensionet që kanë shkaktuar dhunë.
Duke folur pas mbërritjes në një samit të Komunitetit Politik Evropian në Moldavi, Vuçiq tha se një hap i tillë do të ishte “lëvizja më e fuqishme” për zgjidhjen e krizës.
Në një postim në llogarinë e tij në Instagram, Vuçiq tha se nuk pret takime të lehta me udhëheqësit evropianë në Moldavi.
“Është e rëndësishme që ne të përpiqemi të ruajmë paqen dhe stabilitetin”, tha mes tjerash presidenti serb.