Rusia kërcënoi Ukrainën: përdorimi i raketave ATACMS është gabim i rëndë

Forcat ukrainase përdorën për herë të parë raketa me rreze të gjatë ATACMS, të furnizuara nga SHBA, duke shkaktuar dëme të rënda në dy zona të pushtuara nga Rusia. Presidenti i Ukrainës, Zelensky, tha se armët “e kishin dëshmuar veten”, shkruan Euractiv, transmeton Portalb.mk.

Ushtria e Ukrainës gjatë ditës kishte raportuar sulmet e suksesshme dhe me saktësi të madhe në fushat ajrore pranë Luhanskut, që është në lindje të Ukrainës, dhe në Berdiansk në jug, në Detin Azov, të dyja nën kontrollin e Rusisë.

“Sot, një falënderim i veçantë për Shtetet e Bashkuara. Marrëveshjet tona me Presidentin Biden janë duke u zbatuar. ATACMS dëshmuan të kenë saktësi të madhe”, tha Zelenksy në fjalimin e tij.

Ambasadori i Federatës Ruse në SHBA, Anatoly Antonov, të mërkurën tha se vendimi i Shteteve të Bashkuara për të dërguar ATACMS në Ukrainë ishte gabim i rëndë që do të ketë pasoja të rënda.

“Pasojat e këtij hapi, i cili qëllimisht u fsheh nga publiku, do të jenë të natyrës më serioze”, deklaroi Antonov, duke thënë më pas se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të nxisin konflikt midis NATO-s dhe Rusisë.”

Ukraina i kishte kërkuar vazhdimisht administratës amerikane ATACMS (Army Tactical Missile Systems). Nga Kievi deklaruan se nuk do t’i përdorin ato brenda territorit të Rusisë, por thanë se këto armë do të ndryshojnë rrjedhën e kësaj lufte 20 mujore.

Përdorimi i këtyre raketave do t’u mundësonte forcave të Ukrainës t’i bllokojnë linjat e furnizimit, bazat ajrore dhe rrjetet hekurudhore të përdorura nga Rusia në territoret e pushtuara më parë, thanë zyrtarë të lartë.

Forcat Speciale të Ukrainës, në fillim nuk i përmendën ATACMS, vetëm thanë forcat ruse kishin pësuar humbje të mëdha, se kishin shkatërruar nëntë helikopterë, një lëshues raketash, pistat dhe pajisje të tjera.

Komentet e Zelenskyt shënojnë përdorimin e parë të konfirmuar të ATACMS në Ukrainë, të cilët mund të gjuhen deri në 310 km largësi. Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës premtoi në platformën X (Twitter), se së shpejti do të kishte “edhe më shumë lajme”.

“Siç mund ta shihni, tani është e mundur të gjuajmë në mënyrë të përsosur, me saktësi të madhe, duke mos i lënë aspak hapësirë armikut,” tha zëdhënësi i Forcave Ajrore të Ukrainës, Jurij Inat për televizionin kombëtar.

Partnerët perëndimorë të Kievit kanë qenë të kujdesshëm në lidhje me furnizimin me raketa me rreze të gjatë, të nevojshme për kundërofensiven katërmujore, nga frika se kjo do të provokonte Kremlinin. Nuk është e qartë se sa raketa ATACMS ka Ukraina.

Këshilltari presidencial i Ukrainës Majkhelo Podojak tha se një kapitull i ri i luftës ka filluar.

“Nuk ka më vende të sigurta për trupat ruse brenda … kufijve të njohur ndërkombëtarisht të Ukrainës,” shkroi ai në X.

Blogerët ushtarakë rusë komentuan sulmet gjatë ditës në kanalin Telegram Fighterbomber, duke thënë se forcat ruse kishin pësuar humbje të personelit dhe pajisjeve në sulmet e kryera me ATACMS.

CNN citoi dy zyrtarë të paidentifikuar amerikanë, sipas të cilëve Uashingtoni kishte dorëzuar fshehurazi ATACMS në Kiev.

Wall Street Journal tha se Ukraina i kishte përdorur ATACMS për herë të parë të martën.

Që nga fillimi kundërofensivës në qershor, Kievi ka sulmuar shpesh zonat ushtarake në territoret e pushtuara nga Rusia, por nuk ka arritur të çlirojë një territor të rëndësishëm.

Oleksandër Shtupun, zëdhënës i grupit jugor të forcave të Ukrainës, i tha televizionit kombëtar se Rusia nuk e ka ndërprerë sulmin njëjavor në qytetin e shkatërruar të Avdivka-së në lindje, ku forcat ukrainase janë përballur me 10 sulme.

Shtupun gjithashtu tha se forcat ukrainase që përparonin drejt jugut, në Detin Azov, kishin reportuar “sukses të pjesshëm” në perëndim të Verbov, që është njëri nga një grup fshatrash që po përpiqen t’i pushtojnë.

Ushtria ukrainase tha se Rusia shpresonte të përparonte sa më shumë që të ishte e mundur drejt qytetit të Kupiansk në verilindje të Ukrainës para dimrit.

Ndryshe, SHBA para një jave ka deklaruar se do i dhurojë Ukrainës deri në 200 milionë dollarë ndihmë ushtarake shtesë. Ukraina ka kërkuar ndihmë edhe nga NATO tani që afrohet periudha e dimrit. Një numër postesh manipuluese për NATO-në janë shpërndarë nëpër rrjete sociale këtë muaj, me çrast sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Stoltenberg, mbajti një fjalim ku u shpjegua se NATO nuk përbën aspak kërcënim për botën, se “që nga fillimi i pushtimit ushtarak, Rusia ka dalë me shpjegime dhe justifikime të ndryshme të rreme për agresionin e saj”.