Rusia e paraqet pavarësinë e Kosovës si ‘grusht shteti’ për të justifikuar agresionin në Ukrainë
Ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov, së fundi e riktheu narrativën e njohur përmes së cilës tenton ta paraqesë pavarësinë e Kosovës si një “grusht shteti” të vitit 2008 dhe e krahasoi me luftën në Ukrainë — duke pretenduar se Perëndimi përdor instrumente të njëjta për të “marrë tokë” dhe për të ndryshuar kufijtë me forcë. Në një deklaratë për mediat ruse, e cila u transmetua edhe nga media pro-pushtetit në Serbi, që nxisin narrativa kundër Kosovës, Lavrovi foli për gjoja shkelje të rënda të së drejtës ndërkombëtare në rastin e Kosovës, tek tërhoqi analogji me Ukrainën, shkruan Sbunker.
“E dini, ata donin t’ua merrnin Kosovën serbëve. Dhe e bënë këtë, në thelb, duke kryer një grusht shteti në vitin 2008, sepse njohja e njëanshme e pavarësisë së Kosovës shkeli rëndë të gjitha dispozitat e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e cila përcaktonte parametrat e shtetësisë serbe, përfshirë edhe Kosovën. Ata e njohën Kosovën, duke kryer kështu një grusht shteti, u morën serbëve tokat e tyre historike, të cilat shoqërohen me lindjen e fesë ortodokse të të gjithë popullit serb dhe shumë më tepër”, tha ministri rus. Ai shtoi se në mënyrë të ngjashme, pas grushtit të shtetit në Ukrainë në vitin 2014, ata vendosën t’ia merrnin atdheun popullit rus.
“Ata vendosën gjithashtu t’ua heqin historinë njerëzve të Krimesë, Donbasit dhe Novorossijës“, theksoi Lavrov në intervistën ku foli për takimin e Alaskës mes presidentit të SHBA-së, Donald Trump dhe Vladimir Putinit.
Argumentet që mohojnë pretendimet e Kremlinit
Por faktet dhe argumentet juridike e demantojnë Lavrovin kur thotë se pati grusht shtet në Kosovë.
Rezoluta 1244 (10 qershor 1999) vendosi praninë e përkohshme të OKB/UNMIK dhe KFOR-it në Kosovë ku përcaktoi mekanizmat për administrim ndërkombëtar. Por nuk përbënte një dispozitë absolute që e ndalonte diskutimet për statusin përfundimtar të Kosovës në mënyrë politike e diplomatike.
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (ICJ) në vitin 2010 e shqyrtoi ligjshmërinë e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës dhe në Opinionin Këshillëdhënës të saj të datës 22 korrik 2010 arriti në përfundimin se vetë deklarata e 17 shkurtit 2008 nuk shkel të drejtën ndërkombëtare. Gjykata i hodhi poshtë pretendimet atëkohë të Serbisë se deklarata e pavarësisë e paligjshme. Ky është një fakt kyç që rrëzon tezën se pavarësia e Kosovës ishte thjesht “grusht shteti” i Perëndimit.
Lavrov përpiqet ta paraqesë çfarë ndodhi me Kosovën si precedent që “justifikon” pretendimet e Rusisë në Ukrainë (Krime, Donbas, Novorossija). Por bëhet fjalë për dy rrethana shumë të ndryshme.
Në rastin e Krimesë (2014) dhe pjesërisht në lindje të Ukrainës, Rusia veproi ushtarakisht duke vendosur forca, duke organizuar referendume nën prezencë ushtarake dhe më pas duke aneksuar territorin, veprime këto që u konsideruan nga shumica e vendeve ndërkombëtare si shkelje e integritetit territorial të Ukrainës. OKB-ja dhe shumica e shteteve e kundërshtuan aneksimin, si dhe Asambleja e Përgjithshme miratoi rezoluta që konfirmojnë integritetin territorial të Ukrainës. Këto kanë qenë reagime ndërkombëtare të qarta ndaj një ndërhyrjeje ushtarake.
Në anën tjetër, akti i pavarësisë së Kosovës erdhi pas vrasjeve dhe dëbimeve që shkaktoi ish-regjimi i Slobodan Millosheviqit që solli intervenimin humanitar të NATO-s; administrimin ndërkombëtar dhe proceset diplomatike, përfshirë negociatat për statusin përfundimtar në rastin e Kosovës. Për rrjedhojë, paraqitja e Kosovës si “model” i një pushtimi të koordinuar nga ana e Perëndimit është manipulim i ngjarjeve historike. Pra krahasimi i Lavrovit shkel dallimet e rëndësishme midis një procesi të gjatë politik-diplomatik në rastin e Kosovës deri në shpalljen e pavarësisë, ku janë marrë përsipër garanci për mbrojtjen e identitetit fetar e kulturor serb dhe një aneksimi ushtarak direkt nga Rusia në rastin e Krimesë.
Pse Rusia e ripërdor çështjen e Kosovës?
Analiza kredibile dëshmojnë se dezinformatat dhe retorika e Kremlinit e përdor Kosovën për qëllime strategjike dhe propagandistike. Kur Rusia tenton të justifikojë veprimet e veta ose të zhvendosë vëmendjen nga agresioni, ajo ringjall një narrativë që paraqet Perëndimin si hipokrit dhe si “pushtues” historik duke përmendur Kosovën si shembull. Duke folur për supozime të padrejta ndaj Kosovës, Rusia tenton të “barazojë” fajin dhe të relativizojë përgjegjësinë e saj për pushtimin e Ukrainës. Mbrojtja aktive e Serbisë dhe ushqimi i opinionit publik me narrativën e krimit ndaj serbëve bëhet me qëllim të rritjes së influencës ruse në rajon përmes forcimit të aleancave me aleatët e saj në Ballkan.
Pra, për Rusinë, përmendja e Kosovës nuk ka vetëm domethënie ligjore por është instrument propagandistik.
Deklaratat e Lavrovit që lidhin Kosovën me Ukrainën nuk kanë qëllim të sqarojnë historinë por kanë qëllime të qarta politik: të delegjitimojnë Perëndimin, të shmangin përgjegjësinë ruse dhe të forcojnë narrativat që i shërbejnë interesave strategjike të Moskës në Ballkan.
