Rusia e njohu Grenlandën si territor të Danimarkës

Rusia e ka pranuar sot statusin ligjor të Grenlandës si territor të Danimarkës, transmeton Portalb.mk.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, deklaroi se Moska vepron mbi bazën se Grenlanda është pjesë e Mbretërisë së Danimarkës dhe se po e ndjek nga afër situatën rreth ishullit.

Ai theksoi se Danimarka dhe Grenlanda kanë mohuar çdo qëllim për ta shitur territorin.

Sipas Peskovit, nga Uashingtoni janë dëgjuar deklarata për një ofertë monetare për blerjen e Grenlandës “në një formë apo tjetër”.

Ai e përshkroi situatën rreth Grenlandës si të pazakontë dhe madje të jashtëzakonshme nga këndvështrimi i së drejtës ndërkombëtare.

Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar disa herë se dëshiron ta marrë ishullin dhe nuk ka përjashtuar mundësinë e veprimeve ushtarake.

Danimarka dhe Grenlanda i kanë refuzuar këto propozime dhe kanë riafirmuar sovranitetin danez mbi ishullin.

Ndërkohë, Ministria e Jashtme e Rusisë njoftoi se do të vazhdojë forcimin e kapaciteteve mbrojtëse në Arktik.

Ajo vlerësoi se përmendja e “aktiviteteve ruse dhe kineze” rreth Grenlandës si arsye për përshkallëzim është e papranueshme.