Mickoski: Vendi pret lajme të mira nga Amerika

Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi sot se pret “lajme të mira” për qytetarët e vendit në lidhje me vizat për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, transmeton Portalb.mk.

Ai sqaroi se pezullimi aktual nuk ka të bëjë me të gjitha llojet e vizave, por vetëm me ato imigruese, ndërsa vizat turistike dhe studentore, siç tha ai, vazhdojnë të lëshohen pa asnjë pengesë.

Mickoski i bëri thirrje publikut për durim dhe paralajmëroi se në ditët në vijim do të pasojnë informacione që, sipas tij, do t’i konfirmojnë marrëdhëniet e mira mes Maqedonisë së Veriut dhe SHBA-së.

“Mendoj se në ditët që vijnë do të ketë lajme të mira për qytetarët e Maqedonisë kur bëhet fjalë për këtë lloj marrëdhëniesh me partnerin tonë strategjik. Unë do të isha i kujdesshëm dhe i durueshëm”, deklaroi Mickoski.

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, dje deklaroi se Shkupi është në komunikim me Uashingtonin pas vendimit të fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit për ta futur Maqedoninë në listën e vendeve për të cilat është pezulluar lëshimi i vizave imigruese.

Administrata e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, ka pezulluar përpunimin e vizave të emigrantëve për qytetarët e 75 vendeve, raporton Fox News, duke cituar një dokument nga Departamenti i Shtetit.

Lista e publikuar e vendeve të prekura të raportuara nga mediat lokale përfshin, siç shkruhet, Maqedoninë, së bashku me vende nga Evropa, Azia, Afrika dhe Amerika Latine. Midis tyre janë Rusia, Irani, Afganistani, Brazili dhe Nigeria.

Vendet e Ballkanit në listë, përveç vendit tonë, janë Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi dhe Kosova.