Rusia bën propagandë me deklaratën e Macronit të vitit 2019, e akuzon NATO-n për Kosovën

Ministria e Jashtme e Rusisë e ka vendosur sërish Kosovën në qendër të sulmeve të saj kundër Perëndimit dhe NATO-s, nëpërmjet një deklarate për media. Ajo u shpërnda edhe nga mediat në Serbi, të njohura për promovimin e narrativave pro-Kremlinit. Pa asnjë lidhje reale me zhvillimet aktuale në terren, Moska vijon ta përdor Kosovën si argument rezervë për të justifikuar narrativën e saj mbi Ukrainën duke ricikluar teza të vjetra dhe të pavërteta për gjoja “precedentin e rrezikshëm” që, sipas saj, Perëndimi e krijoi në vitin 2008, shkruan Sbunker.

Këtë herë, propaganda ruse është paketuar përmes një deklarate ku përzihen citime jashtë kontekstit, interpretime të shtrembëruara të së drejtës ndërkombëtare dhe krahasime të rreme mes Kosovës dhe agresionit rus në Ukrainë. Kjo është një formulë e njohur përmes së cilës Rusia synon t’i relativizojë shkeljet që vetë i ka bërë e të cilat janë konstatuar edhe nga organizata ndërkombëtare.

Deklarata i referohet një komenti të presidentit francez Emmanuel Macron, i cili në vitin 2019 e kishte përshkruar NATO-n si një aleancë në “vdekje të trurit”. Në narrativën ruse, ky citim shndërrohet në dëshmi se NATO-ja është një organizatë e vjetruar dhe destabilizuese. Por ajo që Moska nuk përmend është se Macron kishte folur për mungesën e koordinimit politik në atë kohë dhe se nuk e kishte vënë në pikëpyetje legjitimitetin apo rolin e aleancës. Sipas Macronit, aleatët duhej të përqendroheshin më shumë në gjeopolitikë sesa çështjet e buxhetit. Pikërisht agresioni rus ndaj Ukrainës e ka bëri NATO-n më të fortë dhe më të bashkuar duke sjellë edhe zgjerimin e saj me vende që deri vonë kishin zgjedhur të ishin neutrale.

Në qendër të deklaratës ruse qëndron pretendimi se njohja e pavarësisë së Kosovës nga një pjesë e vendeve perëndimore ka minuar parimin e integritetit territorial dhe ka shkelur Kartën e OKB-së.

Një nga simptomat e para të kësaj sëmundjeje (të cilën e përmendi Macroni) ishte njohja e deklaratës së njëanshme të pavarësisë së provincës serbe të Kosovës, e cila u bë në vitin 2008 nga një numër vendesh perëndimore, të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara. Kjo krijoi një precedent flagrant të shkeljes së rëndë të normave dhe parimeve themelore të së drejtës ndërkombëtare, kryesisht të Kartës së OKB-së”, thuhet në deklaratën e ministrisë së Jashtme ruse.

Brenda së njëjtës narrative e përfshinë edhe çështjen e Grenlandës, për të cilën ShBA-ja shprehu synimin ta marrë nën kontroll.

Sipas MPJ-së ruse që nga 2018-ta kur Kosova e deklaroi pavarësinë, Perëndimi e minoi parimin e integritetit territorial, të cilin tani e ka rikthyer në kontekstin e Grenlandës.

Nën rolin proaktiv të të ashtuquajturit Perëndim kolektiv, shtyllat e tjera të rendit juridik ndërkombëtar vazhdojnë të shkatërrohen. Megjithatë, NATO-s do t’i duhet të  korrë ende frytet  e politikës së saj keqdashëse dhe të dëmshme”shkruan tutje ministria e jashtme ruse.

Ky është një nga argumentet më të përdorura nga diplomacia ruse, ku brenda një narrative e përfshin NATO-n dhe Kosovën, tek i mënjanon faktorët që kishin çuar fillimisht në intervenimin humanitar të aleancës veri-atlantike në vitin 1999 dhe më pas vendosjen e administratës ndërkombëtare, mbështetur në rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara.

Serbia kishte humbur kontrollin efektiv mbi territorin e Kosovës, ndërsa procesi politik që çoi deri në shpalljen e pavarësisë u zhvillua nën mbikëqyrjen dhe koordinimin e aktorëve ndërkombëtarë, pasi ishin shteruar të gjitha mundësitë diplomatike për gjetjen e një zgjidhjeje që do të pranohej nga Serbia e Rusia.

Në vitin 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND), në përgjigje të kërkesës së Serbisë përkitazi me ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë, e bëri të qartë se akti nuk shkelte të drejtën ndërkombëtare. Ky opinion këshillimor është një fakt juridik që Kremlini e injoron vazhdimisht kur tenton ta sulmojë perëndimin, sepse rrëzon narrativën e tij që e paraqet Kosovën si “krim juridik”.

Përpjekja për ta krahasuar Kosovën me Ukrainën është shtrembërimi më i madh që Rusia e ka bërë, qëkur e sulmoi atë në shkallë të gjerë. Ukraina është një shtet sovran, i njohur ndërkombëtarisht, territorin e të cilit Rusia e ka pushtuar ushtarakisht dhe pjesërisht e ka aneksuar. Krimea nuk u nda nga Ukraina pas një procesi ndërkombëtar dhe juridik por u mor me forcë, në kundërshtim të hapur me Kartën e OKB-së, dokument që Moska pretendon se po e mbron nga shkeljet e Perëndimit.

Në këtë kontekst, thirrjet ruse për ruajtjen e integritetit territorial tingëllojnë si një ironi politike. Rusia ka aneksuar territore, ka njohur rajone separatiste në shtete të tjera si dhe ka përdorur forcën ushtarake për të ndryshuar kufijtë e Evropës.

Deklarata ruse përmend Grenlandën duke e futur atë në një narrativë të gjerë për  gjoja perëndimin kolektiv që, sipas Moskës, shkatërron themelet e rendit global. Këto referenca nuk kanë asnjë lidhje reale me Kosovën apo Ukrainën. Ato shërbejnë si mjegull propagandistike për të shpërqendruar vëmendjen nga agresioni rus dhe për ta paraqitur Perëndimin si burim të kaosit global.

Në fund, Kosova përdoret sërish si një mjet propagandistik që Kremlini e nxjerr nga arkivi sa herë që i duhet t’i  arsyetojë veprimet e veta.