Rruga Zhelinë – Siriçinë plot mbeturina dhe deponi, Komuna e Zhelinës në gjumë (Foto) 

Deponitë ilegale dhe mbeturinat e hedhura gjithandej vazhdojnë të mbeten të papastruara përgjatë rrugës Zhelinë – Siriçinë. Pavarësisht thirrjeve nga banorët për veprim, autoritetet komunale nuk veprojnë, shkruan Portalb.mk. 

Deponia më e madhe dhe me mbetje të ndryshme ndodhet mbi Kazermën në Zhelinë, e njëjta është pastruar mirëpo përsëri është krijuar nga qytetarët e pandërgjegjshëm.

Përgjatë rrugës ka edhe shumë deponi të tjera me mbetje interte, si dhe përgjatë lumit. 

Për këto pamje të shëmtuara, Kujtim Ramadani i cili shpesh e shfrytëzon këtë rrugë me miqtë e tij për çiklizëm, thotë se peizazhi i bukur rural po humbet nën hijen e deponive të egra që po shfaqen gjithnjë e më shpesh përgjatë rrugës.

Ramadani thotë se këto deponi, të përbëra kryesisht nga mbetje inerte, por shpesh edhe nga mbetje të tjera urbane a rurale, po shndërrohen në plagë të hapura për mjedisin dhe komunitetin. Ato jo vetëm që shëmtojnë natyrën dhe dëmtojnë estetikën e zonës.

“Ndotin tokën dhe ujin me substanca të dëmshme që dalëngadalë përthithen në mjedis; Rrezikojnë shëndetin e njerëzve dhe kafshëve, duke tërhequr insekte, brejtës dhe krijuar zona të pasigurta; Pengojnë zhvillimin e turizmit rural dhe sportiv, pasi askush nuk dëshiron të ecë apo të pedalon përmes pamjeve të tilla; Dëmtojnë imazhin e komunitetit – një fshat apo rajon që nuk kujdeset për natyrën e tij humb respektin dhe interesin e vizitorëve”, tha Ramadani. 

Ai thekson se pastrimi i kësaj rruge do të kishte ndikim të shumëfishtë pozitiv, ai apelon që institucionet të pastrojnë këtë zonë dhe mos lejojnë që pamjet e tilla të përsëriten. 

“Është paradoksale që një rrugë që mund të ishte simbol i gjallërisë dhe gjelbërimit, sot në disa segmente të saj përfaqëson pakujdesinë dhe shpërfilljen. Ndërhyrja e institucioneve është jetike, por po aq i rëndësishëm është ndërgjegjësimi i banorëve: deponitë e egra nuk zhduken vetvetiu, dhe përgjegjësia për mjedisin është e përbashkët”, tha Ramadani. 

“ Shpesh kaloj këtë rrugë dhe pamjet janë të njëjta gjithnjë, mbeturinat vetëm shtohen, duhet të pastrohen”, tha një qytetare. 

“Çdo ditë shohim mbeturina të hedhura përgjatë kësaj rruge. Është bërë e zakonshme, por kjo nuk do të thotë se duhet ta tolerojmë. Ambienti po dëmtohet dhe askush nuk merr përgjegjësi,” tha një qytetar. 

Këto mbeturina gjenden në territorin e Komunës së Zhelinës, por nga ky institucion nuk përgjigjen në pyetjet gazetareske se pse nuk i pastrojnë këto deponi. 

Megjithëse banorët kanë bërë vazhdimisht thirrje për pastrimin e kësaj zone, institucionet përgjegjëse vazhdojnë të shmangin përgjegjësinë.

Kur Portalb.mk në maj 2025 trajtoi këtë problem, nga Komuna e Zhelinës pretendonin se mbeturinat nuk ndodhen në terriorin e tyre.

Megjithatë, sipas të dhënave kadastrale por edhe sipas shenjave rrugore, këto deponi ndodhen në territorin e Zhelinës.

Situata me deponitë e tilla është alarmante në gjithë rajonin e Pollogut.

Ky problem pritet të zgjidhjet me ndërtimin e deponisë moderne rajonale, e cila pritet të jetë gati pas dy viteve, në vitin 2027.