Rruga e Ballkanit u rikthye si rruga kryesore e kalimit të migrantëve të parregullt në Evropë

Ballkani Perëndimor mori vendin si rruga më aktive e migracionit të parregullt në muajin shtator, vlerëson raporti më i fundit i organizatës policore evropiane për ruajtjen e kufijve FRONTEX, raporton VOA.

Sipas raportit 18883 raste të kalimeve të emigrantëve të parregullt u evidentuan në këtë rrugëkalim, ndërkohë që rruga e Mesdheut Qendror, shënoi një rënie me rreth 16600 raste gjatë muajit shtator.

Ndërsa si nëntëmujor, nga janari deri në shtator, rruga e Ballkanit Perëndimor, shënoi 81800 raste të kalimeve të migrantëve me një rënie prej 23%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar.

Migrantët që përshkuan rrugën e Ballkanit Perëndimor ishin kryesisht nga Siria, Afganistani dhe Turqia.

Rruga e Ballkanit Perëndimor dhe Shqipëria

Kalimet e përkohshme të migranëtve të parregullt nga kufiri grek drejt territorit shqiptar vijuan nëntë muajt e parë të këtij viti duke shënuar rritje në zonën kufitare të Sarandës dhe një rënie në zonat kufitare të Gjirokastërs dhe Korçës, krahasur me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në territorin e Gjirokastrës u evidentuan nga janari në shtator rreth 900 migrantë të parrregullt më pak se gjysma krahasur me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar.

Sipas të dhënave të policive kufitare, migrantët që kalojnë përkohësisht në territorin shqiptar janë kryesisht nga Pakistani, Bangladeshi, Afganistani dhe Siria.

Shumë prej migrantëve nga Bangaldeshi dhe Pakistani kanë qëndruar prej vitesh në Greqi dhe synojnë të kalojnë përmes Shqipërisë drejt vendeve të tjera evropiane pasi nuk kanë arritur të rregullojnë në Greqi statusin e tyre të qëndrimit.

FRONTEX-i e zgjeroi këtë vit misionin e ndihmës ndaj policisë kufitare shqiptare edhe në zonën e Sarandës në kufi me qytetin port grek të Igumenicës për t`iu përgjigjur ardhjeve të shtuara të migrantëve të parregullt në këtë zonë.

FRONTEX-i nënshkroi këtë vit një marrëveshjes të përbashkët me Ministrinë e Brendshme shqiptare për të mbrojtur të drejtat themelore në të gjitha aktivitetet operacionale në Shqipëri.

FRONTEX-i nisi operacionin e parë të agjencisë në Ballkanin Perëndimor në Shqipëri, në maj të vitit 2019. Aktualisht janë 162 oficerë evropianë të rojeve kufitare që punojnë së bashku me Policinë Kufitare Shqiptare.

Kalimet e migrantëve të parregullt drejt Europës më të lartat që nga viti 2016

FRONTEX-i tha se gjatë muajit shtator ka pasur 51500 raste të kalimeve të parregullta kufitare në kufijtë e jashtëm të Bashkimit Evropian me një rritje 17% , krahasuar me shtatorin e një viti më parë.

FRONTEX-i tha në raport se numri i kalimeve të parregullta kufitare në kufijtë e jashtëm të Bashkimit Europian u rrit me 17% në nëntë muajt e parë të vitit 2023 (në 279350 persona), totali më i lartë për periudhën që nga viti 2016.

Mesdheu Qendror përbën një në çdo dy raste të kalimeve në kufijtë e jashtëm të BE-së nëntë muajt e parë të këtij viti, ndërsa në shtator numri i kalimeve në këtë rajon ra me një të tretën nga muaji i kaluar.

Mesdheu Qendror, sipas FRONTEX-t, mbetet rruga më aktive për në Bashkimin Europian këtë vit, me më shumë se 131 600 raste të raportuara nga autoritetet kombëtare në nëntë muajt e 2023. Ky është totali më i lartë në këtë rrugë për këtë periudhë, që nga viti 2016.

“Fatkeqësisht, kalimet detare mbeten jashtëzakonisht të rrezikshme”, thuhet në raportin e FRONTEX .

Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Migrimit (IOM), më shumë se 2384 persona u zhdukën në Mesdhe këtë vit, me shumicën dërrmuese në rrugën e Mesdheut Qendror.

Edhe numri i kalimeve të parregullta në Kanalin Anglez drejt Britanisë së Madhe ra 12% në nëntë muajt e parë në mbi 46,500 persona”, thotë raporti i FRONTEX-it.

FRINTEX-i tha se 2750 oficerë të trupave të përhershme janë të përfshirë në operacione të ndryshme që mbështesin shtetet anëtare dhe vendet fqinje në mbrojtjen e kufijve të jashtëm të Bashkimit Europian dhe luftimin e krimit.