Rritje e mashtrimeve përmes SMS-ve në Kosovë

Në ditët e fundit është shënuar rritje e rasteve të mashtrimeve digjitale përmes mesazheve telefonike, të cilat kanë cak përdoruesit në Kosovë duke u paraqitur rrejshëm si njoftime zyrtare nga institucionet shtetërore apo bankat komerciale. Këto mesazhe, të ndërtuara me gjuhë zyrtare dhe me elemente që krijojnë ndjenjë urgjence, synojnë të mashtrojnë përdoruesit që të klikojnë në linqe të rreme dhe të japin të dhënat personale apo bankare. Institucionet e rendit dhe sektori bankar kanë paralajmëruar për pasoja serioze financiare për qytetarët që bien pre e këtyre skemave, shkrua Sbunker.

Njoftimet e rreme për gjoba trafiku

Forma e parë e mashtrimit lidhet me mesazhet SMS që pretendojnë rrejshëm se janë dërguar nga “Autoritetet e Trafikut të Kosovës”, duke njoftuar qytetarët për gjoba të papaguara.

Mesazh i rremë për gjoba trafiku. Foto e marrë nga Sbunker
Mesazh i rremë për gjoba trafiku. Foto e marrë nga Sbunker

Sipas Ligjit për Trafikun rrugor, ndaj jush është regjistruar një shkelje në trafik dhe është lëshuar gjobë. Ju lutem ta kryeni pagesën brenda afatit përmes kanalit zyrtar: https://ekosova.info/gov. Mospagesa në afat do të sjellë masa shtesë ligjore”, shkruan në SMS-in mashtrues. Edhe pse tentohet të manipulohet përmes platformës në të cilën qytetarët mund t’i kryejnë shërbimet online, një nga shenjat dalluese të mashtrimit është emaili me domenin “Hotmail”- mënyrë kjo e cila nuk përdoret nga institucionet kur dërgojnë njoftime zyrtare.

Më 7 janar 2026, Policia e Kosovës doli me njoftimin se këto mesazhe nuk janë të dërguara nga institucionet shtetërore dhe se përmbajnë linqe mashtruese të destinuara për të vjedhur të dhëna apo për të kryer pagesa të paautorizuara.

Policia ka theksuar se nuk përdor SMS për njoftimin e gjobave dhe nuk kërkon pagesa përmes linqeve. Qytetarëve u është bërë thirrje që të mos klikojnë në linqe të dyshimta, të mos japin të dhëna personale apo bankare dhe të raportojnë rastet nëse kanë kryer ndonjë pagesë. Ky lloj mashtrimi mbështetet kryesisht në keqpërdorimin e autoritetit institucional dhe duke përdorur frikën për ndëshkim.

Mashtrimi përmes “përditësimit të të dhënave bankare”

Rasti i dytë përfshin po ashtu një formë të sofistikuar të mashtrimit, që synon direkt vjedhjen e të dhënave bankare.

Nuk do të mund të përdorni llogarinë tuaj nga 08.01.2026…”, shkruan në mesazhin mashtrues, dërguar klientit të një banke, që tutje i kërkohet përditësimi i të dhënave.

Më 10 janar 2026, një grua nga Prishtina ka raportuar se është mashtruar përmes një mesazhi SMS, në të cilin i kërkohej të përditësonte të dhënat bankare, me arsyetimin se në të kundërtën nuk do të mund t’i përdorte llogaritë e saj.

Sipas raportit policor, pas klikimit në linkun e dërguar dhe futjes së të dhënave të kërkuara, brenda pak minutash janë kryer transaksione të paautorizuara. Nga kartela e saj bankare janë tërhequr para, ndërsa nga kartela e firmës së saj janë marrë mijëra euro. Rasti është iniciuar si keqpërdorim i kartelave bankare dhe hetimet janë duke vazhduar në koordinim me Prokurorinë e Shtetit.

Ky rast ilustron rrezikun e lartë që paraqesin mesazhet e tilla, të cilat imitojnë komunikimin zyrtar të bankave dhe shfrytëzojnë besimin e klientëve në sistemin bankar.

Paralajmërimet e bankave dhe konteksti i mashtrimeve digjitale

Përveç rasteve të raportuara, edhe bankat komerciale kanë konfirmuar praninë e këtyre skemave mashtruese. Njëra prej tyre ka njoftuar se në ditët e fundit janë identifikuar SMS mashtruese që synojnë klientët e saj, duke kërkuar të dhëna hyrëse në llogari ose informacione personale përmes linqeve të rreme. Banka ka theksuar se klientët nuk duhet të hapin këto mesazhe dhe as të ndajnë informacione konfidenciale.

Në thelb, këto mashtrime janë pjesë e asaj që njihet si “phishing”, një formë e krimit kibernetik që synon vjedhjen e të dhënave sensitive për qëllime financiare. Mashtruesit përdorin elemente psikologjike si frika, urgjenca dhe autoriteti për të nxitur veprime të shpejta dhe të pakontrolluara nga ana e viktimave.

Si duhet të veprohet?

Asnjë institucion shtetëror apo bankë nuk kërkon përmes SMS-ve të dhënat personale, PIN apo numra të kartelave bankare. Çdo mesazh i tillë duhet të konsiderohet i dyshimtë dhe të verifikohet përmes kanaleve zyrtare.

Rritja e këtyre rasteve tregon se mashtrimet digjitale po bëhen gjithnjë e më të shpeshta dhe më të sofistikuara që mund të përfundojnë me pasoja serioze financiare.

Paraqitja e këtyre rasteve në fillim të vitit nuk është rastësi dhe mund të shpjegohet përmes faktorëve që lidhen si me sjelljen e qytetarëve ashtu edhe me mënyrën se si operojnë rrjetet e mashtrimit digjital. Fillimi i vitit shoqërohet me pagesa të shumta, riorganizim financiar pas festave të fundvitit e përditësim të të dhënave personale e bankare.

Mashtruesit e shfrytëzojnë këtë kontekst, sepse njoftime si “gjobë e papaguar” apo “përditësim i të dhënave bankare” duken më të besueshme dhe më pak të dyshimta për qytetarët. Në shumë raste, këto fushata mashtrimi nuk janë spontane por planifikohen paraprakisht, aktivizohen në periudha kur potencialisht qytetarët mund të bien viktimë si dhe targetojnë masa të gjera përmes dërgimit masiv të SMS-ve.

Rastet e mashtrimeve përmes SMS-ve nuk janë vetëm krim financiar apo problem i sigurisë kibernetike, por edhe si formë funksionale e dezinformimit të qëllimshëm ku përmes manipulimit të informacionit synohet të prodhohen pasoja konkrete për qytetarët. Një element kyç i informatave të tilla të rrejshme është imitimi i burimeve të besueshme. Në raste të tilla përdoren emra të Policisë së Kosovës, “Autoritetet e Trafikut” apo bankat, simulohet gjuha zyrtare dhe format e komunikimit institucional duke tentuar të ndërtohet një narrativë që mbështetet në autoritetet përkatëse.