Platforma online e Fjalorit të Madh të Gjuhës Shqipe tashmë e qasshme për publikun
Akademia e Shkencave e Shqipërisë ka lansuar zyrtarisht për publikun platformën digjitale të Fjalorit të Madh të Gjuhës Shqipe, duke u mundësuar të gjithë përdoruesve qasje të lirë dhe të hapur përmes adresës fjalori.online, shkruan Portalb.mk.
Vendimi për hapjen e platformës është miratuar më 6 janar 2026, ndërsa faqja është bërë funksionale për publikun më 12 janar 2026.
Fjalori i Madh i Gjuhës Shqipe është një nga tri projektet më të rëndësishme kombëtare në fushën e albanologjisë, përkrah veprave “Historia e Shqiptarëve” dhe “Enciklopedia Shqiptare”, dhe synon të shërbejë si bazë shkencore për standardizimin, dokumentimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të gjuhës shqipe.
Vepra është hartuar nga një ekip i gjerë studiuesish nën drejtimin e akademik Jani Thomai si kryeredaktor, me akademik Valter Memishaj dhe profesor Shezai Rrokaj si zëvendëskryeredaktorë.
Sipas Akademisë, versioni online nuk është vetëm një arkiv digjital, por edhe një platformë ndërvepruese: gjatë nëntë muajve të parë, përdoruesit do të kenë mundësi të dërgojnë sugjerime, plotësime dhe vërejtje, të cilat më pas do të shqyrtohen dhe përpunohen nga Redaksia e Fjalorit dhe Koordinatori Teknik brenda një periudhe tremujore.
Hapi i fundit i projektit do të jetë botimi i fjalorit në dhjetë vëllime të shtypura, i planifikuar për vitin e ardhshëm.
Fjalori i Madh i Gjuhës Shqipe konsiderohet një mjet themelor për shkrimtarë, gazetarë, nxënës, studentë, mësues, pedagogë, studiues dhe për këdo që përdor dhe kultivon gjuhën shqipe në formën e saj të shkruar dhe të folur.