Rritja e rrogave nuk është në proporcion me rritjen e produktivitetit, kriteret ekonomike për herë të parë në bisedimet RMV-BE

Analizë speciale për Portalb.mk nga Malinka Ristevska Jordanova, Instituti për Politika Evropiane.

Malinka Ristevska Jordanova, foto nga arkivi personal
Malinka Ristevska Jordanova, foto nga arkivi personal

Kriteret ekonomike për herë të parë në bisedime

Kriteret ekonomike janë të njohura si Kriter i dytë i Kopenhagës – kusht për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Ato janë një element i ri në bisedime të aplikuara në Metodologjinë e zgjerimit të vitit 2020. Deri tani nuk ishin pjesë e tyre, sepse nuk përmbajnë acquis të BE-së. E drejta e BE-së që duhet të merret, e që në masë të madhe ka të bëjë me ekonominë, bën pjesë në shumë kapituj të tjerë.

Me futjen edhe të kriterit ekonomik në bisedime të gjithë Kriteret e Kopenhagës hynë në procesin e bisedimeve. Logjika për aplikimin e kritereve ekonomike duhet të kërkohet në Metodologjinë e re të zgjerimit të vitit 2020 sipas së cilës qëllimi i BE-së është që t’i përgatisë kandidatët për anëtarësim edhe në reformat ekonomike, përkrah mbështetjes të reformave demokratike dhe atyre në sundimin e të drejtës. Qëllimi final është deklaruar si arritje e një konvergjence ekonomike dhe sociale, ose më thjesht – afrim i bruto prodhimit vendor për banor deri në mesataren e BE-së, ose praktikisht – afrim i standardit jetësor deri në mesataren e BE-së.

Bëhet fjalë për dy kritere ekonomike:

  1. Ekonomi funksionale e tregut;
  2. Kapacitet për përballje me presionin e konkurrencës dhe fuqitë e tregut në BE. Dhe përderisa kriteri i parë zakonisht plotësohet më herët, për të dytin nevojitet më shumë kohë.

Në rastin tonë, nëse shihen formalisht vetëm notat për plotësimin e këtyre dy kritereve, ato, edhe pse janë relativisht të larta, stagnojnë prej në kohën e kandidaturës. Madje edhe nota për ekonominë funksionale të tregut deri në vitin 2015 ishte se ajo është “shumë e avancuar” (5), për dallim nga nota prej atëherë deri tani: “mirë e avancuar” (4). Çështje për diskutim është ajo se sa kjo i referohet vetë gjendjes, e sa mënyrës së vlerësimit. Sa i përket kriterit të dytë – vlerësimi prej kohës së kandidaturës ishte se Maqedonia do të mund ta plotësojë kriterin në afat të mesëm, dhe tani mbetet e njëjtë, me notë “e përgatitur në shkallë të moderuar” (3). Problemi është se prej atëherë kanë kaluar shumë “afate të mesme”, të cilat sipas metodologjisë së BE-së janë 3-4 vite.

Për krahasim, Shqipëria ka nota shumë më të ulëta në të dy kriteret – midis ekonomisë funksionale të tregut të “moderuar” dhe të “mirë” avancuar (3,5) dhe nivelit “të përcaktuar” për kapacitetin e ballafaqimit me presionin e konkurrencës (2).

Për kriteret ekonomike zhvillohet një proces i veçantë i dialogut ekonomiko-financiar me Komisionin Evropian. Me rëndësi kyçe është përgatitja e Programit për reforma ekonomike nga ana e Qeverisë për periudhë tre vjeçare. Ajo revidohet çdo vit dhe dorëzohet deri te KE-ja në fillim të shkurtit. Komisioni (në prill) jep notë për zbatimin e Programit dhe rekomandime, që janë bazë për rrethin e ardhshëm.

Në Raportin e skriningut më shumë është dhënë notë për gjendjet sesa rekomandime, dhe vetëm udhëzohet për rekomandimet e dhëna nga KE-ja gjatë dialogut ekonomiko-financiar.

Sa i përket kriterit të parë – ekonomia funksionale e tregut, Komisioni e merr në masë të madhe parasysh ndikimin e krizës së shkaktuar nga KOVID-i, si dhe agresionin rus mbi Ukrainën.  Kryesisht të volitshme janë notat për masat nacionale të ndërmarra për ballafaqim me pasojat nga krizat. Të volitshme janë edhe notat për masat për punësim, si dhe Ligji i ri për Buxhetet. Mirëpo, ajo që shqetëson është vazhdimi i problemeve strukturale me papunësinë, tani të plotësuara edhe me problemin e migracionit. Përveç kësaj, me dekada qëndrojnë disa probleme me rrethinën afariste, por edhe regjistrimi i ndihmës shtetërore, e cila përndryshe është shumë poshtë mesatares së BE-së.

Kriteri i dytë ekonomik ka të bëjë me të ashtuquajturat reforma strukturale.

Mbetet konstatimi për nivelin e lartë të integrimit – edhe tregtar dhe investues me BE-në. Përkundër notave të përgjithshme pozitive për strategjitë e miratuara dhe masat e ndërmarra, posaçërisht në arsimin profesional, përsëri shqetësojnë probleme “kronike”. Të tilla janë vetëm “shpenzimi i moderuar” për investime, si dhe mungesa e kapacitetit në arsim dhe ndarja e vazhdueshme e ulët e mjeteve nga buxheti për arsim dhe inovacione. E tillë është edhe vërejtja se duhet të rritet oferta e e-shërbimeve të shtetit ndaj ndërmarrjeve. Shqetëson nota se po zvogëlohet konkurrenca eksterne, ndërsa rritja e rrogave nuk është në proporcion me rritjen e produktivitetit.

Edhe përkrah “progresit”, Maqedonia, por edhe i gjithë rajoni, po lëviz shumë ngadalë drejt konvergjencës ekonomike dhe sociale me BE-në. Për këtë nuk do të mjaftojë vetëm futja e kritereve ekonomike në bisedime. Nevojiten edhe shumë më shumë investime cilësore si nga ana e BE-së, ashtu edhe nga autoritetet e vendit.

Raport nga skriningu, Klasteri 1, Kriteret ekonomike

Fusha Nota për përgatitjen Rezyme e konstatimeve
I Ekzistimi i ekonomisë funksionale të tregut

I.A Stabiliteti makroekonomik
I.B Funksionimi i tregjeve të produkteve
I.C Funksionimi i tregjeve financiare
I.D Funksionimi i tregut të punës

 

4 –                  Ngadalësimi i rimëkëmbjes post KOVID për shkak të pasojave nga agresioni rus mbi Ukrainën.

–                  Mbështetja e siguruar e Qeverisë për amvisëritë dhe bizneset.

–                  Deficiti i përgjithshëm qeveritar – nën cakun e reviduar.

–                  Përqindja e borxhit publik në BPV ra, por dukshëm mbi nivelin para KOVID-19.

–                  Ashpërsimi i politikës së BPRM-së për shkak të presioneve të rritura të inflacionit, të cilat kanë filluar të zvogëlohen kah fundi i vitit 2022.

–                  Deficiti i rritur i llogarisë rrjedhëse për shkak të çmimeve të rritura të importit të energjisë – huamarrjes plotësuese të jashtme.

–                  Me ligjin e ri për buxhetet dukshëm forcohet qëndrueshmëria fiskale.

–                   Progres i ngadalshëm i masave më të gjëra për përmirësimin e menaxhimit me investimet publike.

–                  Sektori bankar – rezistent gjatë krizave; stabiliteti financiar – i forcuar me progresin në disa ligje kyçe.

–                  Përmirësim i tregut të punës, por mbeten probleme strukturale – shkallët e mëdha të papunësisë afatgjate të të rinjve dhe zbrazëtira e madhe midis gjinive.

–                  Rrethina e biznesit edhe më tej pengohet nga ekonomia e madhe joformale, progresi i ngadalshëm në racionalizimin e shpenzimeve parafiskale dhe regjimi jotransparent dhe joefikas i ndihmës shtetërore.

–                  Maqedonia e Veriut duhet të përshpejtojë zbatimin e udhëzimeve sipas marrëveshjes në dialogun vjetor Ekonomik dhe Financiar midis BE-së me Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë, në bazë të notës së Komisionit për programet e saj për reforma ekonomike.

II. Kapaciteti për ballafaqim me presionin e konkurrencës dhe fuqive të tregut të BE-së

II.А Arsimi dhe inovacionet
II.B Kapitali fizik dhe cilësia e infrastrukturës
II.C Struktura sektoriale dhe struktura e ndërmarrjeve
II.D Integrimi ekonomik në BE dhe konkurrenca e çmimeve

 

3 –                  Integrimi me BE-në në tregti dhe investime mbetet në nivel të lartë.

–                  Pjesëmarrja e produkteve me vlerë të lartë në eksport është rritur në mënyrë plotësuese dhe hapja tregtare ka arritur nivel rekord të lartë.

–                  Është arritur progres plotësues drejt përmirësimit të arsimit profesional, por mungesa e madhe e aftësive edhe më tej është në raport me nevojat e tregut të punës, që nënkupton tranzicion të gjatë nga shkolla deri në punë.

–                  Këto, si dhe zbrazëtirat e mëdha në infrastrukturën e transportit dhe atë energjetike, së bashku me investimet dhe financimin e ulët për inovacione, e kufizojnë rritjen potenciale.

–                  Digjitalizimi i ekonomisë përparon, por konkurrenca e bizneseve vendore mund të përmirësohet nëpërmjet një oferte më të zgjeruar të e-shërbimeve publike.

–                  Maqedonia e Veriut duhet të përshpejtojë zbatimin e udhëzimeve sipas marrëveshjes në dialogun vjetor Ekonomik dhe Financiar midis BE-së me Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë, në bazë të notës së Komisionit për programet e saj për reforma ekonomike