Kontrolli ndaj influencerëve në RMV: Me ndihmën e rregullimit deri te reklamimi më i sigurt
Siç po fillon të ndodhë në të gjithë botën, edhe në vendin tonë Agjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuele (ASHMAA) së shpejti do të rregullojë këtë industrinë e influencerëve që po shënon një rritje kaq të shpejtë, transmeton Portalb.mk nga Prizma.
Njoftime për rregullim
Në ueb-faqen e ASHMAA është publikuar një draft-rregullore me të cilën do të definohen dhe rregullohen influencerët. Pritet që të miratohet këtë muaj dhe të hyjë në fuqi vitin e ardhshëm.
Për BIRN nga Agjencia thanë kjo rregullore po miratohet me qëllim që ta harmonizojë Maqedoninë me kornizën ligjore evropiane, por edhe për shkak të ndikimit të madh të influencerëve tek popullata dhe fitimeve të tyre të konsiderueshme.
Me një pjesë të kritereve në këtë dokument parashihet se si influencerë do të konsiderohen individë që krijojnë dhe ndajnë përmbajtje të destinuar për publikun e gjerë në Instagram, YouTube, TikTok ose platforma të ngjashme, angazhohen në aktivitet ekonomik dhe kanë më shumë se 30.000 ndjekës.
Ata që i plotësojnë kushtet do të duhet të regjistrohen pranë rregullatorit shtetëror. Influencerët do të duhet t’i paguajnë Agjencisë 0,5 përqind të të ardhurave të tyre vjetore, e cila do të financojë monitorimin që do të kryejë ASHMAA.
Por nëse këta influencerë nuk regjistrohen, ata do të paguajnë gjobë, thonë nga Agjencia.
Në ASHMAA janë ftuar për bisedime influencerë të shumtë, si Aleksandar Dinev dhe Aleksandra Trpeska.
“Kur një industri bëhet kaq e madhe dhe ndikimi i asaj që bëjmë ndihet, duhet të ketë njëfarë rregullimi, qoftë edhe nëse është vetërregullim”, tha Trpeska.
Trpeska thotë se po shqyrtojnë ndryshimin e pragut të ndjekësve në rregullore, pasi ka shumë influencerë që kryejnë aktivitet të rëndësishëm ekonomik, por nuk kanë 30.000 ndjekës.
Një rast që e imponoi nevojën për një monitorim më të madh të influencerëve ishte intervista në podkastin e Stefan Llazarov me gazetarin Dragan Pavlloviq-Llatas në muajin shkurt të vitit 2023, ku Pavlloviq ndau një përvojë nga vitet e tij të adoleshencës që nga publiku u karakterizua si abuzim seksual.
Pas reagimeve të shumta ndaj këtij episodi, Llazarov kërkoi falje publikisht, videoja u fshi dhe zyra e prokurorit hapi lëndë kundër influencerit dhe gazetarit. Të dy morën dënime me kusht dhe rasti është në Gjykatën e Apelit.
Nga ASHMAA sqaruan se një pjesë e monitorimit do u referohet pikërisht situatave të këtilla. Pra, rregullimi do të synojë mbrojtjen e minorenëve, ndaljen e gjuhës së urrejtjes dhe diskriminimin.
Për shembull, dy influencerë të rritur e kanë tallur dhe e kanë fyer Dinevin deri në pikën kur kjo gjë mund të quhej edhe bullizëm kur ai ishte i mitur.
“Ata më thanë shumë gjëra të këqija, asnjë 16-vjeçar nuk duhet të dëgjojë gjëra të tilla”, tha ai.
Nëse kjo hapësirë mediatike do të ishte e rregulluar, Agjencia do të duhej që ta kishte vënë re këtë dhe ta kishte mbrojtur Dinevin nga ngacmimet.
Reklama në pothuajse çdo video
Nëse i analizoni pesëdhjetë influencerët më të mëdhenj në Maqedoni, do të shihni se disa ofrojnë përmbajtje tematike, si gatim, ushtrime ose udhëtime. Disa prej tyre ofrojnë shërbime të lidhura, si plane për ushqime dhe këshilla për fitnes.
Por, një numër i madh i influencerëve në vend nuk kanë një fokus të qartë, as në përmbajtjet që i postojnë dhe as në produktet që i promovojnë. Dhe shumica e postimeve të tyre në fakt janë bashkëpunime me marka, të cilat rrallë shënohen si përmbajtje me pagesë.
Komediani dhe influenceri Stefan Nikollovski madje bën shaka për këtë në një video ku e dashura e tij e akuzon se është i fiksuar pas reklamave sepse për Ditën e Shën Valentinit e çoi në një restorant që e kishte reklamuar.
I bezdisur nga vërejtja, Nikollovski e “përplas” celularin e tij dhe këtu videoja shndërrohet në një reklamë.
“E theva, e pastaj çfarë? Ky nuk mund të thyhet, se gjen gjë këtë “Redmi Note 14″, modelin e ri nga Xiaomi… Nuk po ta reklamoj, Sllavicë”, thotë komediani.
Në një mënyrë qesharake, kjo reklamë kap një problem kyç në industrinë e influencerëve: zbehjen e vijës ndarëse midis përmbajtjes “autentike”, rekomandimeve personale dhe reklamave.
Autoritetet tatimore gjermane kanë paralajmuar një hetim ndaj influencerëve kryesorë të vendit, për të cilët thonë se nuk kanë paguar tatime në vlerë prej rreth 300 milionë eurosh.
Kjo është arsyeja pse pjesë e rregullores së propozuar është shënimi i qartë i postimeve me pagesë.
Në disa vende evropiane, si dhe në Shtetet e Bashkuara dhe Kanada, tashmë po praktikohet një rregullim i tillë, ndërsa ka pasur raste kur influencerë kanë marrë gjoba të larta për mosrespektimin e rregullave.
Ndoshta shembulli më i famshëm për këtë është Chiara Ferragni, një influencere italiane me mbi 28 milionë ndjekës në Instagram, e cila në vitin 2023 duhej të paguante një gjobë prej 1,2 milionë eurosh për mashtrim në promovimin e ëmbëlsirave. Ajo pati premtuar se paratë nga shitjet do të shkonin për bamirësi, por nuk e bëri këtë gjë.
Vitin e ardhshëm, pas këtij rasti, për influencerët italianë me mbi 1 milion ndjekës vlejnë rregulla të reja, me çka ata do të duhet ta shënojnë qartë përmbajtjen me pagesë. Në të kundërtën mund të përballen me gjoba prej 600.000 eurosh.
“Siç është trendi në botë, edhe ne duhet të shënojmë se çfarë është një reklamë e paguar në mënyrë që ndjekësit tanë të dinë se çfarë është me pagesë dhe çfarë jo”, thotë influencerja Trpeska.
Produkte të dëmshme dhe influencerë të dyshimtë
Për shkak të mësimit që mori nga incidenti me skemën piramidale, Dinev thotë se tani bën hulumtim të gjerë përpara se të bashkëpunojë me një markë. Por, ka pasur influencerë nga Maqedonia që kanë promovuar kazino dhe kredi të shpejta, ndërsa ka pasur edhe raste të promovimit të produkteve që janë të dëmshme për shëndetin.
IRL ka shkruar për çajrat e rrezikshëm për dobësim Slimline, të cilët përmbanin substancën e ndaluar Sibutraminë dhe Viagra, e që u promovuan nga influencerë nga Maqedonia. Në mesin e tyre ishte prezantuesja e famshme Lilla Filipovska, e cila ka mbi 230 mijë ndjekës në Instagram.
Emilija Vuçinovska, blogere e njohur si @missurbanvibe në Instagram, foli për reklamimin e papërshtatshëm të një balsami mjekësor për buzë nga një influencere nga Maqedonia. Ajo thotë se edhe pse në udhëzimet për përdorim thuhej se duhet të përdoret vetëm tre herë në ditë, influencerja gjatë promovimit tha se balsami mund të përdoret pa limit gjatë gjithë ditës.
Nga ASHMAA thanë se influencerët i nënshtrohen të njëjtave kufizime të përgjithshme për reklamimin. Domethënë, atyre u ndalohet të reklamojnë alkool (përveç birrës dhe verës, për të cilat zbatohen rregulla të ndryshme), cigare, armë dhe produktet mjekësore që merren vetëm me recetë, etj.
Reklamat e influencerëve gjithashtu nuk duhet të përmbajnë diskriminim dhe nuk duhet të inkurajojnë sjellje që janë të dëmshme për shëndetin dhe sigurinë ose që e rrezikojnë ndjeshëm mjedisin jetësor.
Disa kompani në Maqedoni ose nuk hulumtojnë aq sa duhet ose thjesht nuk e kanë problem të punojnë me influencerë që lidhen me skandale.
Vitin e kaluar ne u dërguam pyetje disa kompanive që bashkëpunojnë me Bojan Jovanovskin, i njohur si Boki 13, për t’i pyetur se pse kanë vendosur të reklamojnë me një person që është dënuar për krime financiare.
Nuk morëm përgjigje nga asnjëra prej kompanive. Në vend të kësaj, Jovanovski e kontaktoi BIRN e na akuzoi për targetim.
Për momentin, Agjencia nuk njofton për rregullim që potencialisht do ta kufizonte ose ndalonte dikë nga angazhimi në këtë profesion.
Vuçinovska, e cila e ka qenë në të dyja anët e kësaj dinamike, si blogere e punësuar nga markat dhe si bashkëpunëtore në agjencitë e marketingut, alarmon se vitet e fundit janë shtuar agjencitë që shesin ndjekës në rrjetet sociale.
Në këtë mënyrë disa influencerë fitojnë “peshë”, dhe duke vepruar kështu ata praktikisht i mashtrojnë klientët me të cilët bashkëpunojnë.
Për shembull, një kompani e huaj për 199 dollarë i ofroi Vuçinovskës 10.000 ndjekës, të cilët do të bënin “like” dhe do të komentonin në profilin e saj.
Sipas saj, kohëve të fundit agjenci të tilla janë shfaqur edhe në vendin tonë.
“Në një nga punët e vitit të kaluar morëm një ofertë nga një kompani në Maqedoni për ta rritur numrin e ndjekësve tanë. Ata tashmë në listën e klientëve të tyre kishin disa influencerë që i kishin përdorur shërbimet e tyre”, shpjegoi ajo.
Për momentin rregullorja e njoftuar nuk do t’i zgjidhë mashtrimet e këtilla.
Kushte të paqarta të punës
Si një degë relativisht e re e industrisë së marketingut, në punën e influencerëve rregullat e lojës nuk janë përcaktuar ende plotësisht.
Për shembull, është e zakonshme që influencerët me më shumë se 10.000 ndjekës të kërkojnë nga 300 deri në 1.000 euro për një video dhe tre histori, por nuk ka çmime të standardizuara. Megjithatë, shumë marka e shohin si më fitimprurëse të reklamojnë me influencerë sesa në mediat tradicionale, siç është televizioni, sepse ky marketing është më efikas dhe i lëvizshëm, si dhe më i lirë, shpjegoi për BIRN një punonjës i një agjencie të marketingut.
Ndonjëherë, në vend të honorari, influencerët pranojnë edhe pagesë në formën e kompensimit, d.m.th. produkte falas ose një vauçer nga vetë marka.
Kur ishte më i ri dhe pa përvojë, Dinev thotë se më së shpeshti pranonte kompensim, por tani ai beson se kjo praktikë thjesht ul çmimin për ata që kërkojnë honorare.
Shpesh, këto lloj transaksionesh bien në një zonë gri, sidomos nëse për ta nuk nënshkruhet asnjë kontratë.
“Mendoj se edhe kjo duhet të rregullohet, sidomos nëse ndahet një produkt më i shtrenjtë sepse influenceri praktikisht po punon për ta paguar atë”, tha Trpeska.
Bashkë me influencerë të tjerë, Trpeska dhe Dinev tani po përpiqen të formojnë një shoqatë influencerësh në mënyrë që ta definojnë më qartë punën e tyre, por edhe të jenë në gjendje të mbrohen nga praktikat e këqija.
“Në fillim, të gjithë eksperimentojnë, pranojnë kompensim dhe pranojnë të punojnë për pak para. Thjesht nuk ka shkollë që do të na mësojë si ta bëjmë këtë”, tha influencerja.