“Saudade” është një fjalë e papërkthyeshme nga gjuha portugeze. Ajo shpreh njëkohësisht mallin, trishtimin dhe kujtimin për diçka të humbur, por edhe shpresën e zbehtë për rikthimin e së humburës. Kjo “ndjenjë kombëtare”, siç quhet, është e shprehur në poezinë romantike portugeze dhe në muzikën fado.
Portugalia dhe Lisbona i kanë frymëzuar edhe shumë shkrimtarë e artistë të njohur. Çajld Haroldi i Bajronit, “pasi u vel nga jeta dhe iu mërzit shtëpia”, shtegtoi gjatë, sepse atdheu i dukej “më i shkretë se qelia e murgut”. Në Lisbonë ai u mahnit nga bukuria.
“Se ç’bukuri shpalos që larg Lisbona / si i ndrin fytyra n’atë lum fisnik / që prralla kot e shtron në shtrat floriri”.
Sipas Fernando Pessoa-s, Lisbona është qytet i ëndrrave dhe i poezisë, plot me nostalgji, metafizikë, ëndrra e iluzione. “Nuk ka nostalgji si e Lisbonës”.
Për José Saramagon, është qyteti ku e shkuara është e gjithëpranishme dhe ruhet edhe nëpërmjet artit e letërsisë. Saramago shkroi “Historia e rrethimit të Lisbonës”, ku korrektori i librave, Raimundo Silva, e përmbys autoritetin e “së vërtetës historike”, pasi beson që gjërat mund t’i njohim duke parë anët e dukshme dhe të padukshme të tyre. Këtë mund ta bëjë letërsia, muzika që “çdoherë ka dashur të çlirohet nga fjala” dhe piktura që “është letërsi e shkruar me penel”. (Fernando Pesoa, Poeti është një shtiracak, përktheu: Ajsela Koka, Dritan, Tiranë, 2003.)
Portugalia mund të kuptohet më mirë nëse e njohim anën e dukshme dhe të padukshme të saj.
Erih Maria Remark shkroi veprën “Një natë në Lisbonë” (Përktheu Aristidh Ristani, Fan Noli, Tiranë, 2010). Aty përshkruhet edhe nata në Lisbonë.
“Po bëhej një javë që isha në Lisbonë dhe prapë s’po mësohesha dot me ndriçimin e shkujdesur të këtij qyteti. Në vendet nga vija unë, natën qytetet dukeshin si miniera qymyri, dhe një fener në atë errësirë ishte më i rrezikshëm se kolera në mesjetë”.
GRUPI I ORFEUT. Në zemër të Lisbonës është kafeneja “A Brasileira do Chiado”, e hapur më 1905 nga një emigrant portugez. Dhjetë vjet më vonë aty u themelua grupi “Orfeu”, që futi modernizmin në artet dhe në letërsinë portugeze.
Grupi e mori emrin nga këngëtari mitologjik, Orfeu, që lëvizte nga bota e të gjallëve drejt botës së nëndheshme për ta shpëtuar gruan e tij Euridikën. Orfe zëëmbli, biri i Eagarit dhe Kaliopës, me këngët e tij i mahniste njerëzit e bishat, i magjepste zogjtë e peshqit, i lumturonte gurët e kodrat.
Ky grupim botoi dy numra të revistës “Orfeu”, kurse numri i tretë mbeti i pabotuar. Shtypi i quajti bashkëpunëtorët e saj “të çmendur, të degjeneruar dhe të droguar”.
Në shënimin “Çfarë dëshiron Orfeu?”, Fernando Pessoa shpjegoi se synimet e lëvizjes dhe të revistës ishin krijimi i artit të përbotshëm: “Arti i vërtetë modern duhet të denacionalizohet në masën më të madhe të mundshme nëpërmjet përshkrimit spontan dhe bashkimit të mistikës dhe të trishtimit aziatik, të arkaikes afrikane, të kozmopolitizmit amerikan, të ekzotikes së Oqeanisë dhe të traditës e dekadencës europiane”.
Falë kësaj historie, kafeneja vizitohet nga shumë turistë, veçanërisht nga adhuruesit e letërsisë. Aty është edhe statuja e Fernando Pessoa-s…
AEROPORTET duken më të heshtur, mbase sepse njerëzit përgatiten të ngjiten në një përmasë tjetër, në lartësi, e cila të ngjall ndjenjën e së madhërishmes apo të së frikshmes së bukur. Nga aeroporti i Lisbonës nisemi drejt vendlindjes, më të pasur me mbresa e kujtime.
KTHIMET. Udhëtojmë për të njohur vende, kultura dhe tradita të ndryshme. Udhëtojmë që të çlirohemi nga pesha e rutinës. Udhëtojmë dhe mendojmë. Udhëtojmë dhe ndiejmë. Udhëtojmë dhe ëndërrojmë. Udhëtojmë dhe imagjinojmë. Udhëtojmë dhe zbulojmë. Udhëtojmë dhe njohim botën jashtë e brenda nesh. Udhëtojmë për të parë qytete plot dritë e shkëlqim, fusha të gjera plot gjelbërim, male madhështore, sipërfaqe ujore, lumenj që rrjedhin të qetë ose me tërbim. Udhëtojmë dhe mahnitemi, trazohemi, na pushton dalldia. Kur kalon kjo dalldi, atëherë zbresim si albatrosi i Bodlerit në kuvertën e anijes së përditshmërisë dhe njësohemi me rutinën. Nga një Don Kishot bëhesh Sanço Panço. Nga një aventurier i dalldisur bëhesh qenie e arsyeshme. Nga një njeri që ke synuar gjërat eterike, merresh me gjërat praktike. Fillon të mos e shikosh më botën e mbuluar nga mjegulla e ëndrrës. Rikthehesh në realitetin e përhershëm dhe fillon të mendosh për kthimin drejt shtëpisë. Kur arrin në shtëpi, atëherë e kupton se shtëpinë e ke pasur me vete edhe kur ke menduar që e ke harruar.
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.