Të rinjtë në RMV si forcë ndryshimi: 54.5% gati për angazhim kundër korrupsionit
Nën moton “Gjenerata pasuese kundër korrupsionit: Të rinjtë si bartës të ndryshimeve”, u mbajt sot në Shkup eventi përfundimtar i projektit “Përfshirja e të rinjve për integritet: Qasje inovative në luftën kundër korrupsionit”, i zbatuar nga Analytica Think Tank me mbështetjen e Ambasadës së Kanadasë. Eventi bashkoi të rinjtë, vendimmarrësit, shoqërinë civile dhe trupin diplomatik në një mesazh të përbashkët: brezi i ri është gati të jetë faktori kyç në zhdukjen e korrupsionit, transmeton Portalb.mk.
Eventi dërgoi mesazh të qartë: të rinjtë në Maqedoni nuk janë vetëm vëzhgues, por aktorë aktivë që kërkojnë sistem të bazuar në vlera, jo në lidhje.
Drejtoresha ekzekutive e Analytica-s, Bojana Mijoviq Hristovska, hapi eventin duke theksuar qëllimin e hulumtimit:
“Ne donim të dëgjonim drejtpërdrejt se si ndihen të rinjtë për korrupsionin. Rezultatet tregojnë se ata nuk janë apatikë, por kritikë. Më shumë se gjysma e tyre (54.5%) shprehën gatishmërinë e tyre për t’u angazhuar aktivisht në aktivitete kundër korrupsionit. Ata nuk kërkojnë privilegje, por thjesht – një shans të drejtë.”
Ashley Durek, zëvendës shefe e Misionit të Ambasadës së Kanadasë, iu drejtua audiencës, duke theksuar mbështetjen e Kanadasë për transparencën dhe integritetin:
Maja Hristovska nga Analytica prezantoi gjetjet kryesore të hulumtimit të kryer me 304 të rinj nga Shkupi, Strumica dhe Gostivari, të cilat zbulojnë sfida serioze sistemike:
- Mosbesimi sistemik: Plot 29.5% e të rinjve nuk i besojnë asnjë institucioni në vend.
- Motori i emigrimit: Një shifër e lartë prej 63% e të anketuarve deklaruan se korrupsioni është arsyeja kryesore pse po mendojnë të largohen nga vendi.
- Vullneti për ndryshim: Ndryshe nga besimet rreth apatisë së të rinjve, anketa tregon se 54.5% e të rinjve janë të gatshëm të angazhohen aktivisht në luftën kundër korrupsionit nëse u jepet platforma e duhur.
- Format e korrupsionit: Të rinjtë e ndiejnë më shumë korrupsionin përmes rekrutimit në parti dhe blerjes së notave.
Në këtë aktivitet u lexuan dy ese të vlerësuara me çmime, të cilat pasqyrojnë vendosmërinë e brezit të ri për të luftuar për një të ardhme më të mirë:
- Nga eseja e parë e vlerësuar me çmime: “Të rinjtë nuk janë vetëm viktima të korrupsionit – ata mund të jenë edhe nxitës të ndryshimit. Me informacion, aktivizëm dhe shembull personal, ne kemi fuqinë të kontribuojmë në krijimin e një shoqërie më të drejtë ku puna dhe dija do të jenë e vetmja rrugë drejt suksesit.”
- Nga eseja e dytë fituese: “Ky projekt më tregoi se nuk jam vetëm. Se ka të rinj që mendojnë, që bëjnë pyetje dhe që duan ndryshim. Zërat tanë kanë peshë dhe kur flasim me ndershmëri dhe guxim, dikush dëgjon. Unë refuzoj të pranoj padrejtësinë.”
Eventi u përmbyll me një ekspozitë me punime krijuese, ku përmes artit dhe posterave digjitalë, studentët prezantuan vizionet e tyre për një shoqëri të lirë nga korrupsioni.
Ndryshe, të rinjtë në Ballkanin Perëndimor përballen me një realitet sfidues: papunësi e lartë, mungesë të aftësive të duhura dhe emigrimi i të kualifikuarve që dobëson tregun lokal të punës. Fondet dhe programet e Bashkimit Evropian ofrojnë mundësi të jashtëzakonshme për t’i përgatitur për tregun e punës dhe për të rritur pjesëmarrjen qytetare, por përfitimet shpesh mbeten të përqendruara tek grupet urbane dhe më të privilegjuarat. Për këtë arsye, dokumenti “Plani B(alkan): Të rinjtë për reformë”, identifikon strategjitë kyçe për të përmirësuar qasjen në arsimin profesional, financimin, sipërmarrjen dhe përfshirjen aktive të të rinjve. Aty, si rekomandim dhe hap kyç për të rritur ndikimin e Planit të Rritjes përmendet përshtatja e kurrikulave me kërkesat e tregut të punës, veçanërisht në sektorët digjitalë, të gjelbër dhe teknikë.