RMV, zgjedhjet mund të shtyjnë fundin e vitit shkollor

Zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare, të cilat do të mbahen në dy ditë pune (24 prill dhe 8 maj), vënë në pikëpyetje përfundimin e vitit shkollor për nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme. Ende nuk është vendosur saktësisht se cila ditë do të jetë e fundit e gjysmëvjetorit të dytë. Kalendari për organizimin dhe punën e shkollave fillore dhe të mesme tashmë është gati dhe sipas tij viti shkollor për nxënësit e shkollave të mesme duhet të përfundojë më 10 qershor, ndërsa për nxënësit e shkollave fillore më 17 qershor, transmeton Portalb.mk.

Në konferencën e sotme për media të mbajtur nga ministri i Arsimit Jeton Shaqiri, ai tha se do të vendoset nëse dy ditët e zgjedhjeve, të cilat do të jenë ditë jo pune, do të punohen shtesë, gjë që mund të vonojë përfundimin e vitit shkollor.

“Të gjitha vendimet dhe zgjidhjet ligjore i marrim në konsultim me të interesuarit, në këtë rast jemi konsultuar me Unionin e nxënësve të shkollave të mesme, i cili ka kërkuar që viti shkollor për ta të përfundojë më herët, më 10 qershor dhe jo më 17 qershor, për shkak të detyrimeve administrative që kanë për regjistrimin në fakultet. Sa i përket ditëve të zgjedhjeve, do të shohim se si do të veprojmë për to, nëse do të punohet më tej. Për këtë do të ketë vendim të qeverisë”, ka thënë Shaqiri.

Në kalendarin e arsimit të mesëm thuhet se gjysmëvjetori i dytë fillon më 22 janar dhe përfundon më 10 qershor. Për nxënësit e shkollave fillore viti shkollor përfundon më 17 qershor.

Ndryshe, risi në sistemin arsimor këtë vit është se fëmijët dhe të punësuarit në arsim për herë të parë do të përdorin pushimin pranveror shtatëditor që do të zgjasë nga 29 prilli deri më 5 maj.