RMV, “Zemrat na janë thyer përgjithmonë” – Marshi i 35-të i engjëjve në Koçan

Familjet e viktimave në zjarrin në të ashtuquajturën kabare “Puls” në Koçan sot e mbajtën “Marshin për engjëjt” të fundit për këtë vit, duke marshur nëpër rrugët e qytetit, njofton Portalb.mk.

Mes lotësh dhe dhimbje mbajtën fjalime emocionuese në të cilat thanë se kjo nuk ishte thjesht marshim, por ecje me një zemër që thyer përgjithmonë.

“Ne jemi prindërit që nuk do të presin maturë. Nuk do të qëndrojnë krenarë gjatë diplomimit. Nuk do të veshin veshje solemne për dasmë. Nuk do t’i mbajnë në duar nipërit e tyre. Gjithçka që duhej të vijë, na është marrë…Dhimbje nga telefonata e fundit, nga përqafimi i fundit, nga informata se fëmijët tanë kanë humbur jetën në tmerr, në tym, në frikë, të mbetur pa mbrojtje, pa përgjegjësi, pa shpëtim. Shtëpitë e tona janë përplot me heshtje, me dhomat e tyre që mbetën të njëjta, me rroba që ende e mbajnë aromën e tyre, me dhurata që nuk ka kujt t’i dhurohen”, tha Vaska Stojanova, e ëma e një djaloshi që humbi jetën.

Familjet e viktimave marshuan nga Parku i revolucionit, duke kaluar përreth qendrës tregtare, stacionit policor, duke përfunduar tek ndërtesa e gjykatës në Koçan.

Porositën se kërkojnë drejtësi për jetët e humbura para kohe të fëmijëve, vëllezërit dhe motrave të tyre, ndërsa me marshet do të vazhdojnë vitin e ardhshëm pas festave të fundvitit.

Zjarri në Koçan shpërtheu natën e 15-16 marsit, duke rezultuar me 63 viktima dhe duke plagosur pothuajse 200 të tjerë. Prokuroria ka ngritur akuza kundër 34 personave të cilët, nëpërmjet veprimeve ose mosveprimeve të tyre brenda sistemit, shkaktuan katastrofën. Aktakuza përfshin gjithashtu tre kompanitë e pronarit të diskotekës, i cili është i pandehuri kryesor.