RMV, vdiq pacienti i dytë nga ethet e Nilit Perëndimor në Klinikën Infektive

Rasti i dytë me pasoj vdekjen nga ethet e Nilit Perëndimor ka ndodhur në Maqedoninë e Veriut , shkruan Portalb.mk.

Një pacient 72-vjeçar i është nënshtruar infeksionit pas pickimit nga mushkonja. Pacienti po trajtohej në Klinikën Infektive në Shkup dhe kishte sëmundje shoqëruese (komorbiditete). Gjatë fundjavës vdiq edhe një person 83-vjeçar.

Në Klinikën Infektive aktualisht janë të shtruar 19 pacientë, të gjithë mbi moshën 60-vjeçare, me ethe të Nilit Perëndimor të konfirmuara laboratorikisht.

Ndryshe, gjatë kësaj jave në vend janë regjistruar shtatë raste të reja me infeksion nga virusi i Nilit Perëndimor (WNV). Të gjitha rastet janë nga Shkupi, nga dy raste në komunat Kisella Vodë dhe Gazi Babë, si dhe nga një rast në Ilinden, Butel dhe Aerodrom.

Ethet e Nilit Perëndimor janë infeksion viral i shkaktuar nga virusi i Nilit Perëndimor. Te njerëzit përcillet nëpërmjet pickimit nga një mushkonjë e infektuar. Nga format e rënda të sëmundjes më të rrezikuar janë personat mbi 60 vjet, personat me sistem imunitar të dobësuar dhe personat me gjendje kronike mjekësore.

Për ethet e Nilit Perëndimor nuk ka bar konkret antiviral. Mjekimi ka për qëllim të lehtësojë simptomat në kombinim me pushim, konsumim të lëngjeve dhe barnave për temperaturën dhe dhimbjen. Rastet e rënda shtrohen në spital.

Mbrojtja më e mirë është shmangia e pickimit nga mushkonjat duke përdorur repelentë, duke veshur rroba me mëngë të gjata dhe pantallona të gjata, duke instaluar rrjeta mbrojtëse në dritare dhe duke e larguar ujin e ndenjur rreth shtëpisë, si vend ku shumohen mushkonjat.

Nëse keni temperaturë të lartë, dhimbje të forta të kokës, bllokim të qafës, konfuzion ose dobësi në krahë ose këmbë pas pickimit nga mushkonja, duhet të kërkoni ndihmë mjekësore.