Bujar Osmani: Menjëherë pas zgjedhjeve lokale do të kemi zgjedhje parlamentare

Bujar Osmani, kandidati i AKI-t për kryetar në komunën e Çairit tha se në mars ose në prill do të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare. Ai shtoi se shpreson që kryeministri ta ketë kuptuar realitetin dhe dëmin të cilin po ja bën shtetit me veprimet e tij, transmeton Portalb.mk.

“Ja, mereni fjalën time, ju them nga gjitha argumentet, marrëveshjet, bisedimet që i kemi në skenën politik se menjëherë pas zgjedhjeve lokale kemi zgjedhje parlamentare në të cilën do të kemi një qeveri të re e cila do të hap rrugën drejt BE-së, do të nis reformat dhe do ruan raportet ndëretnike në RMV”, ka deklaruar Osmani.

Dje, kryeministri Hristijan Mickoski në Strumicë deklaroi se “pas fitores së pritur të VMRO-DPMNE-së në zgjedhjet lokale”, do të ishte logjike të mendohet për mundësinë për zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe një mandat të ri katërvjeçar, por, siç theksoi ai, për këtë vendim do të udhëhiqen jo nga interesi politik, por nga interesi i shtetit.

“Pres që pas këtyre zgjedhjeve lokale të hyjmë në një cikël të valës së intensifikuar të investimeve dhe ata që ndjekin politikën do të thonë se VMRO-DPMNE-ja dhe koalicioni do të kenë fitore të fortë, më të fortë se ajo, të paktën kështu thonë, në vitin 2021, dhe është logjike të shpallen zgjedhje të parakohshme parlamentare për të siguruar një mandat të ri katërvjeçar. Nëse e shohim si një vendim politik, do të pajtohesha, por nëse e shohim nga logjika shtetërore, atëherë mendojmë ndryshe – duam ta vendosim shtetin dhe interesat e biznesmenëve në radhë të parë, në mënyrë që të keni një të ardhme të parashikueshme, në mënyrë që të dini se çfarë të prisni, e pastaj të përpiqemi ta vendosim interesin tonë politik në radhë të parë. Por do ta shohim. Së pari, le të ndodhin punët, e pastaj do të marrim vendime”, tha kryeministri Hristijan Mickoski në Forumin e sotëm të Biznesit në Strumicë.

Ndryshe, më 29 shtator në Maqedoninë e Veriut filloi fushata zgjedhore për zgjedhjet lokale të këtij viti, rrethi i parë i të cilave do të mbahet më 19 tetor. Fushata do të zgjasë pandërprerë deri më 17 tetor, ndërsa fushata për rrethin e dytë, i cili do të mbahet më 2 nëntor, do të vazhdojë deri më 31 tetor.

Kujtojmë se në vitin 2024, Maqedonia e Veriut përjetoi ndryshime të mëdha politike. Në janar, u formua qeveria teknike me Talat Xhaferin, duke e bërë atë kryeministrin e parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut. Kjo Qeveri përgatiti vendin për zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të 8 majit 2024. Gordana Siljanovska-Davkova fitoi zgjedhjet presidenciale, duke mposhtur Stevo Pendarovskin dhe u bë presidentja e parë grua e vendit. Partia VMRO-DPMNE, e udhëhequr nga Hristijan Mickoski, fitoi zgjedhjet parlamentare, duke siguruar 58 vende dhe duke shkaktuar debakël të thellë për LSDM-në. Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) humbi pushtetin pas 20 vjetësh, duke i lënë vendin koalicioneve të reja politike.