RMV, u konstatuan parregullësi për kultivimin e kanabisit për qëllime mjekësore, do të dorëzohen kallëzime penale dhe do të merren lejet (VIDEO)

Nëpunës policorë të departamentit për polici kriminalistike – sektorit për tregti të palejuar me drogë, armë dhe materie të rrezikshme – njësiti për tregti të palejuar me drogë, në koordinim me përfaqësues të Komisionit për vlerësim të përmbushjes së kushteve në lidhje me hapësirën, pajisjen dhe kuadrin për kultivimin e kanabisit për qëllime mjekësore dhe në bashkëveprim me policët nga Gostivari, mbrëmë kanë kryer kontrollë të jashtëzakonshme dhe bastisje në bazë të urdhërit të dhënë nga Gjykata Themelore Gostivar, në personin juridik në fshatin Vrapçsisht të Gostivarit, i cili posedon leje për kultivimin e kanabisit për qëllime mjekësore, transmeton Portalb.mk.

Nga kontrolli i kryer i jashtëzakonshëm dhe bastisja, u konstatu një numër i parregullësive, përkatësisht se, personi juridik nuk i përmbush kërkesat për sigurimin dhe mbikëqyrje, ndërsa rrethoja është dëmtuar. Përpos kësaj, objekti është pa energji elektrike, ndërsa nga kontrollet në Agjencinë e Punësimit, janë evidentuar vetëm dy persona të punësuar, të cilët nuk kanë qenë të punësuar te personi juridik, prej të cilëve njëri ka ndalesë për hyrje në shtet. Kur kanë hyrë policët në objekt, ai është arratisur, por shpejt është gjetur dhe është arrestuar.

Në depon për prodhim të gatshëm janë gjetur 327,3 kilogramë lule e thatë, e paketuar në thasë alumini, që është në kundërshtim me ligjin, ndërsa në mënyrë shtesë është konstatuar tepricë prej 23,3 kilogramë lule e thatë e kanabisit. Po ashtu, janë gjetur 2,746 bimë kanabisi, të cilët kultivohen në hapësirën e jashtme të personit juridik, në kundërshtim me kushtet e parapara.

Ditën e njëjtë është realizuar kontroll i rregullt edhe te një tjetër person juridik në Vrapçisht, i cili posedon leje për kultivim të kanabisit për qëllimi mjekësore. Nga kontrolli u konstatua parregullësi në sigurimin e objektit dhe te personat e punësuar, me çka komisionit do të dorëzojë propozim për marrjen e lejes.

Ndërsa një ditë më herë, është realizuar edhe një kontroll i rregullt te një person juridik në Shkup, i cili posedon leje për kultivim të kanabisit për qëllimi mjekësore, ku po ashtu u konstatuan parregullësi në sigurimin e hapësirës dhe te të punësuarit dhe do të dorëzohet propozim për marrjen e lejes.