RMV, sot filloi vaksinimi kundër gripit sezonal, janë siguruar 60 mijë doza

Kryetari i Komisionit për Sëmundje Infektive,  Aleksandar Petliçkovski, në deklaratën për media informoi se vaksinimi kundër gripit sezonal ka filluar sot dhe po shkon mirë, transmeton Portalb.mk.

“Po ndjekim rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për të filluar vaksinimin në tetor. Do të ishte mirë të shohim një rritje të mbulimit këtë vit, gjë që do të na afronte me rekomandimin e OBSH-së për mbulim prej 75 për qind”, theksoi Petliçkovski.

Janë siguruar 60 mijë doza të vaksinës katërvalente.

Për momentin në hemisferën veriore dominon gripi i tipit A. Ne presim që vaksina të mbulojë variantet qarkulluese.  Për momentin ka një reagim të mirë, mbi 30 mijë qytetarë tashmë kanë shprehur interesim për vaksinim, theksoi Prof.Petliçkovski.

“Vaksinimi do të bëhet në të gjitha qendrat e shëndetit publik në të gjithë vendin. Kjo është një total prej 40 lokacionesh në të gjithë vendin. Në Shkup, në katër pika vaksinimi”, tha Petliçkovski.

Ministria e Shëndetësisë bëri të ditur dje se vaksinimi kundër gripit sezonal nis këtë javë dhe se 60.000 doza kanë mbërritur në vend, të katër llojeve të vaksinave të destinuara për vaksinim falas. Qytetarët e grupeve të rrezikut të cilët janë regjistruar për vaksinim përmes faqes së internetit të vakcinacija.mk, në ditët në vijim do të marrin njoftim për datën, orën dhe vendin e saktë të vaksinimit me SMS.