RMV, Sindikata e Pavarur e Punëtorëve të Shëndetësisë paralajmëron protestë

Do të ketë protesta nëse pagat e punëtorëve shëndetësorë të stafit teknik administrativ dhe stafit teknik nuk janë në përputhje me pagën minimale, njoftoi Sindikata e Pavarur e Punëtorëve Shëndetësorë të Maqedonisë së Veriut, transmeton Portalb.mk.

Plani i tyre është që protestat të bëhen në kohën e pauzës, ndërsa objektet shëndetësore të jenë të mbyllura për tre orë gjatë ditës, kur do të pranohen vetëm rastet urgjente, tha në konferencën e sotme për media, koordinatori nacional i Sindikatës së Pavarur, Bobi Bojçevski.

Se çfarë do të zbatohet nga kjo varet se si do pajtohen këto ditë përfaqësuesit e organizatës sindikale.

“Të mos luhet me ndjenjat e punonjësve shëndetësorë, edhe njëherë të mos jemi të manipuluar kërkojmë që paga të paguhet në mënyrë korrekte dhe ligjore në përputhje me Ligjin për Pagë Minimale. Kërkesa jonë është e bazuar dhe në përputhje me Ligjin për Pagë Minimale”, theksoi Bojçevski.

Ai thotë se Ligji për Pagën Minimale thekson se kontratat kolektive duhet të harmonizohen brenda gjashtë muajve, por kontrata kolektive për shërbim shëndetësor nuk është e harmonizuar me ligjin.

Sindikata kërkon që si bazë për llogaritje të pagës të punonjësve shëndetësor të jetë paga minimale, shumëzuar me koeficientin e vendit të punës.

Sindikata e Pavarur ka protestuar disa herë gjatë vitit të kaluar për shkak të anomalive në kontratat kolektive dhe pagave të ulëta.

Zëvendësministrja e Shëndetësisë, Maja Manoleva, para tre ditësh tha se në muajin mars, në përputhje me Ligjin për Pagën Minimale, mjekët, stafi teknik ndihmës dhe zyrtarët administrativë do të marrin paga më të larta. Ajo tha se do të ketë një harmonizim të pagës minimale jo vetëm për punëtorët shëndetësorë por edhe për të gjithë të tjerët, stafin teknik ndihmës dhe zyrtarët administrativë në sektorin e shëndetësisë.