RMV, fëmijët e moshës prej 11 deri në 15 vjeç janë shumë të ndjeshëm ndaj ngjarjeve sociale në vend, thotë një studim i ri

Në Maqedoni, 31 përqind të vajzave 15 vjeçare ndjehen të vetmuara, ndërsa kjo përqindje në Evropë dhe Azinë Qendore është 28, thuhet në hulumtimin për sjelljet e ndërlidhura me shëndetin mendor te fëmijët e moshës shkollore, transmeton Portalb.mk.

Hulumtimi bëhet çdo katër vite në 51 vende nga Evropa, Amerika e Veriut dhe Rusia.

Hulumtimi është realizuar nga Qendra për Veprim Psikosocial dhe Kriza-Malinska në partneritet me Fakultetin Filozofik në UKIM, Universitetin e Tetovës dhe Komunën e Velesit.

“Tendenca gjatë tetë viteve të fundit, në tre cikle kërkimore nga viti 2014 deri në vitin 2022, tregon të njëjtin drejtim ndërmjet gjinive dhe mes moshave, me ngjashmëri të lartë. Kjo tregon një ndjeshmëri të lartë të fëmijëve ndaj ngjarjeve sociale dhe kushteve në të cilat ata jetojnë, pavarësisht nëse bëhet fjalë për krizë dhe pasiguri sociale, politike apo shëndetësore.

Në gjashtë muajt e fundit, 57 përqind të vajzave 15 vjeçare kanë raportuar ndryshime të shpeshta të humorit pothuajse çdo ditë.

“Gjashtë nga dhjetë vajza 15-vjeçare vuajnë nga ankesa psikosomatike – dhimbje stomaku, dhimbje koke, ankth, nervozizëm, probleme me gjumin dhe përqendrim”, thuhet në studim.

Hulumtimi është realizuar në 5132 nxënës, në mesin e tyre edhe nxënës nga disa shkolla fillore dhe të mesme nga Velesi. Hulumtimi ka treguar se një në dy vajza 15-vjeçare është ndjerë e trishtuar dhe e pashpresë vitin e kaluar, duke u ndjerë e dobët çdo ditë për dy ose më shumë javë.

Sondazhi ka treguar se kënaqësia nga jeta gjithashtu ulet që nga mosha 11 deri në 15 vjeç, tek vajzat shumë më shpejt se tek djemtë.

Rezultatet e hulumtimit tregojnë se shëndeti mendor është alarmant tek nxënësit e arsimit të mesëm dhe se kjo kërkon përfshirjen dhe praninë e prindërve në jetën e tyre.