RMV, shteti merr shumë para nga taksat, ndërsa investon pak në mjedisin jetësor
Institucionet mbledhin taksa për mjedisin jetësor, të cilat shteti dhe komunat i riinvestojnë shumë pak në mbrojtjen e ujit, tokës, ajrit, pyjeve dhe në menaxhimin e mbeturinave. Në vitin 2021, në vend janë paguar taksa për mjedis jetësor në vlerë prej 14.273,4 milionë denarë ose mbi 231,7 milionë euro, që është 13,7 për qind më shumë në krahasim me vitin 2020, tregojnë të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikave (ESSH), transmeton Portalb.mk.
Ndonëse shteti mbledh shumë para nga taksat, sipas statistikave, investimet për mbrojtjen e mjedisit janë vetëm gjysma e asaj që mblidhet. Vlera e kostove të mbrojtjes së mjedisit arriti në 117.5 milionë euro. Ky grup përfshin të gjitha investimet dhe kostot për mbrojtjen e ajrit, menaxhimin e mbeturinave, menaxhimin e ujërave të zeza, mbrojtjen e pyjeve, sistemet e mbrojtjes së ujit dhe mbrojtjen e biodiversitetit dhe natyrës.
Të dhënat statistikore tregojnë se në vitin 2021, rritja më e madhe shënohet në taksat për energjinë në sektorët Transport dhe magazinim dhe industri përpunuese. Kjo rritje është rezultat i rritjes së akcizës për derivatet, gjatë së cilës janë mbledhur gjithsej 9.137,7 milionë denarë. Me këtë, peshën më të madhe në taksat mjedisore e kishin taksat për energjinë me 64 për qind.
Në vitin 2021 janë paguar tatimet e transportit në shumë prej 4.974,4 milionë denarë, që paraqet pjesëmarrje prej 34,9 për qind në totalin e arkëtimit të taksave për mbrojtjen e mjedisit. Në anën tjetër, shtetit për tatime për ndotjen i janë paguar 161,2 milionë denarë, përkatësisht pjesëmarrja e tyre në tatimet e mbledhura ka qenë 1,1 për qind.
“Pjesa e taksave mjedisore në produktin e brendshëm bruto në vitin 2021 është 2 për qind”, thuhet në raportin statistikor Taksat Mjedisore, 2021.
Në ndryshim nga ana e të ardhurave të realizuara nga shteti nga taksat e mbledhura për mjedisin, të dhënat për atë se çfarë investohet për mbrojtjen e tij janë shumë më të vogla. Pra, në vitin 2021 janë investuar 117.5 milionë euro në investime dhe shpenzime për mjedisin, ndërsa një vit më vonë kjo shumë është rritur në 127.3 milionë euro.
Shpërndarja joproporcionale e mjeteve të mbledhura nga taksat mjedisore çon në probleme serioze me të cilat përballet shoqëria në baza ditore. Zgjidhja e problemit të ndotjes së ajrit në qytete, mungesa e impianteve të trajtimit të ujërave të zeza, mosndërtimi i deponive rajonale dhe pikat e pazgjidhura ekologjike, të cilat janë një duzinë në të gjithë vendin, e që vazhdimisht janë në zvarritje, pikërisht për mungesën e burimeve financiare për zgjidhjen e tyre.
Përndryshe, në Maqedoni ende nuk janë ndërtuar impiante për trajtimin e ujërave të zeza në Shkup, Tetovë dhe Manastir, si dhe investime në ndërtimin e deponive rajonale për menaxhimin e mbeturinave. Nga zgjidhja e pikave të nxehta ekologjike, i vetmi për momentin është investimi në pastrimin e deponisë së vogël me lindan në OHIS, ndërsa çdo vit përsëriten apelet e ambientalistëve drejtuar shtetit që të ndajë më shumë fonde për uljen e ndotjes së ajrit duke vendosur rritja e stacioneve matëse, subvencione për ndryshimin e furrave të vjetra të ngrohjes dhe rindërtimi i flotës së qytetarëve.
Sipas të dhënave të disponueshme nga uebfaqja e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, buxheti i kësaj ministrie për vitin 2021 ishte 746.336.000 denarë ose rreth 12,1 milionë euro. Një vit më vonë, buxheti i kësaj ministrie peshonte 1.363.415.000 denarë ose rreth 22,1 milionë euro. Kjo ministri ka një nga buxhetet më të vogla në pushtetin ekzekutiv.