RMV, Qeveria vendosi: Kuçi ambasador në Oslo, Jusufi në Stokholm, Kallaç në Sarajevë, Todorovska në Prishtinë
Qeveria e Maqedonisë së Veriut po forcon rrjetin e saj diplomatik në botë. Elma Altorok po përgatit tezat për emërimin e saj si ambasadore në Kajro, si kuadri i vetëm profesional i përzgjedhur nga qeveria në seancën e 26 majit. Ndërkohë, Driton Kuçi, do të vazhdojë mandatin e tij në Oslo të Norvegjisë. Ai veçse e ushtronte detyrën e ambasadorit në Oslo dhe ky do të jetë mandati i dytë për të, shkruan Alsat, transmeton Portalb.mk.
Sipas informacioneve, qeveria ka miratuar një pjesë të emrave të rinj për përfaqësimin diplomatik të vendit. Elma Altorok ka ushtruar detyrën diplomatike në Egjipt si ushtruese detyre ambasadore në shtetin 120 milionë banorësh të Egjiptit dhe ka gëzuar besimin e institucioneve tona për të vazhduar angazhimin e saj në këtë vend të Lindjes së Mesme.
Ajo pritet të emërohet ambasadore në Kajro, duke kaluar nga pozita e ushtrueses së detyrës në Ambasadën e Maqedonisë së Veriut në kryeqytetin egjiptian. Aktualisht, Altorok po përgatitet për mbrojtjen e tezave para komisioneve përkatëse, si pjesë e procedurës së emërimit. Ky do të jetë mandati i tretë diplomatik i Elma Altorokut në vendet e Lindjes së Mesme. Ajo është përzgjedhur si kuadër profesional për postin e ambasadores në Kajro.
Përveç Kuçit dhe Altorokut, Qeveria ka miratuar edhe disa emra të tjerë për misionet diplomatike jashtë vendit. Sipas informacioneve, Muharem Jusufit do të dërgohet në Stokholm të Suedisë, Filip Pashu është përzgjedhur për ambasador në Athinë, Tatjana Loparski për në Budapest, ndërsa avokati Jasmin Kalaç për në Sarajevë.
Ndërkohë, në pritje të përfundimit të procedurave parlamentare mbeten edhe emërimet e Krum Efremovit për ambasador në Bullgari, Gabriel Atanasovit në Rumani dhe Katerina Todorovskës në Kosovë.
Ndryshe, më herët, Qeveria kishte miratuar një valë emërimesh diplomatike që kombinonte diplomatë karriere me figura të afërta me partitë në pushtet. Në mesin e tyre ishin ish-ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani, i propozuar ambasador në NATO në Bruksel, dhe Fadil Zendeli për ambasador në Kopenhagë, ndërsa në pozita të tjera u emëruan diplomatët e karrierës Andrijana Cvetkoviq (Tokio), Gabriel Atanasov (Rumani), Linda Salieska Iljazoska (Hagë), Dimitar Bllazhevski (Kiev), Vele Trpevski (Tiranë) dhe Krum Efremov (Bullgari). Në atë kohë, ministri i Punëve të Jashtme, Timço Mucunski, theksoi se shumica e emërimeve ishin nga radhët e diplomacisë profesionale, ndonëse lista përfshinte edhe emërime me prapavijë politike.