Në Krushevë po mbahet Kampionati Evropian në paraglajding, marrin pjesë 130 pilotë nga 38 vende

Në Krushevë po mbahet Kampionati Evropian në paraglajding, ku marrin pjesë 130 pilotë nga 38 vende dhe garojnë për titullin evropian. Ngjarja do të zgjasë deri më 19 gusht dhe është një nga garat më të rëndësishme në disiplinën e paraglajdingut “cross-country”, transmeton Portalb.mk.

Nisja kryesore bëhet nga Meçkin Kamen, ndërsa ulja dhe përfundimi i detyrave garuese zhvillohen në disa zona të uljes në hapësirën më të gjerë, në varësi të detyrës konkrete dhe kushteve të fluturimit.

Sipas organizatorëve, Kampionati Evropian është konfirmim i cilësisë së Krushevës si destinacion ndërkombëtar për paraglajding, por edhe mundësi për zhvillimin e mëtejshëm të infrastrukturës dhe ofertës turistike.

Aktualisht po ndërtohen dy vende të reja për nisje në Crn Vërv, me qëllim përmirësimin e kushteve për paraglajding dhe krijimin e mundësive shtesë për zhvillimin e turizmit aktiv dhe aventuristik.

Pas Kampionatit Evropian, Krusheva do të jetë nikoqire e një tjetër ngjarjeje të madhe ndërkombëtare sportive. Nga 24 gushti, qyteti do të presë Kampionatin Botëror Junior në paraglajding “Krusheva 2026”.