RMV, premtime të zbrazta për përdorimin e dronëve në inspektimet e mjedisit
Dronët sot mbledhin mollë në plantacione në vend të njerëzve, shpërndajnë ushqim, hedhin bomba në Ukrainë dhe zbulojnë pozicionet e armikut, kryejnë monitorim ajror nga llojet më të ndryshme dhe kanë shumë funksione të tjera në pjesë të ndryshme të botës. Në Maqedoninë e Veriut, më shumë se pesë vjet më parë, autoritetet premtuan se do të përdornin dronë për të gjetur qytetarët e pakujdesshëm që hedhin mbeturina ku të munden dhe djegin mbeturinat në natyrë, por në vend të kësaj, dronët nga shërbimet e inspektimit u dërguan para kohe në falimentim, shkruan Meta, transmeton Portalb.mk.
Nga Inspektorati Shtetëror i Mjedisit Jetësor (IShMJ) në janar 2018 njoftuan se kishin marrë me qira drone për t’u përdorur nga inspektorët, të cilët do të bënin inspektime të rregullta dhe të jashtëzakonshme për zbulimin e ndotësve si dhe njoftuan se IShMJ do të blejë edhe kamera termike në mënyrë që dronët të mund t’i hetojnë kriminelët edhe gjatë orëve të natës.
“Shpresojmë që me këto incizime dhe fotografi të shihen gjërat që inspektorët nuk mund t’i kontrollojnë kur janë në terren, për shembull kur bëhet fjalë për pronë private apo një kompani, e cila nuk funksionon pas orës 16:00 dhe grupi inspektues nuk mund të hyjë”, tha ai.
Tani, pesë vite më vonë, nga Inspektorati Shtetëror i Mjedisit Jetësor thonë se gjatë inspektimeve nuk përdorin drone, sepse nuk ka nevojë.
“IShMJ nuk ka nevojë të madhe për dronë, ndoshta për mbikëqyrje të objekteve ujore dhe zonave të mbrojtura, por vetëm për vëzhgime të caktuara”, thonë nga Inspektorati.
Nga IShMJ deklaruan se ndonëse dronët janë mjete inovative, ato janë më të përshtatshme për institucionet që kryejnë monitorim dhe shtojnë se sipas Ligjit të ri për Kontrollin e Emetimeve Industriale, të gjithë operatorët me leje mjedisore A të integruar, do ta kenë të obligueshme të jenë nën monitorim të vazhdueshëm.
Qyteti i Shkupit ka premtuar që në nëntor të vitit 2018 se inspektorati i tyre mjedisor do të përdorë dron për të zbuluar ndotësit e mjedisit në kryeqytet.
“Banorët e Aeroportit dhe Gazi Babës tash e një kohë të gjatë po mbyten nga era e pakëndshme që përhapet përgjatë lumit Vardar. Tani, me hartimin tredimenzional “Vardarisht”, do të merret një pasqyrë e plotë e hapësirës së deponisë, përkatësisht se në cilat pjesë digjen mbeturinat, veçanërisht nëse ato pjesë ndodhen në prona private. Inspektorati i Qytetit të Shkupit do të marrë të dhëna të sakta, të cilat do ta bëjnë më të lehtë kryerjen e detyrave të tij”, tha më 19 nëntor 2018, zëdhënësi i atëhershëm i Qytetit të Shkupit, Valon Salihu.
Pesë vjet më vonë, nga qyteti i Shkupit heshtin në lidhje me atë se nëse dhe sa shpesh inspektorët e mjedisit përdorin dron gjatë inspektimeve, sa nga inspektimet e kryera këtë vit janë bërë me ndihmën e droneve dhe pajisjeve të tjera moderne për zbulimin e ndotësve, dhe gjithashtu nëse Sektori për Inspektim dhe Mbikëqyrje të Mjedisit Jetësor i Qytetit të Shkupit ka nevojë për pajisje moderne. Dy e-maile të dërguara më 3 dhe 9 tetor të këtij viti kanë mbetur pa përgjigje.
Përdorimi i dronëve shkel të drejtat njerëzore
Përveç autoriteteve në kryeqytet, janë pyetur edhe autoritetet lokale nga Strumica dhe Manastiri nëse inspektorët komunalë të mjedisit përdorin drone për të zbuluar ndotësit në vendbanimet e tyre.
Në Strumicë, edhe pse pyetjet janë dërguar dy herë, më 3 dhe 9 tetor, nuk ka përgjigje deri në shkrimin e këtij teksti.
Nga Komuna e Manastirit, nga ana tjetër, thanë se inspektorati i tyre i mjedisit nuk përdor drone gjatë inspektimeve.
Ato sqarojnë se nuk ka pengesa ligjore për përdorimin e dronëve dhe filmimeve me dron gjatë inspektimeve nga ana e Drejtorisë së inspektimit mjedisor në Komunën e Manastirit, por shtojnë se ka pengesa në aspektin e resurseve njerëzore, Sektori i Inspektimit të Mjedisit, nuk ka kuadër për menaxhimin dhe përdorimin e dronëve. Për këtë arsye Komuna e Manastirit ka deklaruar se nuk ka mundësi të përdor dronët dhe pajisjet tjera moderne në zbulimin e ndotësve të mjedisit.
“Nuk duhet të ketë probleme me përdorimin e video-incizimeve të incizuara me dron gjatë ndëshkimit të kriminelëve në gjykatë apo organe të tjera nëse mund të vërtetohet koha dhe vendi kur janë marrë”, thanë nga Komuna e Manastirit.
Nga ana tjetër, në vitin 2023, inspektori i autorizuar mjedisor i Komunës së Manastirit deri më tani kishte kryer 57 kontrolle të rregullta, 31 të jashtëzakonshme dhe 18 kontrolle, dhe në disa prej tyre, përveç fotografive dhe raporteve të ekspertëve nga monitorimi nga laboratorët e akredituar, nuk janë përdorur drone.
Qeveritë shtetërore dhe vendore në vitin 2018 u zotuan të prezantojnë përdorimin e dronëve në inspektime si një mjet i fuqishëm kryesisht për të zbuluar individët që djegin qëllimisht plehra dhe substanca të tjera jashtë dhe ndotin ajrin. Gjithashtu, dronët janë shpallur si një mjet efektiv për zbulimin e njerëzve që hedhin mbeturina në vende të paligjshme – në lumenj, në parqe, në gropa dhe kudo tjetër në natyrë. Me dronë, oxhaqet e fabrikave dhe objektet e tjera që ndotin ajrin mund të kontrollohen vizualisht.
Mirëpo, pesë vjet më vonë, në vitin 2023, edhe pse në të gjithë vendin po krijohen deponi dhe ndotja e ajrit është problem i madh për Maqedoninë e Veriut, shërbimet e inspektimit në nivel kombëtar dhe lokal nuk janë të pajisura me dronë modernë, të cilët mund t’i hetojnë ndotësit nga ajri dhe të filmohen kriminelët që shkatërrojnë mjedisin, duke e bërë më të lehtë ndëshkimin e tyre, parandalimin e ndotjes dhe parandalimin e rreziqeve për shëndetin e njerëzve.
- LEXO: Mirosllav Bogdanovski: Bëhuni gati, do të ketë dënime të larta për ndotësit e ajrit këtë dimër
- LEXO: Deponia e Shutkës, inspektoratet: I kemi përfunduar aktivitetet, përgjegjësia te Kurto Dudushi
- LEXO: Me dron është kapur personi që djeg hedhurina në Saraj, Inspektorati i Qytetit të Shkupit paralajmëron incizime dhe dënime çdo ditë