RMV, prej sot deri në 10 përqind ulje të marzhit të produkteve në shportën e vjeshtës

Duke filluar nga sot, shitësit me shumicë dhe pakicë duhet të reduktojnë deri në 10 përqind marzhin e produkteve ushqimore bazë të përfshira në shportën e konsumit të vjeshtës. Bëhet fjalë për 73 produkte, kështu që çmimet duhet të jenë më të ulëta për dhjetë përqind, transmeton Portalb.mk.

Disa nga produktet në shportë përfshijnë bukë, miell, produkte furre si burek dhe petët me mish dhe djathë, produkte qumështi, mish, disa fruta dhe perime, oriz, fasule, vaj dhe disa produkte të konservuara.

“Ajo që ishte masë duhet të fillojë sot, pres ulje prej të paktën dhjetë përqind. Kjo masë do të zgjasë deri në fund të tetorit. Shtatëdhjetë produkte janë praktikisht produkte të cilat si rezultat i këtij ligji kanë zbritur çmimet. Në periudhën në vijim do të vazhdojmë ta përditësojmë këtë listë në varësi të nevojave të qytetarëve. Ju kujtoj se produktet nuk janë rezultat i një mase spekulative, por janë rezultat i një analize dhe sondazhi në terren të kryer me qytetarët se cilat produkte janë më të përdorura në këtë periudhë të vitit. Kështu do jetë ndoshta para festave të Vitit të Ri, kështu do jetë në pranverë dhe kështu do funksionojmë gjatë gjithë kohës. Qëllimi ynë është t’ua lehtësojmë jetën qytetarëve dhe të ulim çmimin e produkteve”, tha kryeministri Hristijan Mickoski në pyetjet e gazetarëve.

Ndryshe, për plotësimin e nevojave elementare të amvisërive, një familjeje prej katër anëtarësh në shtator i nevojiteshin 61.306 denarë, që është një rritje për 107 denarë në krahasim me gushtin, kur të njëjtat shpenzime ishin 61.199 denarë, sipas llogaritjes së shportës sindikale të Lidhjes së Sindikatave e Maqedonisë (LSM)

Si shqetësues, LSM-ja thekson se shpenzimet e ushqimit dhe pijeve janë rritur për 717 denarë për një muaj, gjë që tregon se, siç thotë Sindikata, gjatë muajit tregtarët kanë shfrytëzuar njoftimet për futjen e kufizimit të marzhit për produktet ushqimore bazë.

Në këtë mënyrë, siç vlerëson LSM-ja, tregtarët sigurojnë rritje të çmimeve të produkteve në periudhën e ardhshme kur do të jetë në fuqi vendimi i qeverisë për marzhe të kufizuara, në dëm të qytetarëve.

“Në shtator të këtij viti, shpenzimet për ushqim dhe pije kanë qenë 23.034 denarë, ndërsa në gusht 22.317 denarë”, thonë nga LSM.

Megjithatë, Lidhja e Sindikatave pret që masa e kufizimit të marzhit të qeverisë, nëse zbatohet, do të ulë ndjeshëm harxhimet e ushqimit dhe pijeve për kategoritë më të rrezikuara të qytetarëve ose punëtorëve me të ardhurat më të ulëta, duke qenë se në listën e produkteve të kufizuara marzhet mbulojnë 86 përqind të produkteve në shportën minimale sindikale.

Kujtojmë se, Qeveria ditë më parë mori vendim që të kufizojë marzhin bruto të fitimit të disa prej produkteve ushqimore bazë në 10% si në shitje me shumicë ashtu edhe me pakicë. Lista e produkteve ushqimore bazë në të ashtuquajturën shporta e vjeshtës përfshin 73 produkte që janë më të përfaqësuara në shportën e konsumit të qytetarëve, ministri i Ekonomisë Besar Durmishi.