Veturat e ministrave të Mickoskit vlejnë gati një milion euro

Makinat private të ministrave të Hristijan Mickoskit arrijnë vlerë prej 840 mijë eurove, tregon hulumtimi i fundit i SKUP Maqedoni, transmeton Portalb.mk.

Adhuruesi më i madh i makinave është Аrben Fetai. Vlera e makinave të tij është 6,4 milionë denarë (ose 105 mijë euro). Në fletën e tij anketuse ai ka deklaruar se ka pesë makina pasagjerësh, disa në vend, por disa edhe jashtë vendit, gjegjësisht në Belgjikë. Ai posedon një Audi Q7 S-LINE në emrin e tij personal që e ka blerë në vitin 2018 në Belgjikë vlera e të cilit është pothuajse 3,4 milionë denarë (55.000 euro). Ai ka edhe një Audi TT me vlerë prej 615 mijë denarë, një Opel Karl me vlerë prej pothuajse një milion denarë, të gjitha Belgjikë, si dhe një Land Rover Sport dhe Mercedes C Class në Republikën e Maqedonisë së Veriut vlera e përgjithshme e të cilave është mbi 1.4 milionë denarë.

Edhe disa nga zëvendëskryeministrat e tjerë të Qeverisë kanë makina të shtrenjta. Аleksandar Nikollovski, si kryeministër i përkohshëm dhe ministër i transportit dhe lidhjeve, në fletën anketuese ka deklaruar dy vetura në vlerë prej 65.000 euro. Një Shkoda Superb që vlen 1,8 milionë denarë (30.000 euro), ndërsa makina tjetër është në emër të bashkëshortes së tij dhe është më e shtrenjtë, “Jeep Compas“ me vlerë prej 2,1 milionë denarë (34.000 euro). Zëvendëskryeministri i Qeverisë dhe ministër për marrëdhënie mes komuniteteve, Ivan Stoillkoviq ka deklaruar makina në vlerë prej 3,3 milionë denarë (55.000 euro). Në emrin e tij ka deklaruar Volkswagen Туарег që vlen 2,1 milionë denarë (36.000 euro) si dhe Seat Ateca në vlerë prej 1,2 milionë denarë (19.000 euro) në emër të bashkëshortes së tij.

Ministra adhurues të Volvos

Tre ministra të Qeverisë në Maqedoni në fletët e tyre anketuese kanë deklaruar se kanë makina Volvo.

Volvo XC 60 posedojnë ministri i punëve të brendshme Pançe Toshkovski, me vlerë prej 1,7 milionë denarë (27.642 euro) i cili ka deklaruar se posedon edhe Opel Antara me vlerë prej 940.900 denarë (15.299 euro). Vlera e përgjithshme e makinave të Toshkovskit është 43.000 euro.

Ministri i shëndetësisë Аrben Taravari, ka një fuoristradë me vlerë prej 3 milionë denarë (50.000 euro).

Makinë të llojit të njëjtë ka deklaruar edhe ministri i vetëqeverisjes lokale Zllatko Perinski, 1.7 milionë denarë (rreth 28.000 euro) i cili mes të tjerave ka deklaruar edhe Vespa Primavera me vlerë prej 172.200 denarë (2.800 euro).

Ministri i sportit ka deklaruar makinën më të shtrenjtë, ministrja e arsimit më të vjetër

Ministri i sportit, Borko Ristovski ka deklaruar makinën më të shtrenjtë, Toyota РАВ 4 që vlen 3,7 milionë denarë (60.162 euro), ndërsa ministrja e arsimit dhe shkencës, Vesna Janevska e posedon makinën më të vjetër të prodhuar në vitin 2001, Rover 75 atëkohë me vlerë prej 922.500 denarë (15.000 euro), por vitin e kaluar ka blerë makinë të re, Opel Insignia, me vlerë prej 873.300 denarë (14.200 euro). Janevska në fletën e saj anketuese ka deklaruar edhe pasuri të luajtshme jashtë shtetit i cili nuk i nënshtrohet regjistrimit në vend, por nuk është theksuar konkretisht se për çfarë prone bëhet fjalë.

Ministrat e tjerë të Qeverisë kanë makina relativisht të reja dhe të shtrenjta. Në të shumtën e rasteve kanë “Audi“, “Volkswagen“, “Toyota“, “Ford“, por edhe makina luksoze si “Nisan Infinity“ siç e ka ministrja e energjetikës, minierave dhe lëndëve të para minerale, Sanja Bozhinovska që vlen 2,5 milionë denarë (40.650 euro). Një pjesë e ministrave kanë deklaruar kanë deklaruar edhe pasuri të luajtshme jashtë shtetit që nuk i nënshtrohet regjistrimit në vendin tonë, por pa të dhëna konkrete se për çfarë prone bëhet fjalë. Por sipas fletëve anketuese del se kanë vlera të mëdha.

Interesante është se një pjesë e ministrave posedojnë edhe motoçikleta, Cvetan Tripunovski posedon motoçikletë me vlerë prej 170 mijë denarë (2.764 euro), Fatmir Limani prej 60 mijë denarë (1.000 euro), Zllatko Perinski 172.200 denarë (2.800 euro) dhe Goran Minçev 310 mijë denarë (5.040 euro).