RMV, po përgatitet bolidi i parë nga studentë, do të shkojë në një garë botërore në Kroaci

Në një nga laboratorët e Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike pranë UKM-së, një ekip prej rreth njëzet studentësh është duke e përgatitur bolidin e parë në Maqedoninë e Veriut, i cili këtë verë duhet të marrë pjesë në një garë botërore që do të mbahet në Kroaci, raporton Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Të bashkuar nën emrin Macedonian Engineering Students – MES Racing, këta studentë po punojnë në prodhimin e një makine garash e cila duhet të performojë në pistën e testimit të makinave të garave Bugati Rimak në Velika Goricë, Kroaci.

Ajo që ata po përgatisin duhet të performojë në konceptin e garave Formula Student që organizohet në më shumë se 20 vende të botës. Në këtë konkurs ekipet studentore projektojnë, testojnë dhe garojnë me prototipe të makinave për gara.

Foto: MES Racing
Foto: MES Racing

Krijimi i makinës nuk është punë vetëm e studentëve të inxhinierisë. Ekipi bashkon të rinj nga fusha dhe profile të ndryshme, kështu që në mesin tyre mund të gjeni studentë nga FETI, Inxhinieria Mekanike, Fakulteti Ekonomik dhe nga FSHIIK. Ata e ndihmojnë njëri-tjetrin dhe mësojnë nga njëri-tjetri gjëra të reja, ndërsa synimi i përbashkët është i qartë – të ndërtohet bolidi i parë plotësisht nga Maqedonia dhe nga studentët.

Përpjekje të këtilla ka pasur edhe më parë, por entuziazmi dhe realizimi, sipas studentëve që janë pjesë e MES Racing, asnjëherë nuk kanë arritur deri në këtë shkallë – që të kenë modele të kompletuara 3D dhe të konsiderohet si diçka që me siguri do të realizohet.

“Puna është e ndarë në më shumë ekipe. Kemi një ekip për motorin, aerodinamikën, shasinë, suspenzionin, kemi një ekip për sistemet elektrike, për marketing, për teknologjitë e prodhimit. Këto janë ekipet me të cilat ndajmë gjithçka dhe ku e ndihmojmë dhe e mbështesim njëri-tjetrin. Nuk domethënë se nëse dikush punon në njërin ekip, nuk punon te tjetri. Me atë që, ajo në të cilën ne specializohemi, shohim të përqendrohemi më shumë”, thotë për Meta.mk Georgi Kamçevski, anëtar i MES Racing.

Projekti i tyre promovon diverzitet dhe qëndrueshmëri përmes përfshirjes së vajzave në sportin motorik, ripërdorimit të pjesëve, minimizimit të mbeturinave dhe përdorimit të karburanteve ekologjike.

Gara për të cilën këta të rinj po përgatiten mban emrin Alp Adria dhe është e vetmja e llojit të vetë në rajon. Tërheq numër të madh ekipesh nga Evropa dhe nga bota – të gjithë me qëllim që të lidhen në rrjet dhe të promovojnë teknologjinë, shkencën, inxhinierinë dhe matematikën, por edhe aktivizmin studentor.

Garuesit patën mundësi që të mësojnë nga ekspertë të shkëlqyer të industrisë automobilistike, sepse gjyqtarët vijnë nga kompani të njohura botërore automobilistike.

Studentët e Maqedonisë tashmë e kanë kaluar testin teorik dhe janë kualifikuar për eventin kryesor në të cilin makina e garës dhe prodhimi i saj do të vlerësohet sipas një sërë rregullash të përcaktuara.

Garat  Formula Student kanë për qëllim që studentëve – inxhinierë tu sigurojnë një platformë  në të cilën ata do mund të fitojnë përvojë dhe të mësojnë, por edhe t’i demonstrojnë njohuritë teorike me vepra.

“Në këto gara testet statike dhe dinamike janë shumë të detajuara.  Një pjesë e testit statik është testi Tilt, ku bolidin tonë e rrotullojnë deri në një kënd të caktuar për të testuar se si është stabiliteti i tij. Në testin dinamik bëhet një garë e vërtetë, siç do kishim thënë – kemi përshpejtim, rrëshqitje dhe “endurance”, gjegjësisht test të qëndrueshmërisë, që është si një garë klasike – 30 minuta përshpejtim i vazhdueshëm dhe drejtim i bolidi. Në pika të shkurtra kjo është se si do të duken garat”, sqaron Stefan Stojanov, anëtar i MES Racing.

Formula Student Macedonia këto ditë po zhvillon edhe garën për inovacion dhe optimizim të karakteristikave aerodinamike të makinës. Projekti i ekipit fitues të garës do t’i shtohet bolidit që do të niset për në Kroaci.

“Në garën të cilën po e organizomë ne personalisht kemi rreth 10 ekipe, ndërsa ajo ka për qëllim motivimin dhe inkurajimin e sa më shumë mendjeve dhe studentëve të rinj që duan të hyjnë në fushën e inxhinierisë, mekanikës, automobilizmit dhe të përfshihen direkt ose indirekt në këtë projekt. Për fituesit e garës që po mbahet, projekti i tyre aerodinamik do të implementohet në vetë formulën që më pas do të prezantohet jashtë shtetit”, thotë Masimo Taseski, piloti i automobilit në përpunim e sipër.

Si pilot i automobilit për gara, Masimo thotë se deri tani nuk ka drejtuar bolid të vërtetë, por ka përvojë 12 vjeçare në pilotimin e modeleve të ndryshme të kartingut me suksese të mëdha nëpër kampionate dhe gara shtetërore.

Gjatë tërë procesit të përgatitjes për garën botërore, studentët kanë mbështetjen e Fakultetit të Makinerisë dhe FETI-t, si dhe nga dy profesorë-mentorë. Nga ana tjetër sfida më e madhe për ato është sigurimi i sponsorëve, të cilët do ua lehtësojnë shkuarjen në Velika Gorica.

“Deri diku kemi siguruar disa sponzorizime dhe u jemi shumë mirënjohës kompanive që na besojnë dhe na mbështesin, por na duhen ende shumë burime që ky projekt të jetë i kompletuar dhe të duket ashtu siç duhet që ne të mundemi të konkurrojnë jashtë vendit dhe ta prezantojmë Maqedoninë e Veriut sa më mirë“, shton Tasevski.

Ekipi i studentëve të formulas nga Maqedonia e Veriut  premton se do të japë maksimumin në Kroaci. Atje do të garojnë me automobil me motor me djegie të brendshme, ndërsa një nga qëllimet e këtyre të rinjve të apasionuar është që në të ardhmen të krijojnë makina me motor elektrik, por edhe me inteligjencë artificiale.