RMV, pesë persona nën hetim për Organizatë Terroriste

Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, duke vepruar sipas kallëzimit penal të paraqitur nga Ministria e Punëve të Brendshmeu, ka nxjerrë urdhër për zhvillimin e procedurës hetimore kundër pesë personave nga Shkupi, për të cilët ekziston dyshim i bazuar se personat, të moshës nga 22 deri në 34 vjeç, kanë kryer veprën penale “Organizatë Terroriste”, transmeton Portalb.mk.

Nga Prokuroria njoftuan se, sipas provave të mbledhura, i dyshuari kryesor, në fund të vitit 2024, ka krijuar një kanal dhe grup në internet në një platformë sociale, ku anëtarë kanë qenë edhe të dyshuarit e tjerë. Gjatë viteve 2025 dhe 2026, përmes këtyre kanaleve të komunikimit, të dyshuarit kanë shpërndarë përmbajtje që promovonin dhe mbështesnin ideologjinë e organizatës terroriste ISIS dhe organizatave të tjera terroriste të lidhura ideologjikisht, si dhe materiale ideologjike xhihadiste.

“Qëllimi ka qenë përhapja e propagandës, indoktrinimi ideologjik dhe glorifikimi i veprimeve terroriste dhe i autorëve të tyre. Gjatë ditës së djeshme, me urdhër të gjyqtarit të procedurës paraprake, janë kryer kontrolle në pesë lokacione në territorin e Shkupit, prej të cilave tre në Burgu Idrizovë, ku dy nga të dyshuarit po vuajnë dënim për një vepër tjetër penale, ndërsa një i dyshuar ndodhet në paraburgim. Dy kontrolle të tjera janë kryer në lokacione të lidhura me të dyshuarit e mbetur. Gjatë kontrolleve janë gjetur dhe sekuestruar disa pajisje elektronike dhe sende të tjera, të cilat do t’i nënshtrohen ekspertizës dhe procedurës së mëtejshme të provave”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Gjykata Themelore Penale Shkup i caktoi masën e paraburgimit për njërin nga të dyshuarit, ndërsa për të dytin u caktua masa e arrestit shtëpiak.