RMV, për regjistrim në shkollë të mesme dokumentet do të dorëzohen në formë elektronike dhe në origjinal

Gjithsej rreth 14.000 nxënës të cilët sivjet e përfundojnë klasën e nëntë, do të duhet të regjistrohen në arsim të mesëm, e cila është e obligueshme. Edhe sivjet, si dhe vjet, nxënësit do të duhet fillimisht të aplikojnë në formë elektronike, përmes linkut deri te portali për shërbime elektronike i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASH), me paralajmërim të posaçëm për nëxnësit e shkollave të mesme përmes llogarive personale Schools.mk, shkruan Meta.mk, njofton Portalb.

Paraqitja e parë e nxënësve do të realizohet më 20 qershor deri në mesnatë, si dhe më 21 qershor deri në ora 15.

“Vitin e kaluar kur kishim regjistrime, nxënësit duhej t’i skanojnë ose t’i fotografojnë dokumentet e nevojshme, ndërsa pastaj në formë të PDF ose JPG t’i bashkëngjisin me fletëparaqitjen e plotësuar elektronike. Sistemi vet përllogarit pikë, pasiqë nxënësi t’i vendosë të gjithë notat nga dëftesat. Lëndët veçse janë të vendosura, ata i vendosin vetëm notat. Pastaj, kur kandidatët do t’i sjellin dokumentet në kontroll, anëtarët tanë të Komisionit për regjistrim do të kontrollojë se nëse dokumentet janë të besueshme dhe se nëse në sistem janë vendosur notat reale”, shpjegon për Meta.mk Dejan Kërstevski, ndihmës-drejtor në shkollën e mesme profesionale “Vllado Tasevski”.

Çdo nxënës gjatë plotësimit të fletëparaqitjes për regjistrim, duhet ta vendosë edhe numrin e tij të amzës, që të pamundësohet që një nxënës të aplikojë edhe në shkollë tjetër.

Paraqitja dhe regjistrimi i nxënësve do të realizohet në një afat regjistrimi me dy paraqitje në muajin qershor. Rang-lista e nxënësve të regjistruar në afatin e parë të regjistrimit, publikohet më 22 qershor, në e-shërbime, si dhe në ueb-faqen e MASH-it, më së voni deri në ora 9.

“Dorëzimi i dokumentacionit të nevojshëm nëpër shkolla është më 22 qershor, nga ora 12 deri në ora 19, si dhe më 23 qershor nga ora 7 deri në ora 19. Rang-lista përfundimtare për çdo shkollë me rezultatet nga regjistrimi dhe vendet e lira do të publikohen më 24 qershor, më së voni deri në ora 12 në tabelën e shpalljeve të shkollës dhe në sajtin e MASH-it”, thuhet në Konkursim për regjistrim në arsim të mesëm.

Në ato shkolla në të cilat do të paraqiten numër më i madh i kandidatëve nga vendet e parapara me notë mesatare 5,00, organizohet testim kualifikues, me të cilin do të realizohet selektim. Ai testim organizohet nëpër shkollat për arsim të mesëm më 26 qershor, ndërsa rang-listat përfundimtare me rezultatet do të publikohen më 26 qershor.

Përndryshe, për herë të parë vitin e kaluar nxënësit regjistrimin nëpër shkolla të mesme e realizuan në formë elektronike.