RMV, për dy muaj, është dyfishuar numri i rasteve me grip

Në një periudhë dy mujore është dyfishuar numri i të prekurve nga gripi, gjegjësisht sëmundje të ngjashme me gripin, sipas raportit të fundit të publikuar nga Instituti i Shëndetit Publik. Kështu, në muajin tetor janë regjistruar 196 raste me grip, në nëntor ky numër ka qenë 268, ndërsa në muajin aktual numri i përgjithshëm i rasteve të gripit është 426. Gjithashtu janë regjistruar edhe katër raste pozitive me Covid-19 ndërsa në mënyrë shtesë janë regjistruar edhe 103 raste pozitive me visrusin respirator sincicial (VRS), transmeton Portalb.mk.

“Për sa i përket shpërndarjes së pacientëve sipas grupmoshave, numri më i madh i pacientëve është raportuar në grupmoshën që përfshin pjesën më të madhe të popullsisë (nga 15-64 vjeç) – 410 raste, dhe incidenca më e lartë është regjistruar tek fëmijët nën mosha 4 vjeçare”, thuhet në raport.

Aty thuhet se rezultatet e marra nga mbikëqyrja virologjike e gripit tregojnë se ka pasur aktivitet lokal të virusit të influencës gjatë 12 javëve të fundit të mbikëqyrjes.

“Për herë të parë këtë sezon përqindja e pozitivitetit kaloi 10 për qind. Sipas këtyre të dhënave, Maqedonia ka një përhapje rajonale dhe intensitet të ulët të aktivitetit të virusit të gripit”, thuhet në raport.

Instituti informon edhe për një person të vdekur nga gripi, i moshës 71 vjeçare nga Shtipi, i cili kishte sëmundje shoqëruese dhe nuk ishte vaksinuar me vaksinën e gripit sezonal. Te personi i vdekur është konfirmuar laboratorikisht Influenza А(H1).

Në lidhje me vaksinimin kundër gripit sezonal, ISHP bën me dije se gjithsej 60.511 persona janë vaksinuar me vaksinë falas ose komerciale.

Për sezonin 2023/2024, Ministria e Shëndetësisë ka ofruar vaksinë katërvalente falas në një sasi totale prej 60 mijë dozash, të destinuara për grupet prioritare të popullsisë. 15,000 doza shtesë të vaksinës katërvalente janë siguruar përmes dhurimit. Vaksinimi kryhet në qendrat e shëndetit publik me njësitë e tyre rajonale dhe/ose qendrat shëndetësore. Terminet për vaksina falas bëhen përmes ueb-faqes www.vakcinacija.mk.

Sipas të dhënave nga Drejtoria për shëndetësi elektronike, që nga fillimi i vaksinimit dhe deri në mbyllje të këtij raporti, me vaksina falas janë vaksinuar gjithsej 58.235 persona nga kategoritë e rrezikut të popullatës.