30 ditë paraburgim për personin që rrahu për vdekje vajzën e tij dyvjeçare në Kërçovë

Gjykata nga Kërçova caktoi masën e paraburgimit prej 30 ditësh për personin F.D (30) i cili rrahu vajzën e tij dyvjeçare, e cila pas 22 ditë luftimesh për jetën vdiq në Klinikën e Shkupit, transmeton Portalb.mk.

Ndaj tij është ngritur kallëzim penal për vrasje.

“Ai me datë 18.12.2023 rreth orës 21:00 në shtëpinë e tij në Kërçovë, gjatë dhunës në familje, i ka shkaktuar lëndime të rënda fizike vajzës së tij dyvjeçare, e cila është dërguar për trajtim mjekësor në Spitalin e Përgjithshëm në Kërçovë. dhe më pas në Qendrën Klinike “Nënë Tereza” në Shkup, ku ka ndërruar jetë më 8 janar”, njoftoi dje SPB Ohër.

Prokuroria Themelore Publike në Kërçovë ka nxjerrë Urdhër për zhvillimin e procedurës hetimore për veprën penale – Vrasje nga neni 123 paragrafi 2 pika 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal. I dyshuari, siç informojnë nga Prokuroria, më 18 dhjetor, duke ushtruar dhunë në familje, i ka marrë jetën vajzës së tij, e lindur në vitin 2022. Ai e kishte goditur disa herë me duar dhe këmbë, duke i shkaktuar lëndime të rënda fizike – një kockë të thyer të kafkës, gjakderdhje në tru dhe dy brinjë të thyera. Nga plagët e marra fëmija ka ndërruar jetë më 8 janar në Qendrën Klinike “Nënë Tereza” në Shkup

Burri është dërguar në burgun e Manastirit.