RMV, nga patriotizmi simbolik te bllokimi real i integrimit, e vështirë arritja e marrëveshjes mbipartiake për BE-në

LSDM-ja opozitare ka prezantuar një Projektrezolutë për të përcaktuar qëndrimet e përbashkëta shtetërore dhe kombëtare për vazhdimin e procesit të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian. Nga ana tjetër, VMRO –DPMNE, partia më e madhe në pushtet, përmes kryetarit të saj Hristijan Mickoski, është zotuar se pas zgjedhjeve lokale, në tetor, do të dalin me “rezolutë maqedonase”, e cila, sipas tyre, do të synojë të mbrojë interesat shtetërore maqedonase. Retorika e tillë e partive maqedonase konsiderohet më shumë si lojë politike, sesa si një përpjekje e sinqertë për të arritur konsensus, shkruan Portalb.mk.  

Sipas kryetarit të LSDM-së, Venko Filipçe pjesët më të rëndësishme të Projektrezolutës, ose, siç e quajti ai, “vijat e kuqe”, të cilat askush nuk duhet t’i kalojë, janë kërkesa për respektim të vazhdueshëm të karakteristikave gjuhësore, identitare, historike dhe kulturore të popullit maqedonas si elementë që nuk janë të negociueshëm me BE-në. 

Dokumenti këmbëngul që gjuha maqedonase të bëhet një nga gjuhët zyrtare të BE-së pa shtesa ose fusnota. Gjithashtu parashikohet që vendi të jetë i gatshëm të përmbushë detyrimet e Kornizës Negociuese, përfshirë ndryshimet kushtetuese, me një përcaktim të qartë se kjo është pengesa e fundit, pa pranuar kërkesa të reja ose çështje me natyrë dypalëshe dhe identitare, dhe që të gjitha çështjet me Bullgarinë të zgjidhen në takime dypalëshe pa vendosur bllokada të reja. 

Dokumenti përcakton gjithashtu një afat kohor për zbatimin e aktiviteteve sipas të cilave Qeveria duhet të shqyrtojë amendamentet e paraqitura për përfshirjen e komuniteteve bullgare dhe të tjera etnike në Kushtetutë dhe të deklarojë nëse ajo mbetet me të njëjtin tekst nga 15 nëntori deri më 25 nëntor 2025, dhe nëse propozohet tekst i ri i amendamenteve, ai duhet të miratohet nga Qeveria dhe t’i dorëzohet Kuvendit deri më 1 dhjetor 2025. Kuvendi duhet të fillojë procedurën për ndryshimin e Kushtetutës dhe të arrijë fazën e parë të votimit jo më vonë se 15 dhjetori 2025, dhe votimin përfundimtar jo më vonë se 10 shkurti 2026. Në të njëjtën ditë të votimit përfundimtar, Qeveria duhet t’u dërgojë një letër shteteve anëtare të BE-së dhe Komisionit Evropian duke deklaruar se detyrimi ynë për të zhbllokuar procesin e negociatave është përmbushur dhe t’i bëjë thirrje Komisionit Evropian të organizojë një Konferencë Ndërqeveritare midis shteteve anëtare të BE-së dhe Maqedonisë së Veriut jo më vonë se 15 shkurti 2026.

Filipçe tha se pret që të gjitha subjektet politike ta shqyrtojnë draft-dokumentin dhe të japin sugjerime konstruktive për miratimin e tij të përbashkët dhe që të mos keqpërdoret në fushatën për zgjedhjet lokale. 

Nuk ka vonuar kundër- reagimi i kryeministrit të RMV-së, Hristijan Mickoski, njëherazi edhe kryetar i VMRO-DPMNE-së, i cili tha se rezoluta e paraqitur nga LSDM përmban falsifikime të shumta dhe akuzoi partinë opozitare për shitjen e vlerave nacionale. Mickoski paralajmëroi se pas zgjedhjeve, VMRO-DPMNE do të hartojë, siç e tha ai, një “rezolutë maqedonase”. 

“Po bëhet një përpjekje për të mohuar një fakt historik. Të thuash se gjuha maqedonase u bë zyrtare në OKB në vitin 2019 është një gënjeshtër monstruoze, veçanërisht në vitin kur shënojmë 80-vjetorin e kodifikimit të gjuhës maqedonase dhe pranimin e saj në OKB si gjuhë zyrtare e Federatës së atëhershme Jugosllave… ne si VMRO-DPMNE, si një parti e përgjegjshme dhe shtetndërtuese, do të miratojmë një rezolutë të vërtetë. Do ta marrim këtë rezolutë si bazë dhe përmes komisioneve parlamentare pas zgjedhjeve lokale do të miratojmë “Rezolutën Maqedonase” e cila do të synojë të mbrojë interesat shtetërore maqedonase, diçka që pamë se nuk ekzistonte për LSDM-në. Më vjen keq që ky kryetar, si dy të mëparshëm, derisa argëtohen në jahte luksoze, miratojnë rezoluta që synojnë të shesin interesat maqedonase”, tha Mickoski. 

Besim Nebiu (analist). Foto nga profili i tij në Facebook
Besim Nebiu (analist). Foto nga profili i tij në Facebook

Njohësit e rrethanave politike në vend, veprimet e VMRO-DPMNE dhe LSDM nuk i shohin si një hap drejt arritjes së një marrëveshje mbipartiake, në lidhje me procesin eurointegrues.  

“Kjo që po ndodh mes VMRO-DPMNE dhe LSDM është më shumë vazhdim i një loje politike të brendshme sesa ndonjë përpjekje serioze për konsensus. Propozimet për “rezoluta kombëtare” apo “vija të kuqe” shpesh shërbejnë për të komunikuar me elektoratin dhe për të treguar “patriotizëm”, por realisht nuk prodhojnë mekanizma funksionalë që ta afrojë vendin drejt BE-së”, tha për Portalb.mk, Besim Nebiu. 

Sipas Nebiut, debllokimi i rrugës për BE është në duart e kryeministrit dhe partisë se tij, i cili, siç theksoi tutje Nebiu, në vitin e kaluar realisht nuk ka treguar apetit për të ndryshuar kushtetutën ashtu siç kërkon marrëveshja me BE-në. 

Drejtori ekzekutiv i Institutit Prespa Andreja Stojkovski mendon që teorikisht, ka vend për një konsensus kombëtar sepse të gjitha partitë politike thonë në mënyrë deklarative se e ardhmja e vendit është në BE.  

Andreja Stojkovski, Instituti "Prespa" Foto: Nga arkivi personal ne ueb
Andreja Stojkovski, Instituti “Prespa” Foto: Nga arkivi personal ne ueb

“Por, në praktikë, kultura politike në vendin tonë është fort partiake dhe çdo përpjekje për një iniciativë nga njëra palë shihet nga tjetra si një kurth politik ose një mjet për të fituar pikë. Gjatë gjithë historisë së këtij vendi, të gjitha marrëveshjet e mëdha, marrëveshjet e Ohrit dhe Prespës, Kompromisi Francez etj., u arritën nën presion të fortë ndërkombëtar dhe jo si rezultat i pjekurisë së brendshme politike. Me fjalë të tjera, këto iniciativa janë shpesh një garë se kush do të vendosë “vija të kuqe më të rrepta”, theksoi për Portalb.mk, Stojkovski.. 

Prandaj, shprehet tutje Stojkovski, do të thoja se ekziston mundësia për një marrëveshje, por është e pamundur nëse nuk ka nxitje të jashtme (BE-ja dhe ndoshta Gjermania/Italia/Franca, sigurisht SHBA-ja) dhe presion të fortë të brendshëm nga publiku vendas. 

Viktimizimi i Siljanovskës në OKB për rrugën e RMV-së drejt BE-së 

Ndërkaq, bazuar në retorikën e krerëve të lartë të shtetit të Maqedonisë së Veriut, integrimi në Bashkimin Evropian (BE) mbetet përparësia kryesore strategjike e vendit 

Këtë e konfirmoi edhe presidentja e vendit Gordana Siljanovska-Davkova, duke theksuar se ky proces nuk duhet të kushtëzohet nga kërkesa shtesë. Ajo gjatë fjalimit të saj në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (OKB) në Nju Jork tha se vija e çarjes gjeopolitike kalon edhe nëpër rajonin e Ballkanit Perëndimor, “procesi i pranimit të Maqedonisë në BE është penguar vazhdimisht për 20 vjet. Por jo në bazë të kritereve objektive të Kopenhagës por për arsye subjektive nacionaliste”. 

Siljanovska-Davkova kujtoi se kushti i fundit i BE-së që vendi të fillojë negociatat është një “ndryshim i imponuar në Kushtetutë”.

Gordana Siljanovska Davkova. Foto: Presidenca e RMV-së
Gordana Siljanovska Davkova. Foto: Presidenca e RMV-së

“Ne jemi paralajmëruar vazhdimisht se marrëveshjet duhet të respektohen, por vërej se Marrëveshja e Miqësisë, Fqinjësisë së Mirë dhe Bashkëpunimit me Bullgarinë nuk përmban dispozita për ndryshime kushtetuese”, tha presidentja. 

Ajo theksoi se me aktet kushtetuese, BE-ja e përcakton veten si një unitet diversiteti dhe angazhohet të respektojë diversitetin kulturor dhe gjuhësor, kombësinë dhe identitetin kulturor, dinjitetin dhe integritetin. 

“Si është e mundur atëherë që na kërkohet të diskutojmë dhe negociojmë me një fqinj për historinë, kulturën dhe gjuhën tonë? Ne theksojmë vazhdimisht se e perceptojmë veten si evropianë dhe besojmë thellësisht në projektin evropian. Ideali evropian mbetet frymëzimi dhe aspirata jonë më e madhe strategjike”, tha Siljanovska-Davkova. 

Ajo theksoi se si një shtet i përkushtuar ndaj fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit rajonal, vendi nuk dëshiron mosmarrëveshje me fqinjët e tij. 

“Ajo që duam është të integrohemi në Bashkim, por pa kushte shtesë, të veçanta dhe me dinjitet kombëtar të ruajtur”, tha ajo. 

Kujtojmë se, Republika e Maqedonisë së Veriut po hyn në fushatë zgjedhore për zgjedhjet lokale që do të mbahen më 19 tetor. Edhe pse zgjedhje lokale mbisundon retorika për tema qendrore shtetërore. Derisa Maqedonia e Veriut mbetet e izoluar në rrugëtimin e saj drejt Bashkimit Evropian, për shkak mos gatishmërisë së qeverisë aktuale, të udhëhequr nga VMRO-DPMNE, koalizioni shqiptar VLEN dhe Lëvizja ZNAM për t’a ndryshuar Kushtetutën.

RMV duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë. Ndryshimi kërkon shumicë prej dy të tretash dhe negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen këto ndryshime. 

Me kusht të ndryshimi të Kushtetutës, Maqedonia e Veriut më 19 korrik të vitit 2022 i filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022. Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.