AKI: Gjykata Kushtetuese vendosi nën diktat të Qeverisë me të cilin ulet numri i këshilltarëve në komunat shqiptare

Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI) akuzon se Maqedonia e Veriut po bëhet shteti i parë në botë ku Gjykata Kushtetuese shkel rendin kushtetues, del në kundërshtim me Kushtetutën si aktin më të lartë juridik dhe në kundërshtim me vendimin që e ka sjellë vetë paraprakisht, duke iu referuar vendimit të Qeverisë me të cilin ulet numri i këshilltarëve në komunat. Nga ky koalicion thonë se e gjithë kjo po bëhet duket shkelur të drejtat dhe liritë elementare të qytetarëve, në këtë rast të shqiptarëve si bashkësia e dytë etnike në vend, transmeton Portalb.mk.

“Vendimi i fundit për të refuzuar kërkesën për shqyrtimin e kushtetueshmërisë së vendimit të Qeverisë me të cilin ulet numri i këshilltarëve në komunat shqiptare, është antikushtetues, në kundërshtim me ligjin për vetëqeverisje lokale, neni 34 dhe në kundërshtim me vendimin paraprak të kësaj gjykate e cila vetë e kishte shpallur një herë si antikushtetues vendimin e Qeverisë për të fshirë mërgatën nga numri i popullsisë.  Si pasojë e këtij vendimi, sot komunat e banuara me shqiptarë do të kenë dukshëm më pak këshilltarë sesa kanë pasur deri më tani edhe atë, Struga, Kërçova, Vrapçishti, Zhelina dhe Tearca nga 4 këshilltarë më pak, ndërsa Gostivari 8 këshilltarë më pak. Me vendiminne Qeverisë shqiptarët dhe komunat e banuara kryesisht me shqiptarë kanë edhe pasoja ekonomike dhe financiare. Nga ndarja e kredisë hungareze, komunat shqiptare kanë humbur 8.4 milionë euro, ndërsa nga shpërndarja e TVSH-së, ku njëri nga 3 kriteret është numri i popullsisë, komunat shqiptare humbin qindra mijëra deri në miliona euro për çdo muaj”, thuhet në reagimin e AKI-t.

Kujtojmë se Gjykata Kushtetuese në gusht hapi rast mbi dy nisma për të vlerësuar kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë e vendimit me të cilin Qeveria më 24 shtator 2024, përcaktoi numrin e anëtarëve të këshillave komunale. Nisma e parë është nga Skender Rexhepi, sipas të cilit vendimi i kontestuar krijon pasiguri ligjore, sepse Qeveria e ka miratuar këtë vendim pa autorizim ligjor dhe nisma e dytë për të vlerësuar këtë vendim qeveritar është paraqitur nga Qenan Alija, i cili thotë se është në kundërshtim me nenin 8, paragrafi 3 dhe nenin 51 të Kushtetutës, si dhe me nenet e Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale.

Në seancën e 24 shtatorit 2024, qeveria përcaktoi numrin e anëtarëve të këshillave komunale bazuar në, siç u tha, Ligjin për Qeverinë dhe Ligjin për Vetëqeverisjen Lokale. Sipas vendimit të qeverisë, numri minimal i anëtarëve të një këshilli komunal është 9, dhe maksimumi është 27 anëtarë.

Sipas Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale, numri i anëtarëve në këshillin komunal përcaktohet sipas numrit të banorëve në komunë, dhe nuk mund të jetë më pak se 9 për komunat me nën 5,000 banorë dhe më i madh se 33 për komuna me mbi 100,000 banorë.