RMV, nga një fabrikë për marihuanë për qëllime mjekësore janë vjedhur mbi 550 kilogramë marihuanë

Tre persona kanë sulmuar fizikisht një të punësuar në sigurimin  në fabrikën për marihuanë për qëllime mjekësore në atarin e fshatit Çegran të Gostivarit, pas çfarë nën kërcënim me pistoletë e kanë mbyllur në një hapësirë dhe nga fabrika kanë marrë 41 thasë me marihuanë me një peshë të përgjithshme prej 552.85 kilogramë marihuanë, njofton Portalb.

Siç informoi sot MPB-ja, vjedhja është raportuar dje në orën 23 në Departamentin e Punëve të Brendshme në Gostivar.

“Sipas kallëzimit, pasi ata janë larguar, ai ka dalë dhe ka vërejtur se porta e fabrikës ishte e hapur dhe se dy dyer nga pjesa e brendshme janë thyer. Në konsultim dhe koordinim me prokurorin publik, ekspertizë ka kryer ekipi i Departamentit për Punë të Brendshme Gostivar dhe është konstatuar se personat nga brendësia e  objektit kanë marrë 41 thasë me gjithsej 552.85 kilogramë marihuanë”, kumtoi MPB-ja.

Po ndërmerren masa për zbardhjen dhe dokumentimin e rastit.

Paraprakisht, më 4 tetor të këtij viti nga ana e DPK-së, pas një kontrolli dhe bastisje të jashtëzakonshëm me urdhër gjykate, në koordinim me Komisionin për vlerësimin e plotësimit të kushteve në lidhje me hapësirën, pajisjet dhe kuadrin për kultivimin e kanabisit për qëllime mjekësore pranë Ministrisë së Shëndetësisë janë konstatuar parregullsi në punën e fabrikës, të mbjellat e kanabisit të sekuestruar i janë dorëzuar Agjencisë për Menaxhimin e Pronës së Konfiskuar, pas së cilës është parashtruar kallëzim penal kundër personit juridik dhe përgjegjës sipas Ligjit për Kontrolli i Drogave Narkotike dhe është ngritur procedurë për heqjen e licencës.