RMV, në shtator u rritën çmimet e vezëve, djathit, mishit, sheqerit, çokollatës dhe peshkut, kostoja e jetesës më e lartë se vitin e kaluar

Kostoja e jetesës në shtator të këtij viti, krahasuar me shtatorin e vitit të kaluar, shënoi rritje prej 6.6 përqind, ndërsa çmimet e shitjes me pakicë 4.7 përqind, transmeton Portalb.mk.

Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave (EShS), kostoja e jetesës në shtator 2023, krahasuar me muajin paraprak, është ulur për 0,1 përqind, ndërsa çmimet me pakicë për 1,0 përqind.

“Rënie e indekseve të kostos së jetesës në shtator 2023, krahasuar me një muaj më parë, është vërejtur te frutat e freskëta dhe të ngrira me 2,7 përqind, vaji dhe yndyra me 1,7 përqind, perimet e freskëta dhe të ngrira, përveç patateve dhe frutave të tjera me rrënjë me 1.3 përqind dhe qumështi me 0.4 përqind”, thuhet në raportin e EShS-së.

Gjithashtu, sipas EShS-së, rënie në indekset e kostos së jetesës është vërejtur edhe në transportin ajror të pasagjerëve me 34,8 përqind, aranzhimet turistike me 7,1 përqind, produktet shtëpiake –  me 0,8 përqind, materialet e tjera të shtypura me 0,4 përqind.

“Rritje të indekseve të kostos së jetesës në shtator 2023, krahasuar me muajin paraardhës, është shënuar te pijet alkoolike me 2,3 përqind, vezët me 2,0 përqind, vera me 1,9 përqind, djathi dhe gjiza me 1,2 përqind, mishi, sheqeri, reçeli, mjalti, çokollata dhe produktet e ëmbëlsirave me 1.0 përqind, kafeja, çaji, kakaoja 0.9 përqind, peshku dhe prodhimet e detit 0.7 përqind, buka dhe drithërat me 0.6 përqind, produktet ushqimore që nuk përmenden diku tjetër me 0.5 përqind”, njofton EShS.

Në muajin shtator, EShS përcaktoi gjithashtu se rritje të indekseve të kostos së jetesës është vërejtur edhe në pajisjet fotografike dhe kinematografike dhe instrumentet optike me 10,6 përqind, motoçikletat me 8,6 përqind, llëndëve djegëse të lëngshme për amvisëritë me 6,2 përqind, shërbimet paramjekësore me 5,4 përqind, gazi për amvisëri me 4,6 pë qind, karburantet dhe lubrifikantët për mjetet globale të transportit me 4,1 përqind, pastrimi, riparimi dhe marrja me qira e veshjeve me 3,9 përqind, mirëmbajtja dhe riparimi i mjeteve të transportit me 3,5 përqind, materialet për zyra dhe për vizatim me 3,4 përqind, media për rincizim me 2,8 përqind, riparimi i pajisjeve audiovizive, fotografike dhe informative me 2,3 përqind, shërbimet e akomodimit me 2,0 përqind, shërbimet mjekësore me 1,9 përqind, shërbimet e mirëmbajtjes dhe riparimit të shtëpisë me 1,8 përqind, pëlhura për prodhimin e rrobave me 1,4 përqind, mobilje dhe sende shtëpiake me 1.2 përqind, sende të tjera personale me 1.1 përqind, qelqe, enë kuzhine dhe pajisje të tjera.

“Rritje është vërejtur edhe në restorante, kafene etj me 0,9 përqind, lojëra, lodra dhe hobi me 0,8 përqind, aparatet elektrike shtëpiake të vogla me 0,7 përqind, automjete, bizhuteri, orë dhe orë dore, shërbime të tjera që nuk përmenden diku tjetër për 0,6 përqind”, deklaruan nga Enti Shtetëror për Statistikat.